Nga Ebu Musa el Eshari transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa ku njëra pjesë e saj forcon tjetrën, – dhe ndërthuri mes gishtave të tij.” Muttefekun alejhi.[1]
Ky është hadith madhështor. Në të Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na njofton se si janë besimtarët me njëri-tjetrin, dhe ai përmban nxitje për këtë cilësi dhe tregimin e kujdesit të duhur për të. Besimtarët të jenë vëllezër që mëshirohen dhe duhen mes tyre, dhe që janë të ndjeshëm për njëri-tjetrin. Çdonjëri prej tyre do për tjetrin atë që do për vete dhe përpiqet për këtë. Ata duhet tu kushtojnë rëndësi të mirave të përbashkëta që kthehen me dobi për të gjithë ata dhe të jenë sipas këtij përshkrimi, sepse ndërtesa përbëhet nga themelet dhe muret që rrethojnë (formojnë) shtëpinë dhe muret që rrethojnë pronën private të dikujt. Pjesët përbërëse të shtëpisë siç janë çatia, dyert dhe çdo gjë tjetër që ka lidhje me të. Secila pjesë prej tyre nuk mund të qëndrojë e vetme vetëm nëse i bashkangjiten të gjitha njëra-tjetrës. Kështu duhet të jenë edhe muslimanët; duhet të tregojnë kujdes për zbatimin e fesë dhe rregullave të saj dhe për gjërat që i forcojnë ato, dhe të largojnë pengesat që shfaqen në këtë drejtim.
Detyrat personale (fard ajn) duhet t’i kryejë çdo i përgjegjshëm, dhe nuk lejohet t’i lerë ato apo të lërë diçka mangut prej tyre ai që është i aftë dhe ka mundësi për kryerjen e tyre.
Ndërsa në detyrat kolektive (fard kifaje) duhet të ngrihet për secilën prej tyre një grup i caktuar nga muslimanët, aq sa mjafton për plotësimin e tyre dhe të realizohet ajo që kërkohet. I Lartësuari thotë për xhihadin: “Nuk duhet të dalin të gjithë muslimanët (në luftë). Përse të mos jenë nga çdo grup prej tyre disa që mësojnë fenë ashtu që tua tërheqin verejtjen (ta mësojnë) popullit të tyre kur të kthehen.” | Et Teube: 122. Dhe thotë: “Le të jetë një grup prej jush që thërrasin (ftojnë) për vepra të mira, urdhërojnë për mirësi dhe ndalojnë nga e keqja.” | Al Imran: 104.
Allahu urdhëron për tu ndihmuar në vepra gtë mira dhe devotshmëri sepse synimi i muslimanëve është një, dhe ai është realizimi i të mirave të fesë dhe dynjasë pa të cilën nuk mund të zbatohet feja. Kështu çdo grup përpiqet të kryejë misionin e vet ashtu siç duhet, duke ecur me hapin e kohës dhe duke ju përshtatur situatës apo rrethanave. Kjo nuk mund të realizohet pa u zhvilluar këshillime mes tyre dhe studime rreth të mirave të përgjithshme, dhe duke diskutuar për të zgjedhur mjetet dhe mënyrat më të mira për arritjen e tyre. Duke mos lënë mënjanë bashkëpunimin dhe ndihmën që çdo grup duhet t’i japë tjetrit, qoftë më fjalë, ide apo vepra (që të ketë koordinim dhe bashkëveprim). Kësisoj të shtrohet rruga drejt suksesit dhe mirëqënies së përgjithshme dhe të hiqen pengesat prej saj.
Prandaj duhet që një grup të mësojë e një grup të japë mësim.
Një pjesë del në luftë në rrugë të Allahut pasi t’i ketë perfeksjonuar artet e luftimit.
Një pjesë qëndron përballë armikut në fortifikatë (gadishmëri të plotë) dhe ruan kufijtë dhe vend-depërtimet e armiqve.
Një pjesë merret me industrinë e armatimeve dhe prodhimin e armëve që përputhen me arritjet e kohës.
Një pjesë merret me mbjelljen dhe punimin e tokës, tregtinë apo punët e ndryshme dhe me ekonominë e vendit.
Një pjesë merret me studimin e politikave, diplomacisë dhe çështjeve që kanë të bëjnë me luftën dhe paqen dhe atë se si duhet sjellë me armiqtë në atë mënyrë që i sjell dobi Islamit dhe muslimanëve. Duhet t’ju dhënë përparësi interesave më të larta kundrejt atyre të ultave, dhe duhet larguar të keqen më të madhe me kryerjen e më të voglës duke bërë vlerësimin apo krahasimin mes dëmeve dhe dobive, duke njohur thelbin e dobive dhe dëmeve dhe gradët e secilës prej tyre.
Për ta përmbledhur themi: Të gjithë duhet të përpiqen për arritjen e mirëqënies së përgjithshme që lidhet me fenë dhe dynjanë e tyre, duke u ndihmuar mes veti dhe duke mbështetur njëri-tjetrin. Ta shohin se qëllimi i tyre i përbashkët është një edhe nëse ndryshojnë rrugët për arritjen drejt tij, sepse pikësynimi është një edhe nëse mjetet për arritjen e tij janë të shumëllojshme.
Sa i dobishëm është ky hadith madhështor në të cilin Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e udhëzon umetin e tij që të jenë si ndërtesa pjesët e së cilës forcojnë (mbajnë) njëra-tjetrën, dhe si trupi i vetëm i cili nëse ankohet prej tij një gjymtyrë i gjithë trupi reagon për të me ethe (temperaturë) dhe pagjumësi (siç ka ardhur në hadith tjetër të saktë).
Prandaj Ligjvënësi (Allahu) nxit për çdo gjë që e forcon këtë lidhje, për çdo gjë që fut dashuri mes besimtarëve, për çdo gjë që ndihmon në bashkëpunim për dobi të të gjithëve, dhe ndalon nga përçarja dhe armiqësitë dhe shpërndarja (shpërbërja) e shoqërisë. Këtë e bën në tekste të ndryshme (nga Kurani dhe Suneti) aq sa kjo numërohet prej bazave më të mëdha të fesë e cila duhet ruajtur dhe duhet kujdesur për të, duhet marrë parasysh gjithmonë dhe i duhet dhënë përparësi ndaj gjërave të tjera, dhe duhet përpjekur për të me çdo mjet të mundshëm.
E lusim Allahun e Lartmadhëruar që tua realizojë muslimanëve këtë bazë madhështore, t’i bashkojë zemrat e tyre dhe t’i bëjë ata një dorë të vetme kundër atyre që i luftojnë apo i armiqësojnë! Me të vërtetë Ai është Bujar!
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.
Autor: Abdurrahman bin Nasir es Seadi
Përktheu: Emin Bilali
———————————————————–
[1] Buhari/ kapitulli i namazit / tema : “Lidhja e gishtave në xhami apo diku tjetër”/ hadithi 481.
Muslimi /kapitulli: “Mirësjellja dhe mbajtja e lidhjeve familjare”/ tema : “Mëshirimi, ndjeshmëria dhe forcimi mes besimtarëve”/ hadithi 2585.
Dosje: Libërtha