Përcillet nga Xhabir ibn Abdullah se ka thënë: Na erdhi i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – për vizitë në shtëpi dhe pa një burrë me flokë të pakrehur dhe të shpërndarë dhe tha: “A nuk mundi ky të gjente diçka me të cilën të qetësonte flokët e veta?!”
Dhe pa një burrë tjetër me rroba të pista e i tha: “A nuk mundi të gjente ky diçka me të cilën të pastronte rrobat e veta?!” I saktë.
Dhe ka ardhur me një formë tjetër: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – po hynte në xhami dhe hyri edhe një burrë me flokët dhe mjekrën të shpërndarë e të çrregullt. Dhe ai ja bëri me shenjë: Dil! – Sikur donte t’i thoshte: ‘Rregullo flokët dhe mjekrën!’ – Dhe ashtu bëri burri, pastaj u kthye. Tha i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kjo është më mirë se sa të vijë ndonjëri prej jush me flokë të shpërndara sikur të ishte shejtan” Dhe zinxhiri i tij është i saktë.
(Es-Silsileh es-Sahihah/ Tema: Edukata, kërkimi i lejes dhe lidhjet farefisnore)
Ka thënë Zerkani në shpjegimin që i ka bërë këtij hadithi që ka ardhur edhe tek ‘Muuetta’ i Imam Malikut: ‘Duke e shëmbëllyer këtë pamje të shëmtuar me shëmtinë e shejtanit, gjë që ishte e njohur në traditën e arabëve, edhe pse ai s’mund të shihet me sy, por për shkak të mospëlqimit të pamjes së tij që Allahu e ka bërë të natyrshme në shpirtrat e njerëzve. Dhe po në këtë kuptim vjen edhe fjala e Allahut – të Lartësuar për pemën ‘Zekkum’ në Xhehennem: “Frytet e saj sikur të ishin koka shejtanësh” (Saffat: 65)
Për këtë ajet ka thënë Kurtubiu: “E krahasoi me kokat e shejtanëve për shkak të shëmtisë së tyre. Dhe kokat e shejtanëve imagjinohen në mendje edhe pse nuk mund të shihen. Prandaj ata i thoshin çdo gjëje të shëmtuar: ‘Është si pamja e shejtanit.’ Dhe çdo pamjeje të bukur i thoshin: ‘Si pamja e engjëllit.’ Dhe në këtë kontekst ka ardhur edhe fjala e Allahut kur na njofton për shoqet e Jusufit (që i mblodhi gruaja e ministrit në shtëpinë e saj) të cilat thanë kur e panë: “Ky nuk është njeri! Ky s’është tjetër veçse një engjëll fisnik!” Dhe ky është krahasim imagjinar. Dhe me këtë kuptim është përcjellë nga Ibn Abbasi.”
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve