Bazat e Sunetit

Botues: Udha e Besimtarëve, 2014

Padyshim, akideja është baza e fesë, sepse pa akide nuk mund të ketë fe që dmth se feja nuk mund të ketë vlerë dhe konsideratë me peshë pa akide të pastër. Nëse akideja nuk është e saktë atëherë edhe feja nuk është e drejtë, pra nuk mund të jetë e drejtë veçse kur të jetë akideja e shëndoshë. Prandaj Allahu i ka urdhëruar robërit e Tij që të pasojnë rrugën e drejtë: sheriatin e Allahut që e përmban Libri i Tij dhe Suneti i Profetit salAllahu alejhi ue selem dhe i përmbahet praktikës së sahabëve pas Profetit salAllahu alejhi ue selem. Allahu e ka cekur këtë me fjalën e Tij ku thotë: “Kjo është rruga ime e drejtë ndaj pasojeni atë dhe mos ndiqni rrugët e tjera që të mos u shmangin nga rruga Ime”(En`am 153), gjithashtu thotë duke lavdëruar pasuesit e rrugës së drejtë, si dhe duke treguar se çfarë shpërblimi meritojnë: “Atyre që thanë: Zoti ynë është Allahu dhe u përqëndruan me vendosmëri, do u zbresin engjëjt(dhe u thonë): Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni dhe përgëzohuni me xhenetet që u premtoheshin. (Thonë): Ne jemi të dashurit dhe mbrojtësit tuaj në jetën e dunjasë dhe në Ahiret. Aty do keni çfarë të dëshironi dhe çdo gjë që u është premtuar.

Mikëpritje dhe nderim nga Mëkatfalësi, Mëshiruesi”(Fusilet 30-32). Allahu duke ia tërhequr vërejtjen robit dhe të dërguarit të Tij, që njëkohësisht është tërheqje e vërejtjes dhe për të gjithë umetin pas tij, thotë: “Ne të dhamë ty sheriatin ndaj pasoje atë dhe mos i paso tekat e atyre që nuk dinë. Ata nuk do të të bëjnë dot dobi asgjë ndaj Allahut. Zullumqarët janë palë e njëri tjetrit, ndërsa Allahu është ueliju (mbrojtësi dhe përkrahësi) i besimtarëve”(Xhathije 18-19).

Ky ajet përmban urdhërin për pasimin e sheriatit dhe ndalimin nga pasimi i diçkaje tjetër veç tij, si dhe largimin nga ata që thërrasin në rrugë tjetër nga ajo e Allahut. Allahu na lajmëroi se ata që kapen pas fesë së Tij, që pasojnë sheriatin e Tij dhe përqëndrohen në të me vendosmëri, këta janë eulijatë e Allahut dhe Allahu ueliju i tyre. Ndërsa ata që e lënë këtë rrugë dhe pasojnë të tjera veç saj, ata janë armiq të Allahut. Gjithashtu ky ajet përmban urdhërin që të kapemi pas librit të Allahut sepse ai është baza e sheriatit, po ashtu të kapemi pas asaj në të cilën ishte Profeti salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij pas vdekjes së tij.

Allahu ka thënë: “Kapu pas asaj që të është shpallur, vërtetë ti je në rrugë të drejtë”(Zuhruf 43). Profeti salAllahu alejhi ue selem në hadithin që flet për përçarjen thotë: “Jehuditë u ndanë në 71 grupe, të krishterët u ndanë në 72 grupe ndërsa ky umet do të ndahet në 73 grupe, nga të cilat të gjitha do jenë në zjarr përveç njërit. Thanë: Cili është ai grup(i shpëtuar) o Rasulallah? Tha: “Janë ata që ecin sipas asaj në të cilën jam unë dhe shokët e mi”.

Pra, shpëtimi i garantuar është për atë që ecën sipas librit të Allahut, Sunetit të Profetit salAllahu alejhi ue selem dhe metodës së selefëve, të cilët e ndoqën këtë rrugë pas Profetit të tyre, kjo është rruga e ehlul ether6. Kur thuhet ehlul ether janë për qëllim as-habul hadith dhe nuk mund të njihet e vërteta nga e kota apo e sakta nga e gabuara veçse nëpërmjet haditheve. Ehlul hadith(pasuesit e haditheve) janë ata që i përmbahen të vërtetës atëherë kur njerëzit e tjerë humbasin, janë ata që kapen pas asaj atëherë kur njerëzit heqin dorë prej saj. Në lidhje me këtë imam Ahmedi ka thënë: Nëse nuk janë ehlul hadithi eulijatë e Allahut, unë nuk e di se kush mund të jetë tjetër.

Dosje:

Loading...