Argumentet logjike dhe ato të transmetuara (Kurani dhe Suneti), shqisat dhe natyra e pastër, të gjitha këto dëshmojnë se Zoti ynë – i Lartmadhëruar – është i Vetëm në zotërimin e Tij, i njësuar në adhurimin e Tij. Pushteti i Tij është i plotë (mbi të gjitha krijesat), absolute është madhështia e Tij, pozita e Tij është e lartësuar, urdhëri i Tij është i zbatuar dhe bukuria e Tij është e përsosur. Është lartësuar mbi Arsh (Fronin e Tij madhështor) dhe përkujdeset për çështjet e robërve të Tij. Sunduesi i vërtetë, i Përhershmi, që kujdeset për krijesat e Tij, është i Pasur dhe i panevojshëm për të tjerë ndërsa çdo gjë është e varfër para Tij dhe çdokush është i nevojshëm për Të.
“Atij i kërkon çdokush që është në qiell dhe në tokë. Çdo ditë Ai është në një çështje të re” (Rahman: 29)
Fal gjynahet, largon fatkeqësitë, shëron dhimbjet, ndihmon të dobëtit, ndihmon nevojtarët dhe pasuron të varfërit. Ai cakton vdekjen e dhuron jetën, lumturon dhe trishton, humbet kë të dojë dhe udhëzon këtë dojë, disave u jep të mira dhe disave ua largon mirësitë, krenon disa njerëz dhe poshtëron të tjerë, disa i ngre dhe disa i ul. Duart e Tij janë plot bujari, natën dhe ditën, duke mos u pakësuar asgjë pë shkak të dhënies së vazhdueshme. Ai është i Pari para të Cilit s’ka pasur asgjë dhe i Fundit pas të Cilit nuk mbetet asgjë. I Larti mbi të Cilin nuk është askush, i Afërti dhe më afër se Ai s’është askush (Domethënë që e ka rrethuar çdo gjë me dijen e Tij dhe mbikëqyrjen e Tij.) Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Tij dhe Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.
Ai nuk ka portier që t’i marrësh leje për të hyrë tek Ai, e as roje që të pengon të arrish tek Ai. Nuk ka as ministër nëpërmjet të cilit mund të arrish tek Ai, as ndihmës që e ndihmon Atë. Nuk ka ndonjë të dashur e as ndërmjetës që të ndërhyjë tek Ai, veçse pasi Ai të jap leje për këtë, nuk ka as zëvendës që ia bën të njohura nevojat e robërve të Tij.
Ka përfshirë me dijen e Tij çdo gjë, asgjë nuk del nga mundësia e Tij (është i Plotfuqishëm të bëjë gjithçka) dhe mëshira e Tij ka përfshirë gjithçka. Atë nuk e angazhon një çështje nga një tjetër, e as nuk ngatërrohet nga kërkesat e shumta që i drejtohen. Nuk bezdiset nga lutjet e atyre që i luten pandërprerë dhe me ngulm. Sikur të mblidheshin të gjitha krijesat, i pari dhe i fundit prej tyre, njerëzit dhe xhinët, në një vend e t’i kërkonin Atij, e Ai t’i jepte çdokujt prej tyre atë që kërkon, kjo nuk do ta pakësonte atë që gjendet tek Ai as sa një grimcë.
I Dëlirë nga çdo e metë e mangësi është Ai. Sa Madhështor që është! Urdhri i Tij kur dëshiron diçka i thotë: ‘Bëhu’! dhe ajo bëhet. Perdja e Tij është prej drite, sikur ta zbulonte atë, shkëlqimi i fytyrës së Tij do të digjte gjithçka prej krijesave të tij.
Larg nga mëshira e Tij qofshin mohuesit zullumqarë!
Ai është Allahu, Zoti i botëve. “Allahu është Ai që i ngriti qiejt dhe tokën pa shtylla të dukshme, pastaj u lartësua mbi Arsh. E nënshtroi diellin dhe hënën, çdonjëra prej tyre noton në një orbitë të caktuar. Ai i rregullon çështjet, i sqaron argumentet, në mënyrë që ju të jeni të bindur për takimin e Tij. Ai është i Cili e ka shtrirë tokën dhe ka vendosur në të male dhe lumenj dhe nga çdo fryt ka bërë dy lloje. Natën ia mbështjell ditës. Me të vërtetë në këto ka argumente për një popull që mendon.” (Ra’d: 2-3)
“Ai i ka krijuar qiejt pa shtylla të dukshme, ka vënë male të palëvizshme në Tokë, që ju të mos lëkundeni dhe ka shpërndarë në të gjithfarë gjallesash. Ne e zbresim ujin nga qielli dhe bëjmë të rriten në të gjithfarëlloj bimësh të vlefshme. Ky është krijimi i Allahut, pa më tregoni çfarë kanë krijuar të tjerët veç Tij? Por zullumqarët janë në një humbje të qartë!” (Lukman: 10 – 11)
Të Dërguarit u thanë popujve të tyre: “A ka dyshim në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të tokës?!” (Ibrahim: 10) Dmth: Ai është më i dukshmi e më i qarti se çdo gjë tjetër. Ekzistenca e gjërave varet nga ekzistenca e Tij. Ai është Dëshmuesi dhe për Të tregojnë dëshmitë. Ai është vetë argumenti dhe për të Cilin tregojnë argumentet. Ai është argument me Veten e Tij, për Veten e Tij. Siç ka thënë njëri prej dijetarëve: “Si të kërkoj argumente për atë i Cili është argument për mua për çdo gjë. Pra çdo argument që të kërkosh për Të, ekzistenca e Tij është më e qartë se vetë argumenti” I dëlirë nga çdo e metë është Ai për njëshmërinë e të Cilit dëshmojnë të gjitha krijesat. Ai madhështisë së Tij i përulen të gjitha qëniet, që për Të janë të varfër (nevojtarë) të gjitha gjallesat. Ata nuk zotërojnë për vetet e tyre dobi e as dëm, as vdekjen, as jetën e tyre e as ringjalljen. Ai i ngjall ata dhe i vdes, i zhduk ata dhe i mban në ekzistencë, i ruan ata dhe rregullon çështjet e tyre, i drejton ata dhe i nënshtron. Prej Tij është ekzistenca dhe prej Tij është mbajtja në jetë. “Zoti ynë është Ai që i dha formë çdo gjëje (që e krijoi çdo gjë)” (Taha: 50) “Cilat fjalë pas atyre të Allahut dhe cilat argumente pas argumenteve të Tij po besoni?” (Xhathijeh: 6)
“A ka dyshim në Allahun?!” Ai është aq i njohur saqë s`mund të mohohet dhe aq Madhështor sa nuk ka si të mos pranohet. “Asgjë s’mund të jetë e saktë në mendje, nëse dita ka nevojë për argumentim.”
Pra ekzistenca e Tij, e Zotit të Madhëruar e të Dëlirë nga çdo mangësi, Zotërimi i Tij, Fuqia e Tij, janë më të dukshme se çdo gjë tjetër në mënyrë absolute. Ai është më i qartë për mendjet se sa dielli për sytë. Ai është më i qartë për logjikën se sa çdo gjë që ato logjikojnë dhe pranojnë ekzistencën e saj. Atë nuk e mohon me gjuhën e tij veçse një kryeneç, ndërsa zemra e tij, mendja e tij dhe natyrshmëria e tij, të gjitha ato e përgënjeshtrojnë atë vet. “A ka dyshim në Allahun?”
Dyshim ka në ato gjëra që argumentet e tyre janë të fshehura dhe janë të vështira për t’u provuar, ndërsa Ai që në çdo gjë të prekshme, apo të logjikshme ka një argument, madje shumë argumente, që dëshmojnë se Ai është i Vetmi i Cili meriton adhurimin, Zoti i botëve, si mund të ketë dyshim në Të?!
Nuk ka në mesin e dijeve të cilat njerëzit i njohin, diçka më të shumtë, më të argumentuar dhe më të qartë se sa ajo që tregon për ekzistencën e Allahut, për njëshmërinë e Tij në Zotërim dhe për njëshmërinë e Tij në adhurim. I Lartmadhëruar dhe i Dëlirësuar është Ai nga çdo mangësi. Çdo gjë të cilën e shikon me sytë e tu, e dëgjon me veshët e tu, apo e kupton me zemrën tënde dhe çdo gjë që e percepton me shqisat e tua, tregon për Allahun e Lartmadhëruar.
Pra rrugët e dijes që të çojnë te Krijuesi i Lartësuar janë të pamohueshme, nuk ka në ato aspak dyshim. Për këtë arsye të Dërguarit u thanë popujve të tyre: “A ka dyshim në Allahun?!” Ju drejtuan atyre ashtu siç i drejtohesh dikujt që nuk duhet t’i shkojë aspak në mendje dyshimi për mos-ekzistencën e Allahut të Dëlirë dhe të Lartësuar. Madje as në hyjninë e Tij, në zotërimin e Tij dhe në përsosmërinë e cilësive të Tij.
E megjithëse kjo çështje është nga më të dukshmet e më të qartat, përsëri janë shfaqur disa njerëz që kanë dalë kundër rrymës së përgjithshme, të cilët e kanë mohuar Krijuesin dhe janë bërë sprovë për disa prej muslimanëve fillestarë dhe të rinj dhe po zhvillojnë një luftë të ashpër ndaj tyre, duke u cënuar besimin dhe moralin e tyre. Prandaj, përballja me këtë sprovë dhe këtë “terrorizëm ideologjik” të shëmtuar, është prej përpjekjeve më të mëdha në rrugë të Allahut, sepse kjo zmbraps njëherazi atë që sulmon fenë dhe dynjanë.
Dosje: Ateizmi