Muslimanët besojnë në Një Zot të vetëm, i Cili nuk është i ngjashëm me asgjë. Ai nuk ka as bir, as partnere, as ortak dhe askush përveç Tij nuk meriton të adhurohet. Atij i përkasin emrat më të bukur dhe cilësitë më të përkryera. Në Kuran, Zoti e përshkruan veten e Tij duke thënë: “Thuaj: Ai, Allahu, është Një! Allahu është Ai, të Cilit çdo krijesë i drejtohet për çdo nevojë. Ai nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i ngjashëm me të.” (Ihlas: 1–4)
Askush veç Allahut nuk meriton të adhurohet. Ai është i Plotëfuqishmi, Krijuesi, Sovrani dhe Mbajtësi i gjithçkaje. Të gjitha çështjet janë në dorë të Tij. Ai nuk ka nevojë për asgjë e të gjitha krijesat varen nga Ai për çdo gjë. Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi i gjithçkaje.
Ai di gjithçka që ka ndodhur, që do të ndodhë dhe se si do të ndodhë. Asgjë nuk mund të ndodhë pa lejen dhe dijeninë e Tij.
Çfarëdo që Ai dëshiron, bëhet e çfarëdo që Ai nuk e lejon, nuk mund të bëhet kurrë. Vullneti i Tij është mbi vullnetin e çdo krijese. Ai është Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi.
Dosje: Allahu