Të nderuar besimtarë! Predikimi i sotëm do të jetë rreth shkaqeve që ndihmojnë njeriun për të fituar rizkun. Cilat janë shkaqet e shtimit të furnizimit?
Së pari: Muslimani e ka besim të tijin se Ai që furnizon çdo krijesë është Allahu i Lartësuar. Për këtë i Madhëruari thotë: “E nuk ka ndonjë gjallesë në tokë veçse është Allahu Ai që e furnizon atë, dhe Ai di se ku qëndrojnë dhe ku do të përfundojnë, çdo gjë është në një Libër të qartë.” (Hud: 6)
Thotë Ibn Kethiri – Allahu e mëshiroftë: “I Lartësuari bën me dije se Ai e ka marrë përsipër furnizimin e të gjitha krijesave që janë në tokë, të vogla qofshin apo të mëdha, gjallesa që jetojnë në tokë apo në det. Gjithashtu, bën me dije se Ai e di se ku qëndrojnë dhe ku do të përfundojnë. Pra e di se ku është fundi i rrugëtimit të tyre në tokë, ku e kanë strehën e tyre (të përkohshme) dhe ku do të vdesin.”
Në një ajet tjetër i Lartësuari thotë: “Thuaj: Kush ju furnizon prej qiellit dhe tokës?” (Junus: 31) Kush tjetër veç Allahut?!
Dhe thotë në ajetin tjetër: “Dhe në qiell është furnizimi juaj.” (Dharijat: 22)
Në këto ajete Allahu i Lartësuar na bën me dije se Ai i furnizon të gjitha krijesat pa përjashtim, në mesin e tyre edhe njerëzit duke u krijuar furnizimin (ushqimin, pasurinë, shëndetin etj.) dhe duke u dhënë mjetet dhe aftësitë për të arritur deri tek rizku i tyre.
Muslimani po ashtu beson se rizku i çdonjërit prej nesh është shkruar që kur ishim fetus (periudha para-foshnjore) që në barkun e nënës. Për këtë na ka njoftuar i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – duke thënë: “Me të vërtetë, ndonjëri prej jush fillon të formohet në barkun e nënës së vet 40 ditë si një pikë ujë, pastaj po aq ditë i kalon si gjak i ngjizur, pastaj po aq ditë si mish i përtypur, pastaj i dërgohet një engjëll dhe i fryn shpirtin. Ky engjëll urdhërohet të shkruajë katër gjëra; furnizimin e tij, afatin sa do të jetojë, punët që do të bëjë dhe a do të jetë i lumtur apo i trishtuar.”
Thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Me të vërtetë shpirti i shenjtë (Xhibrili) ka hedhur në shpirtin tim (më ka inspiruar) se: Nuk do të vdesë asnjë njeri derisa ta plotësojë afatin e tij (në vite, muaj, ditë, orë, minuta, sekonda) dhe derisa ta marrë të gjithë rizkun e tij (në miliarda lekë, miliona, shëndet, fëmijë, pasuri, makinë, shtëpi, dituri). Prandaj kërkojeni rizkun në formë të lejuar dhe të mos e shtyjë ndonjërin prej jush ngadalësimi i rizkut që ta kërkojë atë me gjynah, sepse ajo që është tek Allahu nuk arrihet veçse me bindje ndaj Tij.”
Askush të mos frikësohet se nuk po i vjen rizku dhe nga mosdurimi të fillojë ta kërkojë atë me haram (Çfarë të bëjmë? Si do jetojmë? Si do ushqehemi? Hajde të mbjellim atë që mbjellin fqinjët…). Kjo është një sprovë prej Allahut, dhe nuk e kalon atë me sukses veçse besimtari i vërtetë i cili beson në këto të vërteta që na tregon Allahu dhe i Dërguari i tij.
Dhe thotë në hadithin tjetër: “Sikur biri i Ademit të arratisej (të ikte) prej rizkut të tij ashtu siç arratiset prej vdekjes, do ta arrinte atë rizku ashtu siç e arrin atë vdekja.”
