Xhumaja: Festa e Myslimanëve

Sa më shumë rëndësi të kenë disa çështje në fenë e njeriut dhe sa më e madhe të jetë nevoja e tij për to, aq më shumë bëhet e nevojshme për t’i trajtuar ato në studime të veçanta të përmbledhura dhe përfshirëse për tematikat e tyre, në mënyrë që atyre t’u kushtohet rëndësia e duhur dhe njohuritë rreth tyre të jenë të plota. Kështu është vepruar me kuptimin e Shehadetit “La ilahe il-lall-llah Muhammedun resulull-llah” dhe kushtet e tij; me namazin dhe formën e faljes së tij; me mirësitë e agjërimit, zekatit dhe haxhit dhe dispozitat e tyre; me sinqeritetin dhe rëndësinë e tij; me mohimin, hipokrizinë dhe rrezikun e tyre, etj.

Një prej këtyre çështjeve të rëndësishme për besimtarët myslimanë dhe e nevojshme për të pasur njohuri të plota rreth saj është edhe xhumaja – festa e tyre javore.

Rëndësia e xhumasë shfaqet në tre këndvështrime kryesore:

1- Xhumaja është shenjë dalluese e fesë islame dhe si e tillë ajo shpreh identitetin e myslimanit dhe kërkohet prej tij ta respektojë atë. Allahu i madhëruar, për respektimin e këtyre shenjave thotë në Kuran: “Po. Kush i madhëron shenjat e fesë së Allahut, ajo është prej devotshmërisë së zemrave” suretu El-Haxh: 32.

2- Xhumaja ka veçori, mirësi, rregulla, etj, të cilat përmbajnë shpërblime dhe begati të mëdha për besimtarin, që nuk duhet t’i kalojnë pa i shfrytëzuar. Profeti -alejhi selam- thotë: “Zoti juaj ka vënë aroma mirësie në kohën tuaj, prandaj shfaquni para tyre se ndoshta ju prek ndonjëra nga ato, e të mos brengoseni kurrë pas tyre”. E transmeton Taberaniu dhe e saktëson sheikh Albani.

3- Xhumaja është festë javore që përsëritet shpesh gjatë muajit dhe vitit dhe sa më i shpeshtë të jetë kontakti i besimtarit me të, aq më e nevojshme është që ai të mësojë rreth saj.

Kështu, dita e xhuma është dita më e madhe e javës për myslimanët dhe angazhimet e tyre fetare përgjatë saj do të jenë gjithmonë më shumë se në çdo ditë tjetër, prandaj le të njihemi gjerësisht me të, sepse një pjesë e identitetit të tyre fetar dhe e begatisë në punët e tyre lidhet me të!

Shkarko Libirn në PDF

Dosje: ,

Loading...