Shenja e katërt e afrimit të orës së fundit të dynjasë
-Çlirimi i xhamisë Aksa-
Në Sham[1] dhe konkretisht në Palestinë, vend në të cilin banonin një pjesë e familjes së Ibrahimit -alejhi selam- profetit të dalluar për thirrjen në besimin e pastër larg shirkut dhe idhujtarisë, pas ndërtimit të Qabes në Meke është ndërtuar një tjetër xhami për adhurimin e Allahut. Ajo u ndërtua në vendin i cili herët është njohur me emrin “Ilija”, ndërsa sot njihet me emrin “El-Kuds” apo “Jerusalem”. Ai është njëri prej qyteteve më të njohura të Palestinës dhe ajo xhami është një prej tre xhamive simbol të adhurimit të Allahut Një, dhe të nënshtrimit para Tij dhe prej shenjave që kanë lënë profetët e Allahut për besimtarët e drejtë pas tyre.
Emrat e xhamisë Aksa.
Kjo xhami njihet me disa emra ku tre emrat më të njohur janë:
1- ‘El-Mesxhid El-Aksa’ që do të thotë ‘Xhamia e Largët’ sepse ajo në lidhje me Mekën është e largët.[2] Ajo me këtë emër është përmendur në Kuran ku Allahu i madhëruar thotë:
سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَى بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ
“I lartësuar qoftë Allahu i cili e nisi robin e Tij natën në udhëtim nga xhamia e shenjtë (Qabja) për në xhaminë Aksa rreth të cilës kemi hedhur begatinë Tonë.”[3]
2- ‘Bejtul-Makdis’ që do të thotë ‘Shtëpia e Pastrimit’. Ajo është quajtur me këtë emër sepse është vendi ku njeriu pastrohet nga gjynahet siç thonë komentuesit e haditheve.[4]
Me këtë emër është përmendur shpesh herë edhe në fjalët e Profetit -alejhi selam- edhe në fjalët e sahabëve, tabiinëve etj.
Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu- tregon se e ka dëgjuar Profetin -alejhi selam- duke thënë: “Kur Kurejshët më përgënjeshtruan (udhëtimin brenda natës për në xhaminë Aksa), shkova te Hixhri (një vend bosh në formën e një gjysmë rrethi përbri Qabes) dhe Allahu më zbuloi Bejtul-Makdisin dhe unë fillova t’ju tregoj rreth saj.”[5]
El-Bera bin El-Azib -radiallahu anhu- tregon: “Jemi falur me Profetin -alejhi selam- në drejtim të Bejtul-Makdis gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj u urdhëruam të ndryshojmë drejtimin në drejtim të Qabes.”[6]
3- ‘Mesxhid Ilija’ që do të thotë ‘Xhamia e qytetit të Ilijasë’ sepse më lart thamë se Jeruzalemi njihet edhe me këtë emër.
Fjala ‘Ilija’ vjen nga hebraishtja që do të thotë ‘Shtëpia e Allahut’ siç thonë dijetarët e gjuhës arabe,[7] pra kuptimi i emrit është ‘Xhamia e Shtëpisë së Allahut’.
Ky emër mendohet të jetë përmendur nga Profeti -alejhi selam- në hadithin e ndalimit të udhëtimit veçse për në tre xhamitë e begata, sepse në një prej transmetimeve të këtij hadithi Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë:
“Udhëtohet për në tre xhami: Xhamia e Qabes, xhamia ime dhe xhamia e Ilijasë.”[8] Kjo nëse hadithi nuk është përcjellë me kuptim që transmetuesi mund të ketë përdorur fjalët e tij për të përcjellë hadithin profetik, dhe kështu ai i bie të jetë nga transmetuesit. Megjithatë ky emërtim ka qenë i njohur tek sahabët dhe tabiinët, sepse ka ardhur edhe në hadithe të tjera.
Ndërtimi i xhamisë Aksa.
Nuk dihet shumë rreth ndërtimit të xhamisë Aksa me përjashtim të faktit se ndërtimi i saj ka ndodhur 40 vjet pas Qabes, siç tregon Ebu Dherri -radiallahu anhu:
“E kam pyetur profetin -alejhi selam: Cila xhami është ndërtuar e para? Profeti -alejhi selam- më tha: Xhamia e Shenjtë (Qabja). I thashë: Pastaj cila? Profeti -alejhi selam- tha: Xhamia e Aksasë. Thashë: Sa ka patur mes tyre? Profeti -alejhi selam- tha: Dyzet vjet.”[9]
Bazuar në lajmin që përcjell Profeti -alejhi selam- s’ka dyshim se këtë xhami e ka ndërtuar familja e Ibrahimit -alejhi selam- në Palestinë, sepse familja e tij përbënte besimtarët e asaj kohe në atë zonë. Ndoshta Ibrahimi -alejhi selam- nuk ka jetuar deri në atë kohë dhe po ashtu edhe Is’haku -alejhi selam-, edhe pse mundësia që Is’haku të ketë jetuar është më e madhe sesa ajo e Ibrahimit. Ndërsa Jakubi -alejhi selam- patjetër që ka jetuar në atë kohë, sepse në kohën e tij dhe të Jusufit -alejhi selam- Beni Israilët u larguan për në Egjipt për të qëndruar deri në kohën e Musait dhe të Harunit -alejhime selam. Bazuar në distancën kohore që jep Profeti -alejhi selam- nuk duhet parë për ndërtimin e xhamisë Aksa pas Jakubit -alejhi selam-, sepse pas tij distanca kohore zgjatet shumë më shumë se dyzet vjet dhe se Jakubi -alejhi selam- ka më shumë gjasë të jetë ndërtuesi i saj.
Ibn Kethiri, historiani i njohur i Islamit thotë: “Sipas Ehli Kitabit Jakubi -alejhi selam- është ai i cili e ka themeluar xhaminë Aksa e cila është xhamia e Ilijasë (Allahu e nderoftë!). Kjo gjë duket e drejtë dhe për të dëshmon edhe hadithi i Ebu Dherrit -radiallahu anhu. Pra atë e ka ndërtuar Jakubi -alejhi selam- i cili është Israili, pas ndërtimit të Qabes nga i dashuri i Allahut dhe biri i tij Ismaili me dyzet vjet.”[10]
Kjo që thotë Ibn Kethiri në versionin e sotëm të Teuratit gjendet në kaptullin Zanafilla, ku thuhet: “Atëherë Hyji i tha Jakobit: Çohu dhe ngjitu në Betel e bano atje! Ndërtoje një lter në nder të Hyjit.”[11]
Edhe Kurani jep shenja se xhamia Aksa ka qenë para Musait -alejhi selam- dhe ja dy ajete ku mendohet se bëhet fjalë për të.
Allahu i Madhëruar kur përmend fjalët e Musait -alejhi selam- pas shpëtimit të Beni Israilëve nga Faraoni, thotë se Musai u tha atyre:
يَاقَوْمِ ادْخُلُوا الْأَرْضَ الْمُقَدَّسَةَ الَّتِي كَتَبَ اللَّهُ لَكُمْ وَلَا تَرْتَدُّوا عَلَى أَدْبَارِكُمْ فَتَنْقَلِبُوا خَاسِرِينَ
“O populli im, hyni në tokën e pastruar të cilën ua ka caktuar Allahu dhe mos u zmbrapsni që të mos ktheheni të mundur.”[12]
Në fjalën e Allahut [hyni në tokën e pastruar] është thënë se bëhet fjalë për Bejtul-Makdis, mendim të cilin e saktëson Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- komentuesi i njohur i Kuranit.[13]
Allahu i Madhëruar gjithashtu kur përmend historinë e Josha bin Nun -alejhi selam-, profetit që mori drejtimin e Beni Israilëve pas Musait -alejhi selam- thotë:
وَإِذْ قُلْنَا ادْخُلُوا هَذِهِ الْقَرْيَةَ فَكُلُوا مِنْهَا حَيْثُ شِئْتُمْ رَغَدًا وَادْخُلُوا الْبَابَ سُجَّدًا وَقُولُوا حِطَّةٌ نَغْفِرْ لَكُمْ خَطَايَاكُمْ وَسَنَزِيدُ الْمُحْسِنِينَ
“Përkujto kur u thamë (Beni Israilëve): Hyni në këtë fshat dhe hani prej tij ç’të doni. Te porta të hyni të përkulur duke thënë: “Falna!” që Ne t’ju falim gjynahet tuaja dhe t’ua shtojmë mirësitë punëmirëve.”[14]
Fjala e Allahut [hyni në këtë fshat] d.m.th. hyni në Bejtul-Makdis siç thonë shumica e komentuesve të Kuranit si: Katade (komentues i njohur i Kuranit që ka vdekur pas 110 H.), Ismail Es-Sudij (127 H.) dhe Er-Rabij bin Enes El-Bekrij (140 H.)[15]. Madje për këtë ngjarje ka ardhur edhe një hadith i saktë ku Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Dielli nuk është ndalur për shkak të ndonjë njeriu veçse për Joshën kur ka shkuar (për të çliruar) Bejtul-Makdisin.”[16]
Ky përfundim që arritëm nuk bie në kundërshtim me një hadith tjetër të saktë që do të vijë më poshtë ku përmendet Sulejmani -alejhi selam- si ndërtues i saj, sepse ai është ndërtuesi i dytë i saj pas kthimit të Beni Israilëve nga Egjipti siç thotë Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në historinë e profetëve: “(Hadithi i ndërtimit të Sulejmanit -alejhi selam-) Ka për qëllim dhe Allahu e di më së miri se ai është rindërtuesi i saj, sepse siç thamë mes tyre (Qabes dhe xhamisë Aksa) ka dyzet vjet dhe nuk ka thënë njeri që mes Sulejmanit dhe Ibrahimit ka pas dyzet vjet. Kjo me përjashtim të Ibn Hibanit por mendimin e tij nuk e ka përkrahur njeri dhe as e ka përmendur kush para tij.”[17]
Vlera e xhamisë Aksa.
Sipas lajmeve të përcjella xhamia Aksa përmban disa vlera:
1- E ndërtuan atë profetët e Allahut për adhurimin e Tij.
Kjo gjë tregon se ajo është xhami e ndërtuar mbi bazën e devotshmërisë për Allahun e Madhëruar, sepse në Kuran thuhet:
لَمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَى مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَنْ تَقُومَ فِيهِ
“Xhamia që është ndërtuar mbi bazën e devotshmërisë që në ditën e parë të saj, e meriton më shumë se çdo tjetër të falesh në të.”[18]
Fjala e tij [mbi bazën e devotshmërisë] d.m.th. për hir të Allahut dhe për t’a adhuruar Atë pa e përzier me asnjë nijet tjetër, qoftë ai shirk i madh apo i vogël si syfaqësia, fama etj.
Pra, xhaminë Aksa siç u tha më lart i pari e ndërtoi Jakubi -alejhi selam-, pastaj e rindërtoi Sulejmani -alejhi selam-, pastaj u kujdesën për të profetët e Beni Israilëve dhe ndjekësit e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy xhamitë e tjera sepse edhe ato u ndërtuan mbi bazën e devotshmërisë: Qabja nga Ibrahimi -alejhi selam- dhe tjetra nga profeti Muhamed -salallahu alejhi ue selam.
2- E mbushën atë me dhikër dhe ibadet profetët e Beni Israilëve dhe umeti i tyre.
Umeti i Beni Israilëve ka pasur shumë profetë dhe shumë adhurues të cilët kur i janë shfaqur Profetit tonë -salallahu alejhi ue selam- ka kujtuar se është umeti i tij, siç ka ardhur në hadith: “Më janë shfaqur umetet e profetëve dhe kam parë profet që kishte një grup njerëzish, profetë që kishte një apo dy burra dhe profetë që nuk kishte asnjë. Pastaj m’u shfaq një e zezë e madhe dhe mendova se është umeti im por më thanë se ai është Musai dhe umeti i tij.”[19]
Disa nga ngjarjet e profetëve të përmendura në Kuran mendohet të kenë ndodhur në xhaminë Aksa; si ajo e Zekerijës, Merjemes, Jahjës dhe Isait -alejhim selam-. Në suren Ali Imran bien në sy dy mihrabë, njëri i Zekerijës dhe tjetri i Merjemes, dhe mendohet të jenë të xhamisë Aksa.
Zekerija -alejhi selam- mendohet gjithashtu të ketë qenë kujdestari i xhamisë Aksa, ndërsa Merjemja -alejha selam- ishte vajzë e dhuruar për xhaminë Aksa për të shërbyer në të.
Në lidhje me Jahjën dhe Isain -alejhima selam- ka ardhur një hadith i saktë ku thuhet; Ata i mblodhën Beni Israilët në xhaminë Aksa për t’u përcjellë atyre pesë porositë e Allahut.
3- Ishte kibla e Beni Israilëve dhe kibla e umetit tonë para se të ktheheshim nga Qabja.
Kibla e Beni Israilëve është një histori e vjetër e cila e ka origjinën në kohën e Musait -alejhi selam-. Atë e ka përmendur historiani i njohur i islamit Ibën Kethiri -Allahu e mëshiroftë- dhe ja çfarë thotë në lidhje me të.
Ai citon: “Ehlu Kitabi thonë se Allahu e urdhëroi Musain të ndërtojë:
1- Tabernakullin (çadrën e grumbullimit) prej druri të akacias, të mbuluar me lëkura bagëtish dhe të zbukuruar me mëndafsh, flori dhe serm.
2- Tabutin (arkën e dëshmisë) prej druri të akacias.
3- Tryezën e ushqimit prej druri të akacias.
4- Shandanin e ndriçimit (mbajtësja e kandilëve) prej floriri.
5- Altarin (vendin i kurbaneve).
Ata çadrën e tyre të grumbullimit e ngrinin çdo fillim viti në pranverë, po ashtu edhe tabutin e dëshmisë i cili -Allahu e di më së miri- është ai i përmenduri te fjala e Allahut në Kuran:
“Shenja e sundimit të tij është t’u vijë tabuti i cili jep qetësi prej Zotit tuaj, dhe mban ato gjëra që ka lënë familja e Musait dhe familja e Harunit i mbajtur nga melaiket. Kjo është një mrekulli prej Zotit tuaj nëse jeni besimtarë.” Suretu El-Bakare: 248.
Ajo ka qenë para se ata të adhurojnë viçin, që do të thotë se ka ndodhur para se ata të vijnë në Bejtul-Makdis. Ata faleshin si brenda saj ashtu edhe në drejtim të saj.
Kështu çadra e grumbullimit ka qenë me Beni Israilët gjatë kohës së humbjes së tyre në shkretëtirë dhe ata faleshin në drejtim të saj. Ajo ishte kibla dhe Qabeja e tyre dhe imami i tyre ishte Musai -alejhi selam-, kurse ai që kujdesej për vendin e kurbanit ishte Haruni -alejhi selam-. Kur vdiq Haruni e më pas Musai -alejhima selam- vazhduan bijtë e Harunit në vend të babait të tyre. Ndërsa në lidhje me profetësinë dhe udhëheqjen pas Musait vazhdoi shërbëtori i tij Joshua bin Nun -alejhi selam- i cili ishte ai që i futi në Bejtul-Makdis siç do vijë më poshtë. Qëllimi këtu është se kur sundimi i tij u stabilizua në lidhje me Bejtul-Makdisin, ai vendosi çadrën mbi shkëmbin e Bejtul-Makdisit dhe ata faleshin në drejtim të saj, pastaj kur u prish u falën në drejtim të vendit i cili është shkëmbi. Prandaj dhe ajo ishte kibla e profetëve pas tij deri në kohën e profetit Muhamed -salallahu alejhi ue selam- i cili gjithashtu është falur në drejtim të saj. Para hixhretit ai falej para Qabes (në drejtim të Bejtul-Makdisit) ndërsa pas hixhretit u urdhërua të falej në drejtim të Bejtul-Makdisit (dhe e kishte të pamundur të drejtoj nga Qabja sepse ajo i bie në anë të kundërt). Ai është falur në drejtim të saj gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj kibla u ndryshua për të qenë në drejtim të Qabes e cila është kibla e Ibrahimit.”[20]
Për sa i përket përshkrimit të çadrës dhe të gjërave që mbante brenda, në versionin e sotëm të Teuratit i gjejmë në librin e Daljes, kapitulli 25-40.
Ndërsa për sa i përket faktit se ajo ka qenë kibla jonë e parë, kjo gjë është përmendur në Kuran ku Allahu i Madhëruar thotë:
قَدْ نَرَى تَقَلُّبَ وَجْهِكَ فِي السَّمَاءِ فَلَنُوَلِّيَنَّكَ قِبْلَةً تَرْضَاهَا فَوَلِّ وَجْهَكَ شَطْرَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ وَحَيْثُ مَا كُنْتُمْ فَوَلُّوا وُجُوهَكُمْ شَطْرَهُ وَإِنَّ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ لَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِنْ رَبِّهِمْ وَمَا اللَّهُ بِغَافِلٍ عَمَّا يَعْمَلُونَ
“Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde herë pas herë nga qielli dhe Ne do të drejtojmë nga kibla që pëlqen. Atëherë drejtoje fytyrën tënde nga xhamia e shenjtë dhe kudo që të jeni drejtoni fytyrat tuaja nga ajo! Ata të cilëve u është dhënë libri e dinë se ajo është e vërteta prej Zotit tënd, dhe Allahu nuk është i shkujdesur ndaj asaj që veprojnë.”[21]
El-Bera bin Azib -radiallahu anhu- tregon: “Profeti -alejhi selam- është falur në drejtim të Bejtul-Makdis gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj. Ai pëlqente të drejtohej nga Qabja ndaj Allahu i zbriti ajetin: “Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde herë pas herë nga qielli dhe Ne do të drejtojmë nga kibla që pëlqen.” Dhe kështu ai u kthye nga Qabja. Mendjelehtët prej njerëzve të cilët janë hebrenjtë thanë: “Çfarë i shtyu ata të ndryshojnë kiblen që kishin? Thuaj: Të Allahut janë lindja dhe perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë për në rrugën e drejtë.”[22]
4- Udhëtimi i Profetit -alejhi selam- për t’u falur në të pastaj ngjitja e tij prej aty për në qiejt e lartë.
Xhamia Aksa mban gjithashtu gjurmët e Profetit tonë -salallahu alejhi ue selam- sepse ai na ka njoftuar se e ka ndërmarrë një udhëtim të tillë për në atë vend me urdhërin e Allahut dhe nën shoqërinë e Xhibrilit -alejhi selam-. Për këtë ngjarje ka folur edhe Kurani edhe suneti.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
“I lartësuar qoftë Allahu i cili e mori robin e Tij në udhëtim natën nga xhamia e shenjtë (Qabeja) për në xhaminë Aksa rreth së cilës kemi hedhur begatinë Tonë.”[23]
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e ajetit thotë: “Ajo xhami është Bejtul-Makdis apo Ilija, është vendi i profetëve që prej Ibrahimit të dashurit të Allahut. Prandaj ata u mblodhën të gjithë atje dhe ai u priu në vendin dhe shtëpinë e tyre, dhe kjo tregon se ai është prijësi i madh dhe udhëheqësi i dalluar -paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë profetët!”
Udhëtimi i profetit Muhamed -alejhi selam- për në xhaminë Aksa, falja e tij në xhaminë e ndërtuar nga profetët e Beni Israilëve dhe bashkimi i tyre për t’u falur pas tij, tregon edhe për vlerën e xhamisë Aksa edhe për vlerën e Profetit tonë -salallahu alejhi ue selam- për të cilin ishin në dijeni profetët para tij dhe umetet e tyre.
5- Xhamia Aksa është vend i begatë ku shumëfishohen sevapet.
Xhamia Aksa është si dy xhamitë e tjera në lidhje me begatinë dhe shumëfishimin e sevapeve. Në lidhje me begatinë e saj Abdullah bin Amr -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Sulejmani i biri i Daudit -alejhima selam- kur mbaroi së ndërtuari Bejtul-Makdisin i kërkoi Allahut të Madhëruar tre gjëra:
E para: Gjykim (të drejtë) si gjykimi i Tij, dhe Allahu i Madhëruar i’a dha.
E dyta: Pushtet që të mos e ketë askush si ai pas tij, dhe Allahu i’a dha.
E treta: Kushdo që vjen në këtë xhami duke mos dashur gjë tjetër veç namazit, t’a pastrojë atë nga gjynahet (e të bëhet) si atë ditë që e ka lindur nëna e tij. Shpresoj t’i jetë dhënë edhe e treta.”[24]
Ndërsa në lidhje me shumëfishimin e sevapeve Profeti -alejhi selam- njofton: “Një namaz në xhaminë time është sa katër namaze në Bejtul-Makdis. Sa vendfalje i mirë është ajo!”[25]
Përderisa një namaz në xhaminë e profetit Muhamed -alejhi selam- është e barabartë me një mijë namaze në lidhje me xhamitë e tjera veç Qabes -siç jemi njoftuar në hadithe të tjera- dhe sa katër namaze në xhaminë Aksa, atëherë një namaz në xhaminë Aksa është sa dyqind e pesëdhjetë namaze në xhamitë e tjera përveç Qabes dhe xhamisë së profetit Muhamed -alejhi selam-.
Për shkak të këtyre begative Profeti -alejhi selam- e krahasonte atë me dy xhamitë e tjera dhe thoshte:
“Nuk ndërmerret udhëtim veçse për në tre xhami: Xhaminë e Qabes, xhaminë time dhe xhaminë Aksa.”[26]
Kjo sepse namazi nuk dallon nga një xhami në tjetrën me përjashtim të këtyre tre xhamive.
Kujdestaria e xhamisë Aksa ndër shekuj deri në ardhjen e profetit Muhamed -alejhi selam-.
Për xhaminë Aksa janë kujdesur për një kohë të gjatë Jakubi -alejhi selam- dhe bijtë e tij të cilët quhen umeti i Beni Israilëve, deri në kohën e largimit të Isait -alejhi selam- ose më saktë pak kohë pas largimit të tij.
Kujdestaria e Beni Israilëve në lidhje me xhaminë Aksa ndahet në tre periudha:
Periudha e parë: Nga ndërtimi i saj deri në largimin e Jakubit -alejhi selam- së bashku me bijtë e tij për në Egjipt.
Periudha e dytë: Nga koha e Joshua bin Nun -alejhi selam- i cili e riktheu atë deri në vrasjen e profetit Esh’ija -alejhi selam-, për shkak të të cilit ata u ndëshkuan dhe u morën skllevër në Babiloni në kohën e sundimit të Bukhatnaserit.
Periudha e tretë: Nga kthimi i Beni Israilëve nga Bibilonia deri në vrasjen e Jahjës dhe largimit të Isait -alejhima selam- ku ata u ndëshkuan për shkak të mundimit që u shkaktuan atyre.
Pas Isait -alejhi selam- kjo xhami nuk ka qenë më nën kujdestarinë e Beni Israilëve. Qyteti i Ilijasë apo Jeruzalemi pas tij ka kaluar në sundimin të Romakëve të cilët ishin idhujtarë dhe nuk u interesonte çështja e saj deri në vitet treqind pas Isait -alejhi selam-, kohë në të cilën Romakët kaluan në krishtërim. Edhe pas kalimit të Romakëve në krishtërim nuk ndryshoi gjë në lidhje me xhaminë Aksa sepse edhe ata nuk kishin ndonjë interes ndaj saj, madje vendin e kibles e shndërruan në vend mbeturinash për inat të hebrenjve për shkak të qëndrimit të tyre ndaj Isait -alejhi selam- siç e tregon Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë-. Ajo kështu ka qenë edhe për treqind vjet të tjera deri në kohën e çlirimit të saj nga sahabët -radiallahu anhum-.[27]
Çlirimi i xhamisë së Aksasë nga sahabët dhe vërtetimi i saj si shenjë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
وَأَنَّ الْمَسَاجِدَ لِلَّهِ فَلَا تَدْعُوا مَعَ اللَّهِ أَحَدًا
“Xhamitë janë të Allahut ndaj mos i shoqëroni Atij askënd në lutje.”[28]
Ndërsa në një ajet tjetër thotë:
مَا كَانَ لِلْمُشْرِكِينَ أَنْ يَعْمُرُوا مَسَاجِدَ اللَّهِ شَاهِدِينَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ بِالْكُفْرِ أُولَئِكَ حَبِطَتْ أَعْمَالُهُمْ وَفِي النَّارِ هُمْ خَالِدُونَ إِنَّمَا يَعْمُرُ مَسَاجِدَ اللَّهِ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَأَقَامَ الصَّلَاةَ وَآتَى الزَّكَاةَ وَلَمْ يَخْشَ إِلَّا اللَّهَ فَعَسَى أُولَئِكَ أَنْ يَكُونُوا مِنَ الْمُهْتَدِينَ
“Nuk u takon idhujtarëve të përkujdesen për faltoret e Allahut përderisa edhe ata vetë dëshmojnë se janë mosbesimtarë. Të kota do të jenë veprat e tyre dhe në zjarrin e Xhehenemit do të qëndrojnë përgjithmonë. Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.”[29]
Ajeti i parë tregon për qëllimin e ndërtimit të xhamive dhe se ato janë ndërtuar për adhurimin e Allahut, ndërsa ajeti i dytë tregon se të drejtën për t’u përkujdesur për to e kanë pikërisht ata që e realizojnë atë qëllim. Ata janë besimtarët e drejtë me besim të pastër dhe me nënshtrim për Allahun, kusht të cilin nuk e plotësonte pas ardhjes së profetit Muhamed -alejhi selam- veçse pasuesit e tij. Mbi bazën e këtij arsyetimi apo urtësie Allahu i Madhëruar caktoi çlirimin e kësaj xhamie për të kaluar nën kujdestarinë e umetit të fundit umetit të Muhamedit -alejhi selam-, dhe për të shënuar kështu dhe një tjetër shenjë për afrimin e orës së fundit të dynjasë. Siç thuhet në hadithin e Auf bin Malik ku Profeti -alejhi selam- i thotë atij: “Numëro gjashtë gjëra para orës së fundit: Vdekjen time, pastaj çlirimin e xhamisë së Aksasë.”[30]
Kjo shenjë ka ndodhur dhe xhamia Aksa u çlirua në kohën e Omerit -radiallahu anhu- në vitin e 15 të hixhretit.
Imam Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me ngjarjen shënon: Në vitin e 15 sipas hixhretit të dy komandantët e ushtrive myslimane; Ubu Ubeide dhe Amr bin El-As -radiallahu anhuma- pasi kishin çliruar të gjitha vendet përreth qytetit të Kudsit ku ndodhet xhamia e Aksasë, së fundi rrethuan edhe Kudsin. Banorët e Kudsit pas një rrethimi të fortë i kërkojnë Ebu Ubejdes të bëjnë një marrëveshje por me kusht që të vijë Omeri -radiallahu anhu- prijësi i myslimanëve në atë kohë. Omeri -radiallahu anhu- shkon në Kuds dhe bën me ta një marrëveshje e cila rregullonte çështjen e të krishterëve në qytet, ndaj ata i dorëzuan qytetin dhe kështu çlirohet xhamia e Aksasë dhe përmbushet profetësia.[31]
Librat e hadithit na kanë ruajtur edhe momentet e para të hyrjes së Omerit -radiallahu anhu- së bashku me Kabin (një tabi’in i asaj kohe me prejardhje hebraike -Allahu e mëshiroftë-). Transmetimet përmendin se: Omeri në ato momente e ka pyetur Kabin se ku është vendi i shkëmbit (kibla e Beni Israilëve), – dhe ai i ka thënë: Mat nga muri i cili është nga ana e luginës së xhehenemit (luginë përbri xhamisë) kaq e kaq parakrahë dhe pastaj gërmo se do ta gjesh! Ajo në atë kohë ka qenë vend mbeturinash (siç u përmend më lart). Ata gërmuan dhe kështu u shfaqet shkëmbi. Atëherë Omeri i tha Kabit: Ku mendon të ndërtojmë një vend për falje? Kabi i thotë: Pas shkëmbit që të bashkosh mes dy kibleve: kibles së Musait -alejhi selam- dhe kibles së Muhamedit -alejhi selam-. Omeri i thotë: I përngjave jehudizmit o Ebu Is’hak (llagapi i Kabit)! Më i miri vend është ai i përparmi (që ai të ketë për kible vetëm Qaben, sepse kibla e Beni Israilëve tashmë ishte gjykim i anuluar). Dhe kështu ai e ndërtoi atë në pjesën e përparme të xhamisë.[32]
Kjo është një përmbledhje e historikut të xhamisë së Aksasë, disa nga vlerat e saj dhe çlirimi i saj si shenjë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.
