Author: Sidik Hasan Khan

Kohët e Namazit

Allahu thotë: “Përkujdesuni për namazet dhe në mënyrë të veçantë për namazin e mesëm dhe të jeni adhurues të Allahut”. Urdhërimi për faljen e namazit nënkupton kryerjen e tij në kohë dhe hapësirë por pa e përcaktuar specifikisht, kjo sepse koha dhe hapësira janë element të domosdoshëm në kryerjen e veprimit. Kurse për sa i përket kohës specifike në të cilën është i ligjëruar secili namaz apo forma e namazit me kushtet dhe veprimet e tij specifike, nuk gjejmë në këtë ajet asnjë lloj argumentimi, as në mënyrë direket apo indirekte. Detajet e kohëve të namazeve apo forma e secilit namaz gjenden vetëm në Sunetin e saktë në thëniet dhe veprimet e Profetit ndërsa në Kuran mund të gjejmë vetëm ndonjë ajet që përmend ndonjë detaj prej detajeve të namazit si p.sh fjala e Tij: “Kur të doni të ngriheni për tu falur lani fytyrat tuaja…” pra u përmend abdesi i cili është kusht prej kushteve të namazit. Po ashtu mund të gjejmë në Kuran përmendjen e ndonjë pjese të namazit siç është rukuja dhe sexhdeja por përsëri pa i cilësuar më tej në formë apo numër, gjëra të cilat janë të sqaruara në Sunetin e pastër.

Koha e drekës:

Përcaktimi i cakut fillestar dhe i atij përfundimtar për secilin kohë të namazit është vërtetuar në hadithet e sakta, si p.sh në hadithin e Xhibrilit ku tregohet që i mësoi Profetit namazin apo tregimi i namazit që Profeti u bënte atyre që e pyesnin, etj.

Autori tha: Fillimi i kohës së drekës është zeuali.

Shpjeguesi tha: Zeuali është shmangia e diellit nga pika e zenitit. Shenja dalluese e kësaj është hija që objekti lë nga drejtimi i lindjes, gjë e lehtë për tu njohur nga çdokush që ka dy sy.

Autori tha: Ndërsa fundi i kohës së drekës është kur të arrijë hija e objektit gjatësinë e vetë objektit, duke i shtuar dhe fej’u ez-zeual (hija që mbetet e pazhdukur në kohën e zeualit).

Autori tha: Njëkohësisht ky është dhe fillimi i kohës së ikindisë.

Shpjeguesi tha: D.m.th momenti kur hija arrin gjatësinë e vetë objektit. Ibn Kajimi ka thënë: Sahabët e falnin ikindinë me Profetin dhe më pas ndonjëri prej tyre shkonte deri në vendin e quajtur Auali, përafërsisht 4 milje, ndërsa dielli vazhdonte të ishte lart (dukshëm)[1].

Enesi -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- ka thënë: Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- e fali ikindinë me ne dhe më pas i erdhi një person nga fisi Benu Selemeh dhe i tha: O Resulallah ne duam të therim një deve dhe ne dëshirojmë që të jesh i pranishëm aty. Tha: “Po”. U nis për atje dhe ne u nisëm së bashku me të. Kur arritëm, ata nuk e kishin therur akoma devenë, atëherë u ther, u nda dhe u gatua një pjesë e saj për ne. Hëngrëm prej saj dhe mbaruam para se të perëndojë dielli[2].

Është e pamundur që e gjithë kjo të ketë ndodhur pasi që hija kishte arritur dyfishin e gjatësisë së objektit[3].

Transmeton tek Sahiu i Muslimit se Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Koha e drekës vazhdon të jetë përderisa nuk arrin ikindia”[4].

Këtyre dispozitave profetike nuk mund tu kundërvihet asgjë tjetër më e saktë, më e qartë dhe më e drejtpërdrejtë (për vetë faktin se nuk ekziston diçka e tillë në lidhje me këtë sunet).

Autori tha: Koha e ikindisë është për sa kohë që dielli është i qartë dhe shkëlqyes.

Shpjeguesi tha: Koha e fundit e ikindisë është atëherë kur hija arrin dyfishin e gjatësisë së objektit.

Imam Shafiu ka thënë: Fundi i kohës së ikindisë gjatë së cilës njeriu ka liri (ta vonojë) është të arrijë hija dyfishin e gjatësisë së objektit. Në një mendim tjetër është thënë: Derisa dielli të zverdhet. Ndërsa koha e fundit e domosdoshme (në të cilën lejohet vonimi vetëm për arsye të forta) është perëndimi i diellit.