Betimet janë të shpeshta në jetën e njerëzve dhe zënë një vend të rëndësishëm në bisedat dhe komunikimet e tyre. Ata i përdorin ato, kur përcjellin lajme, kur japin premtime dhe
kur kërkojnë ndonjë gjë me ngulm. Nevoja për to shfaqet nga pamundësia e tyre për ta vërtetuar me fakte çdo lajm që përcjellin, nga domosdoshmëria për pasjen e një sigurie
në mbajtjen e premtimit dhe mosshkeljen e tij dhe nga dëshira që kërkesat të merren në konsideratë nga të tjerët.
Njerëzit për të arritur këtë qëllim përmendin emra të ndryshëm prej të shenjtëve dhe të shtrenjtëve të tyre, çfarë e bën këtë çështje të ketë lidhje me Akiden (besimi dhe feja). Pastaj nga ana praktike ka prej njerëzve që i vlerësojnë betimete tyre dhe i ruajnë ato, siç edhe ka të tjerë që i shkelin ato. Disa prej atyre që i vlerësojnë, shpesh herë interesohen nëse mund të lirohesh nga betimi, apo duhet mbajtur me patjetër.
Disa të tjerë prej atyre që tregohen të papërgjegjshëm ndaj betimeve, në momentin kur ndërgjegjësohen interesohen për betimet e rreme dhe betimet e shkelura nëse mund të shlyhet përgjegjësia ndaj tyre apo t’i ndreqin, çfarë e bën këtë çështje të ketë lidhje edhe me Fik’hun (ana juridike e çështjeve në Islam). Të gjitha këto e bëjnë të nevojshme të njihemi me domethënien e betimeve në këndvështrimin islam, gjykimin dhe përgjegjësinë e individit ndaj tyre dhe ku qëndron populli ynë në lidhje me to, duke i analizuar edhe nga ana historike, gjë e cila shpeshherë na qartëson shkaqet e përhapjes së disa zakoneve të njerëzve.