Cilësitë e muslimanit

December 19, 2015

Nga Abdullah ibn Amr transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Musliman është ai që kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, dhe emigrues (muhaxhir) është ai që emigron prej asaj që ka ndaluar Allahu.” Muttefekun alejhi[1].

Ka shtuar Tirmidhiu dhe Nesaiu: “Dhe besimtar (mu’min) është ai prej të cilit ndihen të sigurt njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre.”[2] Ka shtuar Bejhekiu: “Dhe luftëtar është ai që lufton veten e tij në bindje ndaj Allahut.”[3]

Janë përmendur në këto hadithe kulmi i këtyre emërtimeve të ndershme dhe fisnike me të cilat Allahu i Madhëruar e lidhi lumturinë e dynjasë dhe ahiretit, dhe ato emërtime janë: Islami, imani, hixhreti dhe lufta në rrugë të Allahut, dhe përmendi kufijtë e tyre me fjalë përmbledhëse dhe gjithpërfshirëse duke thënë: Muslimani është ai që kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij. Kjo sepse Islami i vërtetë është dorëzim ndaj Allahut dhe plotësimi i robërimit ndaj Tij, kryerja e detyrimeve kundrejt Tij dhe kryerja e detyrimeve kundrejt muslimanëve.

Nuk plotësohet islami i dikujt derisa të dojë për muslimanët atë që do për veten e tij, dhe kjo nuk mund të realizohet veçse duke shpëtuar ata prej të keqes së gjuhës dhe të dorës. Kjo është shtylla e këtij detyrimi që ka kundrejt muslimanëve. Ai që nuk kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, si mund të jetë zbatues i detyrimit që ka kundrejt muslimanëve?! Prandaj shpëtimi i tyre prej sherrit të tij me fjalë dhe me vepra, është tregues i plotësimit të islamit të tij.

E shpjegoi besimtarin duke thënë se është ai që ndihen të sigurtë njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre. Kur imani rrënjoset në zemër dhe ajo mbushet me të e bën të domosdoshëm zbatimin e detyrimeve të tij (detyrimeve të imanit), më e rëndësishmja prej të cilave është: ruajtja e amaneteve, sinqeriteti në marrëdhënie, dhe largimi nga të bërit padrejtësi njerëzve në gjaqet dhe pasuritë e tyre. Ai që është i tillë njihet në mesin e njerëzve për këto cilësi dhe ata ndihen të qetë prej tij në gjaqet dhe pasuritë e tyre (e dinë se ai nuk dëmton njeri qoftë fizikisht, qoftë në pasuri), dhe kanë besim tek ai për shkak të asaj që dinë për të se i ruan amanetet (gjërat që njerëzit vendosin tek ai në ruajtje).

Nuk ka besim (iman) ai që s’ka amanet.

Ruajta e amanetit është prej detyrimeve më të veçanta të imanit, siç thotë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Nuk ka besim (iman) ai që s’ka amanet.”[4] (që nuk është i besës, nuk e ruan amanetin që i besohet).

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e shpjegoi hixhretin (shpërnguljen, emigrimin) i cili është detyrim personal (fard ajn) për çdo musliman, duke thënë se ajo është largimi nga gjynahet dhe fajet e dënueshme. Ky detyrim nuk bie (nuk largohet) kurrë prej çdo të përgjegjshmi dhe në asnjë lloj situate, sepse Allahu ua ndaloi robërve të Tij veprimin e të ndaluarave (harameve) dhe ecjen drejt gjynaheve. Ndërsa hixhreti i veçantë  që është zhvendosja nga vendi i kufrit (mosbesimit) apo vendi i bidateve (shpikjeve në fe), për në vendin Islam dhe ku zbatohet suneti, është një pjesë e këtij hixhreti dhe nuk është detyrë për çdonjërin por është detyrë nëse ekzistojnë shkaqet e saj të njohura.

Ndërsa luftëtarin në rrugë të Allahut e shpjegoi duke thënë se është ai që lufton veten e tij në bindje ndaj Allahut. Shpirti anon shumë nga përtacia në adhurime dhe është urdhërues për të këqija, si dhe ndikohet shumë nga fatkeqësitë. Prandaj ka nevojë për durim dhe përpjekje që të mësohet me adhurimin e Allahut dhe të qëndrojë në këtë, ashtu siç ka nevojë të luftohet (vetja) për ta ndaluar atë nga kundërshtimi i Allahut (gjynahet) dhe të kërcënohet për to, dhe ka nevojë të luftohet për të bërë durim ndaj fatkeqsive. Pikërisht këto janë adhurimet: zbatimi i urdhërave, largimi nga të ndaluarat dhe durimi ndaj caktimit të Allahut.

Prandaj luftëtar në realitet është ai që e lufton veten në këto gjëra që të zbatojë detyrat e tij. Lloji më i ndershëm e më fisnik është detyrimi i vetes të luftojë armiqtë dhe lufta ndaj tyre bëhet me fjalë dhe vepër, sepse lufta në rrugë të Allahut është kulmi i Islamit.

Kush zbaton atë për të cilën tregon ky hadith (bashkë me shtesat e tij) ka zbatuar krejt fenë. Ai që shpëtojnë muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, prej të cilit ndihen të sigurt njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre, largohet nga ajo që ka ndaluar Allahu dhe e lufton veten e tij në bindje ndaj Allahut. Ky person nuk ka lënë mirësi të dynjasë dhe të ahiretit, të dukshme apo të fshehtë veçse e ka bërë atë, dhe as ndonjë të keqe veçse është larguar prej saj. Allahu është Ai që jep sukses!

 

Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.

Autor: Abdurrahman ibn Nasir es-Sa’dij

Përktheu: Emin Bilali

———————————————————————–

[1] Buhariu 53 dhe Muslimi 40, dhe shprehja është e Buhariut.

[2] Tirmidhiu 2629, Nesaiu 105, 104/8, Ahmedi 2/379, Ibn Hibani 1/406, 180. Tirmidhiu ka thënë: Ky është hadith hasen sahih (i mirë, i saktë).

[3] Ahmedi 6/22, Bejhekiu në “Shuabul iman” 7/499 dhe të tjerë. Shiko “Vargun e haditheve të sakta” 549 të dijetarit të madh Albanit, Allahu e mëshiroftë!

[4] Transmeton Ahmedi 3/135, 154, 210, 251, Ibn Hibani 1/422 e të tjerë, dhe e ka saktësuar shejh Albani në “Sahih el xhami’” 7179 dhe në vende të tjera.

Dosje:

Loading...