Lus Allahun e Madhëruar t’a ruaj këtë xhami dhe t’ua mundësojë gjithmonë besimtarëve adhurimin e Allahut në të deri në fund të dynjasë! Amin!
———————————————-
[1] Sham quhet zona që bie në veri-perëndim të gadishullit arabik dhe me dalje në detin Mesdhe. Gjeografi i njohur Islam Jakut El-Hameuij -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Kufijtë e Shamit janë; gjatësia nga lumi i Eufratit deri në Arish në afërsi të Egjiptit (qytet bregdetar i Egjiptit që edhe sot njihet me të njëjtin emër), ndërsa gjerësia nga dy malet e Tajit (sot qyteti Hail në Arabinë Saudite) deri te deti i romakëve (sot deti Mesdhe)”. Kështu, Shami sot përbëhet nga: Siria, Palestina, Libani, Jordania, pjesa veriperëndimore e Arabisë Saudite deri në Hail, një pjesë e Irakut e cila është brenda lumit Eufrat dhe një pjesë e vogël e Turqisë në kufi me Sirinë.
[2] Shih tefsir Es-Sem’anij: 3/214.
[3] Suretu El-Isra: 1.
[4] Shih librin “El-Nihaje fij Garib El-Ether” të Ibn El-Ethir: 4/23.
[5] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[6] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[7] Shih librin “Metali’ El-En’uar” të Ibn Kurkul: 1/373.
[8] E transmeton Muslimi.
[9] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[10] Shih librin El-Bidaje ue En-Nihaje: 1/187.
[11] Shih kapitullin Zanafilla: 35/1.
[12] Suratu El-Maide: 21.
[13] Shih tefsir Ibn Kethir: 3/74.
[14] Suretu El-Bekara: 58.
[15] Shih tefsirin e Taberiut: 2/103.
[16] E transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.
[17] Shih librin e autorit me titull ‘El-Bidaje ue En-Nihaje’: 1/187.
[18] Suretu Et-Teube: 108.
[19] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[20] Shih librin e autorit me titull “El-Bidaje Uen-Nihaje”: 1/358-360.
[21] Suretu El-Bekara: 144.
[22] E transmeton Buhariu.
[23] Suretu El-Isra: 1.
[24] E transmeton Ahmedi, Ibn Maxhe, Nesaiu, dhe e saktëson shejh Albani.
[25] E transmeton Taberani, Hakimi, Bejhakiu dhe e saktëson shejh Albani.
[26] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[27] Shih librin El-Bidaje ue En-Nihaje: 7/68.
[28] Suratul-Xhin: 18.
[29] Suretu Et-Teube: 17-18.
[30] E transmeton Buhariu e të tjerë.
[31] Shih fjalët e autorit në librin e tij “El-Bidaje ue En-Nihaje”: 7/64.
[32] E transmeton imam Ahmedi dhe Ibn Zenxheuejh me dy zinxhirë të ndryshëm transmetuesish të cilët forcojnë njëri-tjetrin.