Rizkut që të ka ndarë Allahu nuk i ikën dot edhe të duash prandaj mos shko pas frikës që hedh në veten tënde shejtani, siç na njofton Zoti ynë i Lartësuar për të duke thënë: “Shejtani ju frikëson me varfëri dhe u urdhëron (u nxit) të bëni vepra të turpshme, ndërsa Allahu ju premton falje prej Tij dhe mirësi. Allahu është Dhurues i Madh, i Gjithëdijshëm!” (Bekare: 268)
Thotë Taberiu në tefsirin e këtij ajeti: “Allahu ju premton se do t’ua mbulojë të metat dhe nuk do t’ju dënojë për to për shkak të sadakave tuaja, dhe (u premton) ‘mirësi’. D.m.th. u premton se do t’ua zëvendësojë lëmoshat që jepni (do t’ju kompensojë për to) dhe do t’ju japë prej dhuntive të Tij e do t’ua zgjerojë rizkun.”
Nga shkaqet për faljen e gjynaheve dhe shtimin e rizkut janë:
1.Sadakaja.
Duhet që njeriu të përpiqet të arrijë tek furnizimi që Allahu i ka siguruar dhe i ka shkruar që kur ishte në barkun e nënës, si dhe të mbështetet tek Allahu ashtu siç bën zogu. Thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Sikur ju të mbështeteshit tek Allahu ashtu siç duhet Ai do tju furnizonte ashtu siç furnizon zogjtë, të cilët dalin nga foletë e tyre të uritur dhe kthehen të ngopur.”
Te ky hadith na shfaqen dy shkaqe të furnizimit që janë:
2. Mbështetja tek Allahu.
3. Përpjekja për fitimin e rizkut. (Të dalë nga foleja dhe të kërkojë ushqimin dhe furnizimin e tij.)
Këtë hadith e ka përmendur Ibn Rexhebi në shtojcën e vet të 40 haditheve të Neueuiut – hadithi me nr. 49 – dhe është argumentuar me të. Dhe ka thënë: Ky hadith është bazë në mbështetjen tek Allahu dhe ai është një nga shkaqet më të mëdha me të cilat fitohet rizku.
Ky hadith është në të njëjtën linjë me fjalën e Allahut të Madhëruar që thotë: “E kur të kryhet namazi (i xhumasë) shpërndahuni në tokë dhe kërkoni nga të mirat e Allahut, dhe përmendeni shumë Allahun në mënyrë që të shpëtoni (të jeni të suksesshëm).” (Xhumuah: 10) Allahu i Lartësuar na nxit që të ecim në tokë dhe të kërkojmë nga të mirat e Tij. Prandaj, përpjekja për kërkimin e rizkut është urdhër prej Zotit dhe qëndrimi duarkryq pa punë nuk pranohet në fenë tonë. Në fund të këtij ajeti Allahu i Lartësuar thotë: “… dhe përmendeni shumë Allahun në mënyrë që të shpëtoni (të jeni të suksesshëm).” A ka ndonjë lidhje mes përmendjes së Allahut dhe rizkut? Po, ka.
4. Tesbihu apo përmendja e Allahut.
Thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe ti mbështetu tek i Gjalli që nuk vdes kurrë, dhe lavdëroje Atë larg të metave.” (Furkan: 58) A nuk do të ishte e qartë dhe e mjaftueshme edhe vetëm sikur të thoshte i Lartësuari: “Dhe mbështetu tek i Gjalli dhe bëji tesbih Atij?” Po, do të mjaftonte, por Allahu dëshiron t’iu kujtojë robërve të Tij të sinqertë se Ai është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë. Të mos merakosen për rizkun sepse Furnizuesi i tyre nuk vdes kurrë dhe depot e Tij nuk shterrojnë kurrë.
Sikur të imagjinonim një njeri shumë të pasur dhe bujar të madh, sa herë që të shkonte i varfri tek ai t’i jepte madje para se ai t’i kërkonte. Duaja më e sinqertë që do të bënte i varfri për të do ishte: ‘O Allah, shtoja jetën!’ Cila do ishte fatkeqësia më e madhe e këtij të varfri? Vdekja e të pasurit.
Allahut i takojnë shembujt më të Lartë. Ai është furnizuesi yt, prandaj sa kohë Furnizuesi yt është i Gjallë o musliman rizku yt është i sigurtë. Po si ta kërkojë robi rizkun e Zotit të tij? Allahu thotë: “… dhe ti bëji tesbih Atij (madhëroje larg të metave Atë).”
