Përçmimi i shkuarjes pas epshit

December 9, 2022

El-Havaa është prirja e natyrshme e shpirtit drejt asaj që i përshtatet. Një prirje e tillë është krijuar tek njeriu për të siguruar ekzistencën e tij. Po të mos kishte qenë prirja e tij për ushqim, pije dhe martesë, ai nuk do të kishte ngrënë, nuk do të kishte pirë dhe nuk do të ishte martuar. Prandaj, El-Havaa (prirja e natyrshme) e nxit atë drejt asaj që ai dëshiron, ashtu si (zemërimi) largon prej tij atë që mund ta lëndojë atë. Prirja pas diçkaje nuk duhet të përçmohet në përgjithësi dhe as të lavdërohet në përgjithësi. Ashtu sikurse zemërimi që nuk duhet përçmuar në përgjithësi dhe as nuk duhet lavdëruar në përgjithësi. Ajo që përçmohet është teprimi në të dyja llojet, si në el-hava (prirje) ashtu dhe në zemërim, pra secila që i kalon kufijtë në arritjen e të dobishmes apo në largimin e gjërave të dëmshme.

Meqënëse në pjesën më të madhe ai që i bindet Havaa-së (prirjeve, epsheve) dhe zemërimit nuk i përmbahet kufirit të shfrytëzimit të mirë, edhe nënçmimi  ndaj Havaa-s, epshit dhe zemërimit është thënë i pakufizuar për shkak të dëmit përgjithësisht mbizotërues.

Në fakt, është e rrallë të gjesh dikë që kërkon të arrijë një pozicion të drejtë në lidhje me këto çështje dhe t’i përmbahet këtij pozicioni, ashtu si është e rrallë në tipe të gjesh tipin e ekuilibruar në çdo aspekt. Në mënyrë të pashmangshme njëra prej përzierjeve do të ndikojë dhe mbizotërojë apo do të përshtatet në një mënyrë të caktuar.

Për një këshillues të sinqertë që të jetë i prirur për rregullimin në çdo aspekt të fuqisë së dëshirës dhe zemërimit, ka gjasa të jetë e parealizueshme në shumë aspekte me përjashtim të disa individëve. Sa herë që Allahu e ka përmendur El-Havaa (epshin-dëshirat) në librin e Tij e ka përçmuar atë. Në mënyrë të ngjashme në Sunet ajo përmendet vetëm si e përçmuar, përveç rasteve kur vjen i kufizuar (me objektivat e synuara) si në rastin e thënies së Profetit salAllahu alejhi ve sel-lem: “Askush prej jush nuk është besimtar i vërtetë derisa Havaja (dëshirat) e tij të jetë në përputhje me atë (fenë) që solla unë.”[1]

Thuhet se El-Havaa (epshi) është një kurth i fshehtë që njeriu nuk duhet të ndihet i sigurt prej tij.

Esh-Sha’biu ka thënë: “Është quajtur el-Hava (epsh) sepse e hedh poshtë ndjekësin e saj.”

Ai që e lëshon frerin e epsheve duke kërkuar kënaqësitë prezente pa menduar për rezultatin, nxit në kryerjen e menjëhershme të epsheve, edhe pse herët apo vonë do të jenë shkaktarët kryesorë të vuajtjeve të tij të mëdha. Kjo do ketë pasoja për të qysh në këtë jetë para asaj të ahiretit (botës tjetër), ndërkohë El-Havaa (epshi) e verbon ndjekësin e saj që të mos e kuptojë këtë.

Fisnikëria, feja dhe racionalizmi (logjika) i njeriut e ndalojnë atë kënaqësi përfundimi i së cilës është dhimbja. E ndalojnë atë epsh që sjell pikëllim dhe keqardhje. Secila prej tyre i thotë nefsit (vetes) kur ai dëshiron (kënaqësinë dhe epshin): “Mos e bëj!” Dhe kështu nefsi do t’i bindet fituesit.

A nuk e shihni se si tek një fëmijë ndikon sendi që preferon edhe pse kjo mund ta çojë në shkatërrimin e tij. Kjo ndodh për shkak të dobësisë së kufizimit racional tek fëmija. Ndërsa tek ai që nuk ka fe ka për të ndikuar ajo që ai dëshiron, edhe nëse kjo do ta çonte në cënimin e fisnikërisë së tij apo shkatërrimin e saj, për shkak të dobësisë së kufizimit ndalues që i jep fisnikëria (burrëria). Ku qëndron një person i tillë me thënien e Shafiut, Allahu e mëshiroftë, që thotë: “Sikur ta dija se uji i ftohtë do ta dëmtonte fisnikërinë time, nuk do ta pija atë.”

Meqenëse njeriu është sprovuar me epshe në dallim me krijesat e tjera, dhe për shkak se në çdo kohë ai ndeshet me të gjitha llojet e ngjarjeve dhe ndodhive, ndaj tij janë vendosur dy referenca gjykimi; feja dhe arsyetimi. Ai është urdhëruar që gjithmonë të gjitha incidentet e lidhura me el-Havaa (epshet, dëshirat) t’i referojë tek këta gjykatës (feja dhe arsyetimi) dhe t’i nënshtrohet vendimit të tyre. Ai duhet të ushtrohet për ta shmangur epshin pasojat e të cilit janë të sigurta, në mënyrë që të jetë i përgatitur dhe t’u shpëtojë edhe pasojave të mëvonshme që ai sjell.

Çdo njeri i arsyeshëm duhet ta dijë se njerëzit e varur pas epsheve arrijnë një gjendje në të cilën nuk gjejnë kënaqësi me to, e megjithatë ata nuk janë në gjendje të heqin dorë prej tyre sepse (epshet) u bëhen si një formë e domosdoshme e jetesës.

Kjo është dhe arsyeja pse alkoolisti dhe i varuri pas kontakteve seksuale nuk e arrjinë as një të dhjetën e kënaqësisë që mund ta arrijë dikush që e praktikon rrallë.

Megjithatë është zakoni (vesi) që e kërkon atë prej tij. Rrjedhimisht ai e çon veten në shtigje shkatërruese për të arritur atë që ja kërkon zakoni. Po të ishte çliruar nga mbulesa e el-Havaa-së do ta kuptonte se mjerimi i erdhi pikërisht andej nga ai priste lumturinë, dëshpërimi i erdhi andej nga mendonte gëzimin, dhe dhimbja i erdhi andej nga ai kërkonte kënaqësinë.

Ai është si zogu që u mashtrua pas një kokrre gruri, të cilën as nuk mundi ta merrte por as nuk mundi të çlirohej nga kurthi në të cilin u kap.

“Përçmimi i shkuarjes pas epsheve”

Shkroi: Dijetari i madh Shemsud-Din Ebu Abdilah Muhamed Ibën Ebi Bekr Ibën Kajim el Xheuzije (691-751).

Shënimet dhe studimi i haditheve: Ali Hasen Ali Abdul Hamid el Halebi el Etheri

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————-

[1] E kemi përmendur pak më parë.

Dosje:

Loading...