Çfarëdo që i ndodh besimtarit është mirësi për të

February 19, 2017

Dijetari i nderuar Muhamed bin Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Çfarëdo që i ndodh besimtarit do të jetë mirësi për të. Nëse është ndonjë vështirësi apo fatkeqësi që e mundon, ai bën durim dhe kështu do të shpërblehet (në ditën e gjykimit) për durimin e tij. Por edhe nëse i ndodh çfarë e gëzon ai tregohet falënderues dhe mirënjohës, e kështu shpërblehet për falënderimin. Besimtari është i fituar në çdo gjendje që përjeton.

Mirëpo, ndodh që shumë njerëzve kur u shtohet pasuria u zgjerohet rrizku (furnizimi) dhe Allahu i begaton me fëmijë e të mira, por atyre u shtohet arroganca dhe mendjemadhësia! Këtyre njerëzve u bën dëm pasuria.

Ndërsa besimtarit të mirë pasuria ia shton edhe më shumë modestinë dhe falënderimin. Ajo që e godet do të jetë shtim i mirësive për të, ose pastrim gjynahesh dhe mëshirë për të. Madje edhe nëse ndodh që muslimanin ta tremb apo ta trishtojë diçka, edhe për këtë i shkruhet shpërblim tek Allahu. Falënderimi i përket Allahut!
“Tefsirul Kuran” i sures El En’am, ajeti 64.

Sufjan eth Theuri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është i mençur ai njeri i cili nuk e shikon fatkeqësinë si mirësi (shkak për arritjen e mëshirës) dhe rehatinë si sprovë.” “Sijeru ealemi nubela” 7/266.

Shejhul Islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Çfarëdo fatkeqësie që i ndodh besimtarit duhet shoqëruar prej tij me durim, pa i humbur shpresat tek mëshira e Zotit. Ai që bën durim dhe i dorëzohet caktimit të Allahut, ai e ka vërtetuar fjalën; “Jam i kënaqur që Zoti im është Allahu.” “El ubudijeh” 1/57.

Përktheu: Edmond Ajdini

Dosje:

Loading...