Imani dhe Islami

July 28, 2025

(1) Kapitulli i Imanit (besimit): Çfarë është besimi dhe sqarimi i përbërësve të tij.

Hadithi i Ebu Hurejrës i cili transmeton se Profeti ﷺ një ditë u shfaq para njerëzve, dhe aty iu afrua një burrë që e pyeti:
– Çfarë është imani (besimi)?
– Imani është të besosh Allahun, engjëjt e Tij, takimin me Të, të dërguarit e Tij dhe të besosh në ringjalljen.
Ai pyeti: Çfarë është islami?
– Islami është të adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh Atij asgjë, të falësh namazin, të japësh zekatin e detyrueshëm dhe të agjërosh Ramazanin.
– Çfarë është ihsani?
– Të adhurosh Allahun sikur po e sheh Atë, sepse edhe nëse nuk e sheh Ai të sheh ty.
– Kur është ora (Kiameti)?
– I pyeturi nuk di më shumë rreth saj sesa pyetësi por do të tregoj për shenjat e saj: kur shërbëtorja të lind zotërinë e saj, dhe kur barinjtë e deveve të zbathur e të zhveshur të garojnë në ndërtimin e godinave të larta. Ajo është e përfshirë tek pesë gjërat që nuk i di askush përveç Allahut.
Pastaj recitoi ajetin: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di orën e caktuar.” | Lukman: 34.

Pastaj njeriu u largua.

Profeti ﷺ tha: Kthejeni atë!
Por nuk panë askënd. Atëherë ai u tha: Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ua mësojë fenë tuaj.”

E transmeton Buhariu në “Libri i Imanit”, kapitulli 37: “Pyetja e Xhibrilit drejtuar Profetit ﷺ për Imanin dhe Islamin”.

(3) Kapitulli për sqarimin e namazeve që janë një nga shtyllat e Islamit.

Hadithi i Talha ibn Ubejdilah i cili tregon: Një burrë nga banorët e Nexhdit erdhi te i Dërguari i Allahut ﷺ me flokë të shpupurisura, dhe dëgjohej zëri i tij i lartë por nuk kuptohej çfarë thoshte, derisa u afrua dhe rezultoi se po pyeste për Islamin.

Profeti ﷺ i tha: “(Janë) pesë namaze në ditë e natë.
Ai pyeti: A kam detyrim tjetër përveç tyre?
Profeti ﷺ tha: Jo, përveç nëse dëshiron të kryesh namaze vullnetare.

Pastaj i përmendi agjërimin e Ramazanit.
Ai pyeti: A kam obligim tjetër përveç tij? Tha: Jo, përveç nëse dëshiron të agjërosh vullnetarisht.

Pastaj Profeti ﷺ i përmendi edhe zekatin.
Ai pyeti: A kam obligim tjetër përveç tij? Tha: Jo, përveç nëse jep vullnetarisht.

Pastaj burri u largua duke thënë: Pasha Allahun, nuk do të shtoj asgjë mbi këtë e as nuk do të pakësoj.

Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: Ka shpëtuar nëse është i sinqertë!”

E transmeton Buhariu në “Libri i Imanit”, kapitulli 34: “Zekati është prej Islamit.”

Sqarime gjuhësore:

Bariz: i dukshëm, i shfaqur.

Rabbeha: zotërinë e saj, pra pronarin apo mbikqyrësin e saj.

Buhm: shumës i “ebhem” që nënkupton dikë pa ndonjë shenjë të veçantë dalluese ose njerëz të panjohur. Mund të nënkuptojë edhe të zinjtë apo njerëzit e varfër që nuk njihen në shoqëri.

“Pa dyshim, vetëm Allahu e di orën e caktuar.” Ajeti i plotë është: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di orën e caktuar. Ai e zbret shiun dhe e di ç’ka në barkun e shtatzënës. Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” | Lukman: 34.

Tha’ir: me flokë të çrregullta, të shpupurisura.

Deuij: zë i lartë e i thellë që përhapet në ajër dhe nuk kuptohet qartë.

اللؤلؤ و المرجان

Marrë nga libri: “Perlat dhe koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët.” (Buhariu dhe Muslimi)

 

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...