Akideja e Selefëve dhe Dijetarëve të Hadithit

Botues: Udha e Besimtarëve, 2014

Po paraqes para duarve të lexuesëve dhe vëllezërve të mi muslimanë këtë libërth të përshtatur në gjuhën shqipe, me qëllim që t’u vij atyre sadopak në ndihmë për njohjen e besimit të saktë dhe të vërtetë të Islamit.

Vëzhguesi në terrenin e sotëm, në mesin e muslimanëve gjen një përzierje dhe ngatërrim të së vërtetës me të pavërtetën, të dijes me injorancën dhe të Sunetit me bidatin. Kjo për shkaqe të shumta ndër të cilat mund të përmendim mungesën e literaturës së saktë dhe të nevojshme në këtë temë (temën e Akides).

Libri që keni në duar është një përmbledhje e shkurtuar e bazave të Akides së Selefëve tanë të mirë dhe dijetarëve të Hadithit të të Dërguarit (salAllahu alejhi ue selem) të cilin e ka shkruar një prej dijetarëve të mëdhenj të Islamit në shekullin e katërt dhe të pestë të hixhretit, imam es Sabuni.

Ky libër ka fituar besimin dhe përgëzimin e shumë prej dijetarëve të Ehli Sunetit të cilët e kanë parë dhe lexuar atë dhe ai konsiderohet si një nga burimet bazë të Akides së Ehli Sunetit dhe Dijetarëve të Hadithit, bashkë me disa libra të tjerë madhështorë të cilët do të përmenden gjatë librit dhe për të cilat lus Allahun që të shohin dritën në gjuhën shqipe, edhe pse janë disi voluminoze!

Siç e thamë më lart, libri është shumë i përmbledhur dhe autori është përpjekur të paraqesë në të, ç’të mundë prej bindjeve të Ehli Sunetit duke treguar edhe transmetuesit dhe përcjellësit e fjalëve, në mënyrë që të jetë sa më i përpiktë.

Studiuesi dhe recensuesi i librit, Dr. Nasir ibën AbduRrahman el Xhedij, është përpjekur të nxjerrë çdo transmetim prej burimit në të cilin gjendet dhe gjithashtu ka përmendur një biografi të përmbledhur për të gjithë transmetuesit që ka përmendur autori, por unë nuk i kam përmendur të gjitha ato biografi për t’iu ruajtur zgjatjes dhe daljes nga tema.

Ky libër, edhe pse me përmasa të vogla, është i domosdoshëm për të gjithë muslimanët, për të përparuarin në dije dhe për fillestarin në të, ndonëse për atë të përparuarin është më i përshtatshëm.

Nëse njihet e vërteta atëherë është e lehtë njohja e të kotës dhe dallimi i saj, sepse çdo gjë që e kundërshton të Vërtetën dhe bie ndesh me të, ajo është e kotë. Po ashtu, nëse njihen ndjekësit e së Vërtetës, atëherë është e lehtë që të njihen ndjekësit e të kotës.

Lus Allahu e Madhëruar që të na drejtojë në të Drejtën dhe të Vërtetën, dhe të na bashkojë në Xhenet me të Dërguarin e Tij (salAllahu alejhi ue selem) sahabet e ndershëm dhe ndjekësit e gjurmëve të tyre deri në Ditën e Kijametit!

Përkthyesi
Amman / Jordani

Dosje: ,

Loading...