-1-Dita e xhuma është dita më e mirë
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë është krijuar Ademi alejhi selam, këtë ditë u fut në xhenet dhe në këtë ditë u nxor prej tij. Nuk do të bëhet Kiameti veçse në ditën e xhuma.”[1]
-2-Dërgimi i salavateve për Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem
Transmetohet nga Safuan bin Selim radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të jetë ditë e xhuma dhe natë e xhuma i shtoni salavatet për mua.”[2]
-3-Larja/Gusuli
Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhuma se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të vini për të falur namazin e xhumasë, lahuni.”[3]
-4-Përdorimi i misvakut
Transmetohet nga Ebu Seidi radijAllahu anhu se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Larja në ditën e xhuma është obligim mbi çdo të rritur. Po kështu edhe përdorimi i misvakut...”[4]
-5-Parfumosja
Transmetohet nga Ebu Ejubi radijAllahu anhuse ai ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Kush lahet në ditën e xhuma, vendos parfum nëse i gjendet…” E transmeton Ahmedi.
Dhe hadithi i mësipërm: “…dhe hedhja parfum, sipas mundësisë.”[5]
-6-Shkuarja në xhuma
Hafsa radijAllahu anha transmeton se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shkuarja në namazin e xhumasë është detyrë për çdokënd që e ka mbushur (arritur) moshën e pubertitetit.”[6]
-7-Për kë nuk është detyrë
Tarik bin Shihab radijAllahu anhu transmeton se: I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “…përveç katër personave: skllavit të robëruar, gruas, fëmijës apo të sëmurit.”[7]
-8-Mosngritja e tjetrit nga vendi
Xhabiri radijAllahu anhu thotë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Askush të mos e ngrejë tjetrin nga vendi në ditën e xhuma, pastaj të ulet në vendin e tij, por të thotë që t’i hapin vend.”[8]
-9-Falja e dy rekateve (tehijetul-mesxhid) në kohën kur futesh në xhami
Transmetohet nga Ebu Seidi radijAllahu anhu se: “Një burrë hyri në xhami në ditën e xhuma, ndërkohë që i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte mbi minber duke mbajtur hutben, dhe e urdhëroi atë që të falte dy rekate.”[9]
-10-Falja e namazit vullnetar në xhami derisa të dal imami
Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhuma se: “Ai e zgjaste namazin vullnetar para të xhumasë, kurse pas saj falte dy rekate dhe thoshte: Kështu vepronte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”[10]
-11-Qëndrimi pranë imamit
Transmetohet nga Semura radijAllahu anhu se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të jeni prezent gjatë hutbes dhe afrohuni nga imami, sepse njeriu që largohet nga imami, do të vazhdojë të largohet deri sa të vonohet nga xheneti, edhe nëse do të hyjë në të.”[11]
-12-Mosfolja gjatë hutbes.
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse i thua atij që ke pranë (shokut) “Hesht!” ditën e xhuma, në kohën kur imami mban hutben, veçse ke gabuar.”[12]
-13-Koha në të cilën pranohet lutja ditën e xhuma
Transmetohet nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra radijAllahu anhuma se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lemka thënë: “Me të vërtetë, në ditën e xhuma është një orë në të cilën nuk ka rob musliman që i lutet Allahut për diçka të mirë, veçse Allahu ia jep atë. Ajo orë është pas namazit të ikindisë.”[13]
Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shumica e haditheve që flasin për orën në të cilën shpresohet pranimi i lutjes thonë se ajo orë është pas namazit të ikindisë. Por, shpresohet gjithashtu të jetë pas kalimit të diellit kupën e qiellit.”
-14-Falja e dy ose katër rekateve pas namazit të xhumasë
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush nga ju e fal xhumanë, le të falë pas saj katër rekate.”[14]
Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhu se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte dy rekate në shtëpinë e tij pas namazit të xhumasë.”[15]
Përgatiti: Unejs Sheme
[1] Muslimi dhe Tirmidhiu.
[2] Hadith i mirë (hasen). Sahihul Xhami 776 (370).
[3] Hadith autentik
[4] Muttefekun alejhi.
[5] Muttefekun alejhi.
[6] Hadith autentik. Nesaiu (1371) dhe “Sahihul Xhami” (3521).
[7] Hadith autentik. Ebu Daudi (1067) dhe “Sahihul Xhami” (3111).
[8] Ahmedi dhe Muslimi.
[9] Hadith i mirë (hasen). Nesaiu (2536).
[10] Hadith autentik. Ebu Daudi (1128).
[11] Hadith i mirë (hasen). “Es Sahihah” (365).
[12] Hadith autentik.
[13] Hadith autentik. E ka saktësuar shejh Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë!).
[14] Muslimi
[15] Buhariu, Muslimi etj.
Dosje: Xhumaja
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve