Kujdesi i dijetarëve ndaj librave dhe etja e tyre e madhe për leximin dhe grumbullimin e tyre

Dijetarët janë treguar të habitshëm në këtë aspekt, në rëndësinë e madhe që u jepnin librave të dijes, ndikimit të madh dhe pozitën e lartë që ata gëzonin në jetën e tyre. Dhe për këtë ata kanë sjellë fjalë të njohura, në poezi e në prozë, shumë prej të cilave i gjejmë tek libri “El hajeuan” të Xhahidhit dhe në brendësi të librave të tjerë të tij. Po ashtu edhe tek “Tekjiidul ilm” dhe “El Xhamiu” të Khatibit, tek “Xhamiu bejanil ilm ue fadlih” të Ibn Abdulberrit, në brendësi të librave që flasin për edukatën e nxënësit, te librat e biografive dhe në parathëniet e librave që flasin për treguesit e librave. Prandaj ne nuk po përsërisim atë që kanë thënë, sepse atje i gjen me shumicë. Megjithatë unë nuk doja ta lija fare të pacekur këtë temë, prandaj po sjell disa shkëndija drite nga shembujt e habitshëm që ata kanë sjellë, (sidomos kur ky libër është vendi që mendohet se përmend të tillë), prandaj zgjodha disa fjalë që mendoj se janë nga gjërat më të bukura që janë thënë:

Ka thënë “El Xhahidh” (v.255) në “El Hajeuan”[1]: “Atij që nuk i duken më të dashura paratë që shpenzon për të blerë libra se sa ato që shpenzojnë njerëzit e dhënë mbas robëreshave, apo se paratë që shpenzojnë njerëzit e çmendur pas ndërtesave, nuk do të arrijë gradë të lartë në dituri. Madje ai nuk do t’ia shikojë hajrin shpenzimit të tij për librat derisa tua japë përparësi atyre ashtu siç i jep përparësi beduini (banori i shkretëtirës) kalit të tij, i cili e ushqen atë (mëzin) me qumësht  përpara familjes së vet, dhe derisa të shpresojë  prej diturisë së vet, ashtu siç shpreson beduini për mëzin”[2]

Imami Muhammed ibn Hazm (v. 456) ka përmendur në librin e tij “Risaletu meratibil ulum”[3] themelet e diturisë. Prej tyre ka përmendur: “Shtimi i librave, sepse nuk ka libër pa dobi[4], apo dituri shtesë që do ta gjejë tek ai kur t’i duhet. Sepse njeriu nuk mundet ta memorizojë të gjithë diturinë ku është specializuar, e meqë kjo është e pamundur, librat janë thesari më i çmuar për njeriun kur të ketë nevojë për ta. Dhe sikur të mos ishin librat do të humbisnin dituritë e nuk do të gjendeshin dot. Prandaj ai që e qorton grumbullimin e librave është gabim. E sikur të merrej mendimi i tij, do të zhdukeshin njohuritë dhe do të shfaqeshin injorantët e do të pretendonin çfarë të dëshironin!![5] Sikur të mos ishin dëshmitarë librat do të barazoheshin pretendimet e dijetarit dhe të injorantit”

Njëri prej dijetarëve u qortua për grumbullimin e madh të librave dhe tha këto fjalë në vargje:

“Njëra më tha: shpenzove çfarë kishe prej pasurisë
për librat e tu, e una ia ktheva: Më ler!
Sepse ndoshta në mesin e tyre do të gjej
librin që do të më orientojë
si ta marr librin tim i sigurtë me të djathtën.”
 

Dhe në faqet në vijim do të gjesh lajme dhe tregime të mrekullueshme që tregojnë për vlerën e madhe që kishin dhe kanë librat në jetën e dijetarëve, dhe ato nuk kanë nevojë për asnjë koment.

 

  • Dashuria e flaktë e Ibn Durejdit (v.321) për dijen dhe librat

Ebu Nasr el Mikalij[6] thotë: “Një ditë me shokët po përmendim vendet e bukura që duhen vizituar dhe në mesin tonë ishte edhe Ibn Durejdi. Dikush tha: Vendi më i bukur është Ghutah në Damask. Disa të tjerë thanë: Përkundrazi vendi më i bukur është lumi Ubul-leh. Disa thanë: Sughdi në Samarkandë. Disa thanë: Nehreuani në Baghdad. Dikush tha: Luginat e Beuuanit. Dikush tjetër tha: Nubuhari në Belkh.

Ibn Durejdi tha: Këto janë bukuri të natyrës që kënaqin sytë, po ku jeni ju prej bukurive që kënaqin zemrat? – Thamë: Cilat janë ato o Ebu Bekr? – tha: “Ujunul akhbar”i Kutbiut, “Ez zehratu” i Ibn Daudit dhe “Kalekul mushtak” i Ibn Ebi Tahirit. Pastaj recitoi:

Kush ka për argëtim robëreshën
apo gotën që mbushet dhe zbrazet
argëtimi ynë dhe rehatia jonë
është takimi me “Ujun”-ët dhe studimi i librave.”

