Shpjegim i hadithit: “Gratë janë të mangëta në logjikë dhe në fe”

January 9, 2014

Pyetje: Gjithmonë e dëgjojmë hadithin: “Gratë janë të mangëta në logjikë dhe në fe”, i cili i shtyn disa burra të argumentohen me këtë hadith për tu sjellë keq me gruan. Shpresojmë prej shkëlqesisë suaj të na i sqaroni domethënien e këtij hadithi.

Imam Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, u përgjigj:

Domethënia e hadithit të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Nuk kam parë më të mangëta në logjikë dhe në fe, më çoroditëse të mendjes së burrit të vendosur e të patundur, sesa ju! Iu tha:  O i Dërguar i Allahut, cila është mangësia e logjikës dhe e fesë tonë? Ai tha: A nuk ndodh që kur gruaja është me të përmuajshmet nuk falet dhe as nuk agjëron?”

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka sqaruar se mangësia në mendjen e gruas është për shkak të dobësisë në mbajtjen përmendësh. Prandaj dëshmia e saj duhet të forcohet me dëshminë e një gruaje tjetër që të merret në konsideratë, sepse ajo mund të harrojë dhe mund të shtojë apo pakësojë diçka nga dëshmia, siç thotë Allahu: “Thirrni dy dëshmitarë prej burrave tuaj, e nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra nga ata që i quani të përshtatshëm, në mënyrë që nëse njëra harron, t’ia kujtojë tjetra.” | El Bekare: 282.

Ndërsa mangësia në fenë e saj është për shkak se në gjendjen e të përmuajshmeve dhe lehonisë gruaja e lë namazin dhe agjërimin, pastaj e zëvendëson agjërimin e lënë e nuk i fal namazet e kaluara, dhe kjo është prej mangësisë së fesë së saj.
Gruaja nuk do të japë llogari për këtë mangësi sepse kjo është një mangësi e caktuar nga vet Sheriati i Allahut të Lartësuar, i Cili e ka caktuar këtë gjë nga butësia për të (gruan) dhe për t’ia lehtësuar asaj. Kjo ngase sikur ajo të agjëronte në kohën e të përmuajshmeve apo lehonisë, do të dëmtohej.

Por nga mëshira e Allahut, Ai i ka ligjëruar asaj që ta lërë agjërimin në këto ditë dhe t’i kompensojë më pas. Ndërsa namazin ajo nuk e kompenson, dhe kjo nga mëshira e Allahut për të. Në kompensimin e tij ka mundim të madh, sepse namazi përsëritet pesë herë në ditë-natë, dhe ditët e periodave mund të zgjasin. Mund të zgjasin shtatë ose tetë ditë, ose më shumë. Kurse lehonia mund të zgjasë dyzet ditë. Pra është prej mëshirës së Allahut për të (gruan) që mos ta kompensojë namazin.

Kjo nuk do të thotë se mendja e gruas është e mangët në të gjitha gjërat dhe se feja e saj është e mangët në të gjitha gjërat, por i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka sqaruar se mangësia në mendjen e gruas mund të ndodhë për shkak të mosmbajtjes mirë mend të dëshmisë, ndërsa mangësia e fesë së saj kufizohet në lënien e namazit dhe të agjërimit në kohën e të përmuajshmeve dhe lehonisë.

Po kështu, prej kësaj nuk kuptohet se ajo është më e mangët se burri në çdo gjë dhe as se burri është më i mirë se ajo në çdo gjë. Është e vërtetë se në përgjithësi burri është më i privilegjuar se gruaja për disa arsye, siç thotë Allahu: “Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” | En Nisa: 34.

Por gruaja mund t’ia kalojë burrit në disa raste në shumë gjëra. Sa gra ka që janë me lartë se shumë burra në mendjen apo në fenë e tyre. Por ajo që është përcjellë nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është se gratë në përgjithësi janë më të mangëta se burrat në mendje dhe në fe, dhe për këto dy shkaqe që i sqaroi Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Mundet që gruaja të jetë më lartë sesa shumë prej burrave me anë veprave të mira, me devotshmërinë dhe pozitën e saj në botën tjetër. Ajo mund të jetë më lartë se shumë prej burrave në çështje në të cilat ajo është përpjekur dhe i ka përvetësuar me përpikmëri, për t’u bërë burim në historinë islame e në gjëra të shumta. Kjo dallohet qartë për atë që studion gjendjen e grave në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e më pas.

Nisur nga kjo mësohet se kjo mangësi e tyre nuk pengon nga të mbështeturit tek ato në përcjelljen e haditheve, dhe po kështu në dëshminë e tyre nëse ajo forcohet me dëshminë e një gruaje tjetër. Kjo nuk pengon gjithashtu që ajo të jetë e devotshme ndaj Allahut dhe nga robërit më të mirë apo robëreshat më të mira të Allahut, nëse ajo është e qëndrueshme në fenë e tyre. Edhe pse asaj i bie agjërimi kur është më cikël dhe lehonë e nuk ka kompensim. Po ashtu edhe namazi në kohë dhe në kompensim.

Por kjo nuk do të thotë se ajo është e mangët në çdo gjë që lidhet me devotshmërinë ndaj Allahut, me zbatimin e urdhrave të Tij dhe as në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mbajtjen mend. Kjo mangësi është e kufizuar në mendje dhe në fe, me atë që e ka kufizuar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Nuk lejohet që besimtari ta akuzojë atë për mangësi në çdo gjë dhe për dobësi të fesë në çdo gjë, sepse mangësia e saj është e veçantë dhe e kufizuar në ato që u përmendën. Kjo gjë duhet sqaruar dhe fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duhet të kuptohet në kuptimin më të mirë dhe më të bukur. Allahu e di më mirë!

 

Marrë nga libri: “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 4.

Dosje:

Loading...