Falënderimet dhe lëvdatat i takojnë vetëm Allahut! Paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij të fundit.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” [Maide: 3]. Gjithashtu ka thënë: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” [Ali Imran: 19]. Po ashtu ka thënë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” [Ali Imran: 85].
Islam do të thotë: T’i dorëzohesh Allahut me njësim, t’i nënshtrohesh Atij me bindje, të distancohesh nga idhujtaria dhe idhujtarët. Idhujtaria ka qenë besimi i arabëve, përpara se të shfaqej thirrja e Muhamedit (Paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të!). Imam Buhariu transmeton nga Ebu Raxha el-Ataridi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Kemi qenë popull që adhuronim gurët, e nëse gjenim ndonjë gur më të mirë se ai që adhuronim, flaknim të parin dhe adhuronim këtë të dytin. E nëse nuk gjenim gurë për të adhuruar, mblidhnim dhé nga toka, pastaj merrnim një dele dhe e milnim mbi atë dhé, e ne fund bënim tavaf rreth saj si formë adhurimi.
Në përgjithësi, gjendjen e popujve përpara se të shfaqej thirrja e Pejgamberit (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!), na e ka treguar Kurani Famëlartë në shumë nga ajetet e tij. Në disa prej tyre përmendim fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ata adhurojnë në vend të Allahut atë që nuk u bën dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë tek Allahu!”. [Junus: 18].
[…] Ajetet rreth kësaj teme janë të shumta. Gjithashtu, mbi këtë temë tregojnë edhe thëniet e sakta nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!). Librat që flasin për historinë e Pejgamberit (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!), historianët dhe njerëzit e besueshëm tregojnë për gjendjen e popujve para se të dërgohej Pejgamberi (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!), të cilët kishin format e tyre të ndryshme të idhujtarisë; ndër ta kishte që adhuronin idhuj, kishte që adhuronin të vdekurit nëpër varre, e prej tyre kishte që adhuronin diellin dhe hënën, apo planetët, ndërsa një pjesë tjetër adhuronin diçka tjetër. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!) iu bëri thirrje që të adhuronin Allahun, Një të vetëm dhe të largoheshin nga ajo prej së cilës ata dhe baballarët e tyre adhuronin, sepse ishte e kotë; ashtu sikurse na ka treguar Allahu i Lartësuar: “Thuaj (O Muhamed): “O ju njerëz! Unë jam i Dërguari i Allahut tek të gjithë ju. Allahu, që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Profetin e pashkolluar, që beson Allahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.” [Araf: 158].