  • Pasioni i madh i Ibn Tejmijes (v.728) për shfletim dhe dëshira e flaktë për hulumtim

Hafidh Ibn Abdulhadi (v. 744) – nxënësi i tij – në “Mukhtesar tabekatu ulemail hadith”[7] thotë pasi përmend disa cilësi të tijat: “Shpirti i tij nuk kishte të ngopur prej diturisë, apo prej shfletimit të librave, nuk bezdisej prej qëndrimit të gjatë mbi to, nuk lodhej prej hulumtimit të shumtë. Rrallë ndodhte që të futej në një fushë të diturisë, në ndonjë temë të caktuar, e të mos i hapeshin në të dyer të shumta të njohurive, e të mos shtonte apo korrigjonte në të specialistët e asaj fushe!”

 Shejkh Muhammed Khalil el Herras[8] thotë: “Ibn Tejmija kishte mendjemprehtësi, karakter shumë kurioz që nuk ngopej prej diturisë, nuk lodhej prej hulumtimit e as prej shfletimit, i cili gjendej tek ai me shumicë, ishte shumë i dhënë pas tij e kishte ambicie të larta në atë fushë. Aq sa nuk u shkëput prej hulumtimit dhe shkrimit gjatë gjithë jetës së tij në Sham, apo në Egjipt, apo në burg, apo në shtëpi. Madje ai ndjeu dhimbje të madhe në shpirt, e u pikëllua shumë kur ia morrën librat dhe fletët që mbante për të shkruar, në ditët e tij të fundit…”

Imam Ibnul Kajjimi në “Kopshti i të dashuruarve”[9] thotë: “Më ka treguar shejkhu ynë – dmth Ibn Tejmija – i cili më tha: ‘Më filloi një sëmundje dhe mjeku më tha: Hulumtimi shkencor që ti bën dhe mësimdhënia, ta shtojnë sëmundjen. – i thashë: Nuk duroj dot nga kjo. E megjithatë unë do të diskutoj pak me ty mbi njohuritë e tua. Kur shpirti është i lumtur dhe gjendja ime emocionale është e mirë, a nuk e largojnë këto sëmundjen? – tha: Patjetër që po. – Atëherë i thashë: Shpirti im lumturohet me diturinë, me të ngrihet morali im dhe aty ndjej rehati. – Atëherë më tha: Kjo është jashtë fushës së kurimit që ne bëjmë…”

Po ashtu Ibnul Kajjimi thotë: “Unë njoh dikë që u sëmur nga ethet dhe libri ishte te koka e tij. Sa herë që vinte në vete lexonte në të, kur rëndohej e hiqte nga dora. Një ditë i shkoi doktori për ta vizituar duke qenë në atë gjendje dhe i tha: Kjo nuk të lejohet sepse kështu e dëmton veten dhe bëhet shkak për largimin e asaj që kërkon”

  • Ibnul Xheuzi (v. 597) lexon 20 mijë vëllime

Ibnul Xheuzij tregon për veten e vet në “Gjuetinë e mendimeve”, për leximin e shumtë të librave dhe thotë: “Unë po tregoj për veten time: nuk ngopem prej shfletimit të librave. Kur shikoj një libër që nuk e kam parë ndonjëherë, sikur më ka rënë në dorë një thesar! Kur lexoja në librarinë e vakëfit në shkollën “En Nidhamijeh”atje kishte afërsisht 6 mijë vëllime, përfshirë librat e Ebu Hanifes, librat e Humejdit, librat e shejkhut tonë Abduluehhab ibn Nasir, librat e Ebu Muhammed ibnul Khash-shanit – dhe ata ishin të shumtë – dhe libra të tjerë, çdo libër që më binte në dorë.

Sikur të thosha se kam shfletuar 20 mijë vëllime, ato janë më shumë, dhe unë akoma vazhdoj të kërkoj diturinë!”

Pastaj përmendi se çfarë ka përfituar prej shfletimit. Prej porosive të tij drejtuar kërkuesit të dijes është edhe kjo: “Le të kesh një vend në shtëpinë tënde ku të veçohesh, të bisedosh me rreshtat e librave të tu dhe të lundrosh në ujërat e mendimeve të tua”  

 

  • Kujdesi i Ibn Akilit ndaj kohës dhe angazhimi i tij me lexim dhe dituri

Ibn Rexheb el Hanbelij përmend në “Edh dhejl ala tabekatil hanabileh”[10] tek jetëshkrimi i Ibn Akil el Hanbeli (v. 513) fjalën që Ibnul Xheuzij ka thënë për të:
“Ishte gjithmonë i angazhuar me diturinë. Një herë lexova me shkrimin e tij ku thoshte: ‘Mua nuk më lejohet të humbas asnjë çast nga jeta ime! Edhe kur gjuha ime pushon prej përsëritjes së njohurive, apo diskutimit shkencor, apo kur syri im pushon prej leximit, unë vë në punë mendimin tim kur jam duke pushuar dhe, nuk ngrihem veçse më ka ardhur në mendje diçka që duhet shkruar. Dhe unë gjej në vetvete dëshirë dhe pasion për dituri edhe pse jam në të tetëdhjetat, më shumë seç ndjeja kur isha në të njëzetat!!!’”

Ibn Rexhebi gjithashtu citon prej librit të Ibn Akilit “El funun” ku thotë për veten e vet: “Unë e shkurtoj sa të mundem kohën e ngrënies së ushqimit, derisa preferoj të ha biskota të cilat i zbus në ujë sesa bukë, sepse kështu i kursej vetes kohën e përtypjes, që të kem kohë më shumë për të lexuar, apo shënuar diçka të dobishme që has gjatë leximit”

Imam El Makrizij tregon në “El Mukaffa el kebir” për dijetarin e madh Ibn Sadekatel Hameuij (v. 599) se ai angazhohej shumë me diturinë, gjithmonë merrej me shtimin e saj. Tregon Hafidh el Mundhirij duke thënë: “Një ditë hyra tek ai, ishte futur në një tunel nën tokë nga i nxehti i madh dhe punonte (shkruante ose lexonte). I thashë: Në këtë vend punon!? Në këto kushte?! – ma ktheu: Nëse nuk merrem me dituri, me çfarë do të merrem?

Thotë Mudhirij: “Në pasurinë që la pas vdekjes ishin tri enë të mëdha me bojë shkrimi, njëra ishte 19 okë[11], e dyta 9, e treta 8.

  • Librat e tij ishin më të dashur për të se sa pesha e tyre flori!

Ibnul Xheuzi thotë në “El Muntedham”[12] kur flet për jetën e Hafidh Ebu Tahir ibn Ebi es Sakr (v. 476): “Ai udhëtonte shumë nëpër tokë dhe takonte shumë dijetarë, dhe thoshte: ‘Librat e mi janë më të dashur për mua se sa pesha e tyre flori’.
U godit me një fatkeqësi në bibliotekën e tij siç përmend Dhehebiu në “Tarikhul Islam”[13], Allahu e shpërbleftë në fatkeqësinë që i ka rënë.

Përktheu Emin Bilali

[1] 55/1.

[2] Sh.p.: Tregon kujdes të jashtëzakonshëm për të, e ushqen, e mirëmban, duke pritur me padurim që të rritet e të bëhet i fuqishëm, e i shpejtë, i gatshëm për të garuar me të tjerët, apo për tu bërë i dobishëm për të zotin. Ndoshta shembull më i afërt për kohën tonë mund të jetë njeriu i dhënë mbas makinave të shtrenjta, luksose e të shpejta. Të njëjtën pozitë kanë pasur kuajt dikur. Dhe akoma e kanë në disa vende dhe për disa njerëz.

 

[3] Në veprën “Resailubnu Hazm” 77/4.

[4] Këtë rregull: “Nuk ka libër pa dobi” e ka përmendur edhe Ibnul Xheuzij në “Sajdul khatir” fq. 411 kur këshillon studentin me këto fjalë: “Dhe le të tregohet i zellshëm në uljen me dijetarët… dhe grumbullimin e librave, sepse nuk ka libër pa dobi”. Shiko gjithashtu shtjellimin që i bën kësaj teme Abbas el Akkad në librin e tij “Ena” (Unë) në faqen 89, i cili është autobiografi  dhe është botuar pas vdekjes së tij. Po ashtu e ka përmendur dhe e ka shtjelluar atë edhe Profesor Mahmud et Tanaahij në “El Muxhez” fq 24-35 i cli është i rëndësishëm. (sh.p.: Ky i fundit ka qenë nxënës i dijetarit të madh Mahmud Muhammed Shakir gjuhëtarit të rrallë, vëllai i Imam Ahmed Shakirit dijetarit të madh të Hadithit dhe fesë Islame në tërësi).

[5] Sh.p.: Me ekzistencën e librave dhe të dijetarëve ata janë shfaqur, e shpesh nuk mund t’i ndalësh, sidomos në kohën e internetit, çmund të thuash po të mos ekzistonin këto dy mirësi (librat dhe dijetarët)?! Falënderimi pafund i takon Allahut për ato të dyja!

[6] “Irshadul erib”: 139/18 e Jakutit.

[7] 282/4. Shiko gjithashtu “El ukud ed durrijjeh” (fq. 5) po të tijin, ku ai e ka sjellë këtë fjalë edhe më të plotë, si fjalë që e thoshin disa prej studentëve më të vjetër të Shejkhul Islamit. (Allahu i mëshiroftë).

[8] “Ibn Tejmijjetu es selefijj” fq. 27. Dhe shiko gjithashtu librin tonë: “El xhamiu li sirati shejkhil islam” (Enciklopedia e jetës së shejkhul islamit” fq. 189.

[9] Fq.70

[10] 145-146/1

[11] Sh.p.: Okë është njësi që mat peshën dhe ndryshon nga vendi në vend. Duke marrë parasysh se Mundhiri – Allahu e mëshiroftë – ka jetuar në Egjipt, atëherë ai flet me okët e vendit të tij, ku 1 okë është i barabartë me 450 gr afërsisht.

[12] 9/9

[13] Ata që kanë vdekur në vitin 476, fq. 176.