Ndër temat që kanë shkruar dijetarët në fushën e hadithit të Profetit (SalAllahu alejhi ue selem) është edhe libri “Dyzet hadithet”. Në të vërtetë, libri është një përmbledhje, ku autori përmend dyzet hadithe të Profetit (SalAllahu alejhi ue selem), e kjo, duke u bazuar në një hadith që është transmetuar për vlerën e të mësuarit përmendësh të dyzet haditheve nga Profeti.
Në parathënien e librit të tij “Dyzet hadithet”, shkrimtari përmend nëntë prej shokëve të Profetit, të cilët e përcillnin këtë hadith. Pasi rradhit emrat e tyre, citon: “Dijetarët e hadithit janë të një mendimi se ai është hadith i dobët, edhe pse rrugët e tij të transmetimit janë të shumta.”
Ai na rikujtoi se në shkrimin e librit të dyzet haditheve nuk ishte mbështetur mbi këtë hadith, por mbi disa hadithe të tjera, siç është hadithi i Profetit (SalAllahu alejhi ue selem): “Ai që është prezent, le t’ia përcjellë (fjalët e mia) atij që mungon”, apo fjala e Profetit që thotë: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij njeriu që dëgjon një prej thënieve të mia dhe e kupton atë.” Më pas, ai përmend trembëdhjetë prej dijetarëve që kanë shkruar dyzet hadithe, ku nga të parët ishte Abdullah bin Mubarek dhe i fundit Ebu Bekr el Bejhaki. Pas përmendjes së tyre ai thotë: “E shumë të tjerë, të cilët nuk mund të numërohen prej të parëve dhe të gjithëve që erdhën më pas.”
Neveviu, më pas vijon: “Disa dijetarë kanë mbledhur dyzet hadithe që flasin për bazat e fesë e disa të tjerë për çështje të dorës së dytë. Disa kanë mbledhur rreth Xhihadit, Zuhdit, moralit, e disa rreth hytbeve, por që të gjitha përmbajnë qëllime shumë të mira. Allahu qoftë i kënaqur me ata që kanë pasur këto qëllime! Ndërsa unë mendova të mbledh dyzet hadithet më të rëndësishme nga të gjitha çështjet që u përmendën sepse ato janë dyzet hadithe që i përmbledhin të gjitha çështjet e mësipërme. Çdo hadith përmban një rregull të madh të kësaj feje, e disa dijetarë kanë vlerësuar se Islami sillet rreth këtyre haditheve, apo se janë gjysma, apo një e treta e Islamit etj. U kujdesa që këto dyzet hadithe të ishin të sakta dhe numri më i madh i tyre gjendet në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit. Ato i kam përmendur pa zinxhire transmetuesish, me qëllim që të lehtësohet mësimi i tyre përmendësh dhe dobia të jetë më e madhe në dashtë Allahu! Kushdo që e kërkon ahiretin duhet t’i mësojë këto hadithe dhe çështje të domosdoshme, po ashtu edhe disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me adhurimet e që janë të dukshme për cilindo që mediton rreth tyre.”
Hadithet që mblodhi Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) janë dyzet e dy hadithe, por ai i quajti dyzet, për të përmendur numrin më të madh dhe në formë përmbledhese. Ky libër, bashkë me “Rijadu es Salihin” ka hasur një pranim të pazakontë tek njerëzit. Këto hadithe patën nje popullaritet të madh dhe njerëzit tregonin kujdes të madh për to. Mund të them se libri i parë që të vjen nëpër mend e që i udhëzon fillestarët në kërkimin e hadithit, janë këto dyzet hadithe të Neueuiut (Allahu e mëshiroftë!). Këtyre haditheve Ibn Rexheb el Hanbeli (Allahu e mëshiroftë!), u shtoi edhe tetë hadithe, të cilat konsiderohen prej fjalëve përmbledhëse të Profetit (SalAllahu alejhi ue selem). Në këtë mënyrë, plotësoi numrin pesëdhjetë të haditheve. Ato i komentoi në një libër që e titulloi: “Xhamiul ulumi uel hikem fi sherhi hamsine hadithen min xheuamiul kelim”.
Komentet rreth këtij libri janë shtuar shumë. Ndër to ka me komente të shkurtra, por edhe të zgjeruara. Mund të them se komenti më i zgjeruar është ai i Ibn Rexhebit (Allahu e mëshiroftë!). Gjithashtu, komentet e këtyre haditheve dhe shtojcës së Ibn Rexhebit mendova t’i përmbledh në një komentim që i afrohet komentit të shkurtër, ku përmend hadithin në fraza e në mbyllje, si dhe moralin që nxjerrim nga hadithi. Në komentin tim të hadithit jam bazuar në komentet e Neveviut, Ibn Dekik el Ijdit, Ibn Rexhebit, Ibn Uthejminit, librit Fet’hul Barit me autor Ibn Haxher el Askalanin. Atë e titullova: “Fet’hul kauijil metin fi sherhi el erbain ue tetimetul hamsin li Neueui ue Ibn Rexheb, rahimehumallah. (Allahu i mëshiroftë!)
Metin është emër i Allahut, të cilin e përmend Allahu në Kuran kështu: “Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” [Dharijat, 58] Që do të thotë I Fuqishmi, ashtu siç është komentuar në librat e tefsirit. Me këtë rast, unë i këshilloj nxënësit e dijes që t’i mësojnë përmendësh këto pesëdhjetë hadithe që vlerësohen si fjalë përmbledhëse e Profetit, (SalAllahu alejhi ue selem) I lutem Allahut të Madhëruar që ky koment të jetë i dobishëm, ashtu siç janë të dobishëm hadithet e tij. Vërtet Allahu i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet atyre! Dhe në fund: Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, familjen dhe gjithë shokët e tij!
Dosje: 40 Hadithet