Dhe thotë në një ajet tjetër:
“Shtatë qiejt dhe toka e madhërojnë Atë (Allahun) larg të metave dhe çdokush që është në to. Dhe nuk ka ndonjë krijesë veçse e madhëron larg të metave Atë por ju nuk e kuptoni madhërimin e tyre. Me të vërtetë, Ai është i Butë dhe Falës.” (Isra: 44)
Dijetarët e tefsirit thonë: Kudo që të gjesh cilësinë e butësisë së Allahut dije se aty ka diçka që e ka bërë robin ta meritojë dënimin e Allahut. Cili është gjynahu që ka bërë njeriu për të merituar dënimin e Allahut në këtë ajet? Fakti që ai nuk i bën tesbih Allahut, që nuk e madhëron Allahun ashtu si të gjitha krijesat. E megjithatë, Allahu e furnizon besimtarin dhe jobesimtarin. Po sikur ta madhëronte si do ta furnizonte? Patjetër që do ta furnizonte edhe më shumë.
Për ta kuptuar edhe më mirë këtë ajet na vjen në ndihmë suneti. Me të vërtetë ai që ka dituri rreth sunetit tefsiri i vjen menjëherë në mendje, dhe e ka të lehtë kuptimin e fjalëve të Allahut sepse suneti është shpjegim i Kuranit.
Ka ardhur tek Musnedi i Imam Ahmedit dhe tek “El Edebul Mufrad” të Buharit një hadith i saktë, ku Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë: “Kur Nuhut iu afrua vdekja i thirri dy bijtë e tij dhe u tha: Unë do t’ju tregoj (apo do t’ju porosis) për diçka dhe do t’i bie shkurt. Ju porosis për dy gjëra dhe ju ndaloj nga dy gjëra. Ju porosis me fjalën ‘La ilahe il lall llah”, dhe ju porosis që të thoni (shpesh) ‘Subhanallahi ue bi hamdih’ (I Patëmeta është Allahu dhe i Lavdëruar është Ai). Kjo është namazi i çdo gjëje dhe me të furnizohen krijesat.”
Allahu i lartësuar i mbyll ajetet e sipërpërmendura në suren Xhumuah duke u kujtuar besimtarëve një të vërtetë të madhe: “… e Allahu është Furnizuesi më i mirë.” (Xhumuah: 11).
5. Duaja.
Kur na porosit të mos lakmojmë atë që gjendet në duart e të tjerëve dhe të mos kemi zili për ta, Allahu i Lartësuar na këshillon: “Dhe mos lakmoni atë me të cilën Allahu ka privilegjuar disa prej jush mbi disa të tjerë…” dhe në fund të ajetit: “… dhe kërkojini Allahut nga të mirat e Tij.” (Nisa: 32)
Lëre smirën dhe zilinë dhe kërkoji Allahut nga të mirat e Tij. Lutju Allahut të të furnizojë. Kërkoja Allahut furnizimin e mirë dhe të bollshëm.
Këtë e gjejmë tek disa lutje që muslimani është porositur t’i bëjë vazhdimisht në kohë të caktuara. Na ka mësuar Profeti i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – të lutemi pas namazit të sabahut me këto fjalë: “O Allah, unë të kërkoj dituri të dobishme, furnizim të mirë (të pastër, hallall) dhe vepra të pranuara!” Me këtë dua e nis ditën muslimani dhe niset herët të kërkojë bereqetin e tij.
Po ashtu, duaja që bëhet mes dy sexhdeve: “Allahumme gfirli, uerhamni, uehdini, uexhburni, ue afini, uerzuknij uerfa’nij!” (O Allah më fal, më mëshiro, më udhëzo, më forco, më ruaj nga të këqijat (apo më jep shëndet), më funrizo dhe më lartëso!)
Pas namazit farz thuhet: “Allahumme inni eudhu bike minel kufri uel fakri ue adhabil kabri” (O Allah, unë të kërkoj mbrojtje nga mohimi dhe varfëria dhe nga dënimi varrit!)
Lutja për mbrojtje nga varfëria e cila padyshim është shkak për shtimin e rizkut, është edhe ajo që ka ardhur tek duatë/dhikri i mëngjesit: “Allahumme afini fi bedeni, Allahumme afini fi sem’i, Allahumme afini fi besari, la ilahe il la ente. Allahumme inni eudhu bike minel kufri uel fakri ue eudhu bike min adhabil kabri, la ilahe il la ent.”
(O Allah më jep shëndet në trupin tim, O Allah më jep shëndet në dëgjimin tim, O Allah më jep shëndet në shikimin tim, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Teje! O Allah, unë të kërkoj mbrojtje nga kufri (mohimi) dhe varfëria dhe të kërkoj mbrojtje nga dënimi i varrit, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Teje!)
