Është e vërtetë se Allahu na ka urdhëruar që ta kujtojmë Atë, madje i ka lavdëruar përkujtuesit e Tij dhe u ka premtuar shpërblim të madh. Ai na urdhëroi që ta kujtojmë pafund dhe veçanërisht kur lirohemi nga adhurimet e detyrueshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur të keni përfunduar faljen (në grup), kujtojeni Allahun teksa jeni në këmbë, ulur dhe mbështetur (në krah apo në ijë).” (En- Nisa,103)
“Kësisoj, kur të keni përfunduar menasik-un (haxhin), kujtojeni Allahun siç kujtoni prindërit tuaj, ose edhe më shumë.” (El- Bekare, 200)
Zoti ka urdhëruar ta përmendim edhe gjatë kryerjes së obligimeve të haxhit. Allahu thotë: “Pastaj, kur të zbrisni nga Arafati, kujtojeni Allahun te Meshar-el-Haram.” (El-Bekare, 198) “…dhe të përmendin emrin e Allahut – në ditët e përcaktuara – mbi ato kafshë e bagëti që Ai i ka sjellë e siguruar për ta.” (El-Haxhxh, 28) “Dhe kujtojeni Allahun gjatë ditëve të përcaktuara.” (El-Bekare, 203)
Zoti e bëri obligim faljen e namazit për ta përkujtuar Atë. Në Kuran lexojmë: “Dhe fale namazin që të më kujtosh Mua.”
Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ditët e teshrikut janë ditë ngrënieje, për të pirë dhe për të përmendur Allahun.”
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, kujtojeni Allahun me përkujtim të madh dhe lartësoni Lavditë e Tij në kohën e parë të agimit dhe pasdite!” (El-Ahzab, 41-42)
Meqenëse dhikri më i mirë është dëshmia La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, siç është transmetuar nga Profeti: “Duaja më e mirë është ajo që bëhet në Arafat. Shprehja më e mirë që kam thënë unë dhe profetët para meje është La ilahe il- lAllahu uahdehu la sherike leh, lehu-l-mulku ue lehu el-hamdu ue huue ala kul’li shejin kadir – “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut. Ai është Një dhe i pashoq. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi dhe Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë!”, dhe kur kjo shprehje madhështore zë këtë pozitë kaq të lartë mes llojeve të dhikrit, për të cilën lidhen vendime, ka kushte, ka domethënie, përmban kërkesa dhe nuk është vetëm një frazë e thatë që shprehet me gjuhë – pra, kur e tillë qenka çështja, zgjodha që ajo të jetë tema e fjalimit tim, duke shpresuar që Allahu të na bëjë ne dhe ju prej pjesëtarëve të saj, ta kuptojmë siç duhet dhe të veprojmë sipas këtij kuptimi, në publik dhe në jetën private.
Në lidhje me këtë dëshmi, do flas brenda këtyre pikave: pozita e dëshmisë La ilahe il-lAllah në jetë, dobitë e saj, shtyllat e saj, kushtet, domethënia, kërkesat, kur sjell dobi shqiptimi i saj dhe kur nuk sjell, si dhe gjurmët e saj.
Dosje: Dëshmia Islame