Që të gjithë dijetarët janë dakord se lejohet kurimi dhe përdorimi i ilaçeve. Muslimanit i lejohet që të vizitohet tek doktori i sëmundjeve që kanë të bëjnë më organet e brendshme, ose tek neurologu, ose të konsultohet me mjekun kirurg, e kështu me radhë, në mënyrë që të përcaktohet lloji i sëmundjes dhe të kurohet me ilaçet që i nevojiten, të cilat janë të lejuara me sheriat, në varësi të njohurive mjekësore. Kjo gjë lejohet sepse është zbatim i shkaqeve të zakonshme të cilat Allahu i ka krijuar për shërim dhe kjo nuk bie ndesh me mbështetjen tek Allahu, sepse Ai e ka dërguar sëmundjen dhe në të njëjtën kohë ka dërguar edhe ilaçin e asaj sëmundjeje, e dinë atë ilaç ata që e dinë dhe një pjesë tjetër nuk e di, por Allahu nuk e ka konsideruar shërimin e robërve të Tij prej gjërave që ua ka ndaluar atyre.
Por nuk i lejohet të sëmurit që të shkojë tek fallxhorët, të cilët pretendojnë zbulimin dhe njohjen e të fshehtave, duke u kërkuar atyre që t’i përcaktojnë llojin e sëmundjes. Gjithashtu, nuk i lejohet të sëmurit që t’i besojë fjalëve të tyre, sepse ata flasin me hamendje, duke u përpjekur t’ia qëllojnë njohjes së të fshehtës, ose flasin duke përdorur xhindët dhe duke u kërkuar atyre që t’i ndihmojnë për realizimin e qëllimeve të tyre. Gjykimi për këta njerëz është kufri dhe humbja, nëse pretendojnë njohjen dhe zbulimin e së fshehtës. Imam Muslimi ka transmetuar në Sahihun e tij se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush shkon tek fallxhorët dhe i pyet për diçka, atij nuk i pranohet namazi për 40 ditë.”
[…] Nuk u lejohet muslimanëve që të mashtrohen me disa të vërteta që thonë dhe as të mashtrohen me numrin e shumtë të njerëzve që u drejtohen si pasojë e padijes, sepse ata janë gënjeshtarë dhe njerëz të prishur. Profeti, salallahu alejhi ue selem, e ka ndaluar frekuentimin e tyre, të pyeturit e tyre dhe besimin te fjalët që thonë, sepse kjo është diçka shumë e urryer që mbart me vete rrezik të madh dhe përfundim të shëmtuar.