6. Devotshmëria.
Thotë Allahu i Lartësuar: “… e kush i frikësohet Allahut Ai i bën rrugëdalje dhe e furnizon andej nga s’e pret…” (Talak: 2-3)
7. Istigfari.
Erdhi një person tek imam Hasen el Basrij dhe iu ankua për varfërinë e tij, dhe ai i tha: Kërkoji falje Allahut. (Thuaj Estagfirullah shpesh).
Dhe i erdhi një njeri tjetër e iu ankua se nuk kishte fëmijë, dhe ai përsëri i tha edhe këtij: Kërkoji falje Allahut.
I erdhi edhe një i tretë dhe iu ankua për thatësinë që kishte goditur tokën e tij, e i tha edhe atij: Kërkoji falje Allahut!
Njëri prej të pranishmëve i tha: Çdokujt që të vjen ti i thua: Bëj istighfar?!
Haseni iu përgjigj: Nuk kam shtuar gjë mbi Kuranin – dhe lexoi fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe u thashë atyre: Kërkojini falje Zotit tuaj sepse me të vërtetë Ai është Falës i Madh. Iu dërgon shi prej qiellit, ju ndihmon me pasuri dhe fëmijë, dhe ju furnizon me kopshte dhe lumenj.” (Nuh)
Për këtë arsye njerëzit e ditur thonë: Kush shikon telashe në jetën e tij, vështirësi dhe mundime, le ta shtojë istigfarin dhe të shtojë kërkimin e faljes prej Allahut të Madhëruar.
Po ashtu kanë thënë:
“Kur të vjen një mirësi falënderoje Allahun, nëse vonohet furnizimi (rizku) kërko falje tek Ai, e nëse të godet ndonjë fatkeqësi thuaj herë pas here: “La ilahe il-la Ente Subhaneke ini kuntu mine dhalimin” (S’ka zot tjetër që meriton adhurimin përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë isha prej të padrejtëve!)”
8. Falënderimi.
“Nëse falënderoni do t’ua shtoj.” (Ibrahim: 7) Falëndero për të mirat që ke dhe Allahu do t’i shtojë ato.
9. Sinqeriteti në tregti.
Në një hadith thuhet: “Nëse tregtari dhe blerësi janë të sinqertë dhe i sqarojnë të metat që ka malli do t’ju jepet bereqet në tregtinë e tyre. Por nëse gënjejnë dhe fshehin të metat do të fshihet bereqeti i tregtisë së tyre.” Muslimani duhet të jetë besnik në tregtinë e tij nëse do bereqet dhe t’i mbeten ato të mira që ka, të ketë mbarëvajtje në shëndetin e tij, gruaja dhe fëmijët e tij të jenë të mbarë, të mos prishin me thasë atë që ky fiton me trasta. Familjarët e tij të jenë qetësi për të dhe jo armiq të tij. Qetësi në shpirt, mbarëvatje në punë etj. e të gjitha këto janë gjurmë të bereqetit dhe furnizimit të mirë prej Allahut.
10. Mbajtja e lidhjeve farefisnore.
Thotë Profeti (sal lall llahu alejhi ue sel lem):
“Kush dëshiron që t’i shtohet furnizimi (rrizku) dhe t’i zgjatet jeta, atëherë le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”
{Buhariu dhe Muslimi}
11. Të ketë më shumë se një rrugë fitimi.
Këtë e kanë përmendur tek historia e të varfërve që kishin anije në suren Kehf. Të mos jenë të varur vetëm prej një burimi të ardhurash e kur tu iki ai të mbeten pa gjë, por nëse u largohet një burim të ardhurash të kenë një tjetër.
12. Adhurimi.
Adhurimi në përgjithësi është shkak për furnizim prej Allahut të Lartësuar.
Argument për këtë është fjala e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – që thotë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: O biri i Ademit! Preokupohu me adhurimin Tim që të ta mbush kraharorin me pasuri dhe ta largoj varfërinë prej teje. Nëse nuk vepron kështu, atëherë duart do t’i mbush me punë dhe varfërinë nuk kam për ta larguar prej teje!” (Sahihul Xhami, nr. 1914.)
Dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve!
Shkroi: Emin Bilali
Dosje: Tesbih
Të Ngjashme
- A keni dëgjuar për ujin e zemzemit? Udha e Besimtarëve
- Dobi të përfituara nga 40 hadithet e imam Neveviut Salim Et-Tauijl
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve