Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:
“Me të vërtetë që nëse e lë diçka për hir të Allahut Ai do ta zëvendësojë me një tjetër më të mirë se ajo.” Transmeton imam Ahmedi në “Musnedin” e tij me nr. 20738 dhe 23073, dhe e ka saktësuar zinxhirin e transmetimit shejh Albani sipas kushteve të Muslimit në “Ed-Daijfeh” 1/62.
Ka thënë Ibën Kajimi Allahu e mëshiroftë:
“Shprehja “Ai i cili lë diçka për hir të Allahut Ai ia zëvendëson me një tjetër më të mirë se ajo” është e vërtetë. Mënyrat dhe format e zëvendësimit mund të jenë të shumta e të ndryshme, ndërsa forma më e mirë është; afërsia me Allahun, dashuria e Tij, qetësimi i zemrës me Të, forca që ka zemra, zellshmëria, gëzimi dhe të kënaqurit e saj prej Zotit të Madhëruar.” “El-Feueid” 107.
Ndërsa prej shembujve të zëvendësimit në këtë botë të cilët i ka përmendur Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, një ndër ta është rasti i Sulejmanit paqja e Allahut qoftë mbi të:
“Kur Sulejmani i biri i Daudit -paqja e Allahut qoftë mbi ta- theri kalin të cilin e hutoi nga namazi i ikindisë deri në perëndim të diellit, atëherë Allahu i Madhëruar ia nënshtroi erën me të cilën udhëtonte aty ku dëshironte.
Gjithashtu, është dhe rasti i muhaxhirëve (muslimanëve në Mekë të cilët emigruan në Medine) që lanë shtëpitë dhe vendin e tyre për hir të Allahut të cilat ishin gjërat më të dashura për ta. Atëherë Allahu u hapi atyre dyert e kësaj bote dhe u mundësoi të mbretëronin botën, nga lindja e deri në perëndim.
Nëse hajduti do ta kishte frikë Allahun dhe do ta linte vjedhjen e pasurisë së ndaluar, atëherë Allahu do t’ia zevendësonte me pasuri tjetër hallall të barazvlefshme ose më të madhe. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “E ai i cili e ka frikë Allahun, Ai do t’i bëjë rrugëdalje e do ta furnizojë prej nga nuk e pret.” | Surja Talak: 2-3 |
Gjithashtu, nëse ai i cili kryen imoralitet do ta linte veprën e tij të ndaluar për hir të Allahut, atëherë Allahu do t’ia shpërblente me hallall më të mirë se vepra e tij e ndaluar.” ” Raudatul Muhibijn” fq. 445-446.
Ndërsa zevendësimi i të mirave të botës tjetër nuk krahasohet me mirësitë e kësaj dynja.
Ka thënë Ibën Dekijk El-Ijd -Allahu e mëshiroftë-:
“Është e ditur se të gjitha mirësitë e kësaj bote nuk janë të barabarta as me një grimcë të Xhenetit.” “Fet-hul Bari” 6/14.
Gjithashtu, Es-Sindi -Allahu e mëshiroftë- ka thënë:
“Një grimcë e vetme prej botës tjetër është më e mirë se e gjithë dynjaja e çka ka në të.” “Hashijet Ibn Maxheh” 1/356.
Përgatiti dhe përktheu: Ardit Ulqinaku
Dosje: Dynjaja