Autor, Shejkh Muhammed Shaakir.
Shejkhu i dijetarëve të Aleksandrisë në të kaluarën
1282 – 1358 H.
Parathënia e autorit
Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.
Paqja dhe bekimi qofshin për zotërinë tonë, Muhammedin, zotërinë e pejgamberëve dhe të dërguarve, mbi familjen dhe gjithë shokët e tij.
Këto janë mësime parësore rreth moralit të pëlqyeshëm, të cilat i vendosa për nxënësit e diturive fetare. Kam mbledhur prej moralit aq sa i nevojitet nxënësit të dijes në fillimet e tij, që nëse i jep Allahu sukses, shpresohet që t’i bëj dobi Allahu me anë të tij shumë krijesave të Tij. Allahu është Dhuruesi i mirësive dhe Udhëzuesi në rrugën e drejtë.
Mësimi i parë
Këshillat e mësuesit për nxënësin e tij
O biri im! Allahu të dhëntë dije dhe sukses për punën e mirë! Ti për mua je në gradën e birit tek babai i tij.
Mua më gëzon fakti të të shoh me shëndet të mirë dhe të kesh dhunti për kuptimin e gjërave. Të jesh me zemër të pastër, me moral të përkryer, duke ruajtur virtytet. Të jesh larg fjalës së ndyrë dhe të kesh sjellje të mirë. Të jesh i dashur tek vëllezërit e tu, të përkrahësh të varfërit, të mëshirosh të dobëtit, të falësh gabimet e të tjerëve dhe të tolerosh të tjerët. Të mos jesh i shkujdesur me namazin tënd, dhe të mos lësh gjë mangët në adhurimin e Zotit tënd.
O biri im! Nëse e pranon këshillën e këshilluesit, atëherë unë jam më parësori që duhet t’ia pranosh këshillën.
Unë jam mësuesi yt dhe edukuesi i shpirtit tënd. Ti nuk do të gjesh ndonjë më të përpiktë se unë për dobinë tënde dhe rregullimin tënd.
O biri im! Unë jam këshillues besnik për ti, prandaj, pranoje atë që do të ta paraqes prej këshillave. Puno me to në praninë time, puno me to me vellëzërit e tu dhe me veten tënde.
O biri im! Nëse nuk do të punosh me këshillën time në vetminë tënde, atëherë do të punosh rrallë me të me vëllezërit e tu.
O biri im! Nëse nuk më merr mua si shembull, atëherë kë do të pranosh?! Për çfarë do të tregosh zell në uljen para meje?!