Kjo temë është e rëndësisë së veçantë. Në të janë zhytur njerëzit në të kaluarën dhe në ditët e sotme. Ajo është delikate dhe e rrezikshme, madje çon në grindje mes njerëzve dhe në përçarjen e umetit. Kjo temë është “Gjykimi me kufër, bidat dhe fisk1 pa dije dhe mprehtësi”
Për shkak të rrezikshmërisë së saj dijetarët janë preokupuar shumë me të, shkruan libra për të sqaruar se cilat janë të kundërtat e Islamit dhe shpjeguan gjykimin ndaj atij që bie në gjynahe të mëdha, të cilat nuk janë në gradën e të kundërtave të Islamit. Dijetarët e bënë këtë për të ruajtur umetin nga rrezikshmëritë dhe për të sqaruar të vërtetën nga e kota në këtë fushë. Për të mos folur në të dikush që nuk kupton, apo të përfshihet në të dikush që nuk i njeh rregullat dhe bazat e saj. Por edhe për të mos i lehtësuar këto çështje dikush që nuk ka aspak xhelozi për fenë e Allahut, duke përzier me këtë fe besimet e kota dhe rrugët e humbura, e në këtë mënyrë bashkohet e vërteta me të kotën, llogaritet prej umetit dikush që nuk është prej tij dhe hyjnë në fenë e Allahut gjëra që nuk janë prej saj.
Në këtë fushë nuk lejohet të flasë dikush që nuk ka dije, njohuri, mprehtësi e pjekuri. Nuk gjykohet ndaj ndokujt me kufër veçse ndaj atyre që ka gjykuar për ta Allahu dhe i Dërguari i Tij, për shkak se mund të ketë rënë në ndonjërën prej të kundërtave të Islamit për të cilat ka ixhma ndërmjet dijetarëve.
Prandaj është detyrë për muslimanin që të mësojë para se të flasë, e të mos flasë veçse me dije, sepse përndryshe, nëse gjykon ndaj një muslimani me kufër, atëherë ka bërë dy krime të mëdha, njëri më i madh se tjetri: I pari : Ka folur ndaj Allahut pa dije; Allahu i Madhëruar ka thënë : “E kush është më zullumqar se ai që trillon ndaj Allahut gënjeshtra?!”2. Dhe ka thënë : “Thuaj : S’ka dyshim se Zoti im i ka ndaluar të këqiat qofshin ato të dukshme apo të fshehta, e po ashtu ka ndaluar gjynahun, padrejtësinë, t’i bëni ortak Allahut diçka për të cilën nuk ka zbritur argument dhe të thoni ndaj Allahut atë që nuk e dini”.
Pra e ka konsideruar fjalën ndaj Allahut pa dije më të keqe se shirkun, sepse e ka përmendur pas shirkut. Allahu i Madhëruar ka thënë : “E mos thuaj atë gjë për të cilën nuk ke dije sepse dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto do të jepet llogari”4. Prandaj është detyrë për njeriun që të mësojë para se të flasë, sepse dija duhet para fjalës dhe veprës. Allahu i Madhëruar thotë : “Dije se nuk meriton të adhurohet veçse Allahu dhe kërko falje për gjynahet e tua dhe për besimtarët e besimtaret”.
Pra tregon se dija duhet para fjalës dhe punës. Fjala që nuk është ndërtuar mbi dije, sidomos në çështjet e fesë, e veçanërisht në akide, është fjalë e kotë, madje shpifje e trillim ndaj Allahut të Lartësuar. Ky ishte krimi i parë; pra të folurit ndaj Allahut pa pasur dije!
I dyti : Me këtë veprim ka bërë një krim ndaj këtij muslimani ndaj të cilit ka gjykuar se është qafir dhe e ka nxjerrë prej Islamit. Mbi këtë gjykim renditen një sërë çështjesh, prej tyre është se gruaja e tij duhet të ndahet prej tij e të mos qëndrojë me të, ai nuk trashëgon dhe as trashëgohet. Nëse vdes, as nuk lahet, as nuk qefinoset, as nuk i falet namazi, as nuk bëhet dua për të e as nuk varroset në varrezat e muslimanëve. Ai që ka gjykuar për të se është qafir ka përgjegjësi për të gjitha këto, sepse janë pasoja të fjalës së tij. Prandaj duhet të mësojë njeriu se cilat janë veprimet, rezultat i të cilave është mohimi dhe dezertimi nga Islami. Duhet të mësojë e të mos flasë me injorancë. Të mos mendojë se kushdo që e kundërshton në mendimet e tij quhet qafir, sepse nuk del nga Islami veçse ai për të cilin ka gjykuar Libri i Allahut, Suneti i Profetit salAllahu alejhi ue selem dhe ixhmai i muslimanëve.
Por, dija për këto çështje nga merret?! A merret prej leximit dhe prej mësimit përmendësh të teksteve?! Jo, dija nuk merret veçse nga dijetarët, nga dijetarët edukatorë të thelluar në dije, jo nga leximi i librave, as nga mësimi përmendësh i teksteve, edhe nëse tekstet e mësuara përmendësh mund të jenë të shumta, sepse jo çdokush që mëson përmendësh qoftë Kuranin ashtu edhe hadithe të shumta, bëhet dijetar! I tilli nuk është dijetar. Dijetar është fakihu dhe dija është të kuptosh drejt fenë e Allahut të Madhëruar. Kjo nuk arrihet veçse duke e marrë dijen prej fukahave dhe dijetarëve të cilët i shpjegojnë këtij personi kuptimin e drejtë të teksteve të cilat i ka mësuar përmendësh, sepse përndryshe ai mund të kuptojë gjëra që nuk kanë lidhje me Librin e Allahut apo Sunetin e të Dërguarit të Tij salAllahu alejhi ue selem, e nëse do të përballej me kuptimin e dijetarëve do të shikonte se kuptimi i tij ishte i shtrembër dhe se ka gabuar në imazhin e tij. Ai duhet të kthehej tek dijetarët e të merrte dijen e dobishme prej tyre, në mënyrë që të ishte i qartë dhe i sigurtë në gjërat që thotë, që punon dhe që gjykon me to.