Disa njohuri për Ebu Hamid el Gazali

November 26, 2024

Ebu Hamid (El Gazali) ishte ndër ata që u përkushtuan ndaj kësaj lëmie (mistikës) duke u dhënë shumë pas saj. Megjithëse qasja e tij ndaj saj ishte e luhatshme. Këtë luhatje ai e ka përmendur edhe vet në librin e tij të titulluar “El munkidh min ed-dalal”. Ky libër është një traktat i njohur i Ebu Hamidit ku përmend përvojat dhe gjendjet e ndryshme që ka kaluar.

Meqë nuk gjeti në metodologjinë e mutekeliminëve (skolastikëve) në të cilën ishte rritur atë që çon në të vërtetat shpirtërore dhe të vërtetat e kësaj lëmie për të cilën po flasim, dhe për shkak se ilmul kelami (teologjia spekulative) është një shkencë e re (e shpikur), ai u orientua nga ajo që e quajti me këtë metodë (qasje sufiste). Megjithëse sufizmi nuk ishte diçka e re për të, ai ndryshoi shumë në qasjet e tij ndaj sufizmit. Herë thoshte prej fjalëve të sufistëve ato që përputheshin me më të përmbajturit prej tyre, herë thoshte prej fjalëve të sufistëve ato që përputheshin me mesatarët prej tyre, dhe herë thoshte prej fjalëve të sufistëve ato që përputheshin me fjalët e atyre që kishin devijuar prej mendimeve të shumicës.

Për këtë arsye në librat e tij gjenden nivele dhe shkallë të ndryshme. Disa nga traktatet e Ebu Hamidit përmbajnë gabime të rënda si disa prej traktateve të tij mbi sufizmin në librin “Mishkat el enuar” (Llampa e dritave) dhe “Xhevahir el Kuran” (Xhevahiret e Kuranit). Këto përmbajnë sufizëm i cili largohet shumë nga ndikimi i sunetit.

Në fjalët e Ebu Hamidit sidomos në librin e tij “Ihja ulum ed-din” (Ringjallja e shkencave të fesë) ka fjalë të mira dhe të përmbajtura për rrugën shpirtërore, megjithëse ka dhe gabime. Pjesa më e madhe e këtij libri është e përshtatshme dhe me përmbajtje të dobishme edhe pse përmban gabime, madje disa prej tyre janë të rënda.

Për këtë arsye, shejhul Islam Ibn Tejmije kur u pyet për librin “Ihja ulum ed-din”, tha: “Sa i përket ‘Ihja Ulum ed-Din’ pjesa më e madhe e tij është e mirë, por përmban tri përmbajtje të gabuara: mendime të kota sufiste, hadithe të shpikura dhe përmbajtje filozofike.”

Këto janë tri përmbajtje që kanë përzier librin “Ihja Ulum ed-Din” të Ebu Hamidit. Ai ka në të pozita të mira por gjithashtu ka pozita që nuk mund të ndiqen, përkundrazi, ka gabuar qartë në to. Sa i përket haditheve të shpikura kjo ndodh se ai nuk kishte një përkushtim të thellë ndaj studimit të haditheve, veçanërisht nga ana e transmetimit. Këtë e ka pranuar dhe e ka përmendur vetë në disa nga fjalët e tij.

Kjo nuk do të thotë se Ebu Hamidi ishte injorant në lidhje me Sunetin, por ai nuk ishte ndër ata që ishin të përkushtuar ndaj shkencës së transmetimit të haditheve siç ishin ruajtësit (el hufadh) që kishin një përkushtim të thellë ndaj kësaj shkence. Përndryshe ai ishte një jurist i madh nga dijetarët më të shquar të jurisprudencës, veçanërisht në medhhebin shafiit, si dhe një teolog i fuqishëm i njohur në metodologjinë dhe teoritë e shkencës së bazave të jurisprudencës, për të cilën ka shkruar libra të rëndësishëm ndër ta më i njohuri është “El Mustasfa”.

Ai zotëronte edhe dije të tjera. Përsa u përket përmbajtjeve të pasakta të sufistëve ai ka përfshirë disa nga fjalët e sufistëve të devijuar dhe disa nga iluzionet e tyre. Ai i ka pranuar dhe i ka interpretuar ato, madje ka ndërtuar mbi to metoda. Ai ishte mjeshtër në ndërtimin e metodave për rrugët që përmendte.

Përmbajtja e tretë siç aludon Shejhul Islam Ibn Tejmije, është ajo filozofike. Megjithëse dihet se Ebu Hamidi është një nga më të shquarit që ka kritikuar filozofinë dhe ka shkruar libra mbi të, ndër të cilët më i njohuri është “Tehafut el felasife” (Kundërshtimi i filozofëve). Por pasi studioi filozofinë iu përkushtua asaj dhe lexoi librat e Husein ibn Abdullah ibn Sina (Avicena), ai u ndikua nga filozofia e Ibn Sinës.

Megjithëse ai shpesh e kritikonte atë dhe kishte shumë mospajtime me të, fakti që filozofia e Ibn Sinës ishte ndikuese nga mistika, rrezatimi dhe qasjet e ndërlikuara, kjo përputhej me natyrën dhe metodologjinë e Ebu Hamidit prandaj ai u ndikua prej saj sidomos në librin e tij të gjatë “Esh-Shifa” (Shërimi). Për këtë arsye, është thënë se; sëmundja e Ebu Hamidit erdhi nga libri ‘Shërimi’ i Ibn Sinës.

Kjo nuk do të thotë se ai pajtohej me Ibn Sinën apo qëndronte afër mendimit të tij, qoftë në sufizëm apo në filozofi. Përkundrazi, qëndrimi i Ibn Sinës është shumë larg nga ai i Ebu Hamidit. Ebu Hamidi kishte dije të thella mbi sheriatin dhe një respekt të madh për të, si dhe pozita të njohura në hulumtime dhe studime të thelluara.

Sa i përket Ibn Sinës ai është një filozof, siç dihet larg nga kjo fushë dhe kjo pozitë. Ai ka devijime të theksuara në çështjet e adhurimit dhe të teologjisë të cilat i ka shkruar në librat e tij filozofikë, disa prej të cilëve janë të njohur dhe disa të tjerë janë të humbur. Ndër këto libra janë “El isharat ve’t-tenbihat” (Sinjalet dhe paralajmërimet), “Et-talikate” (Shënimet) dhe të tjerë.

Pra, nuk ka asnjë krahasim mes këtyre dy njerëzve. Qëllimi është të theksohet se libri “Ihja ulum ed-din” përmban pozita të mira por përmban edhe devijime ku Ebu Hamidi ka gabuar.

Rezultati që nxirret nga kjo është se në këtë shkencë janë përfshirë shumë njerëz. Ndër materialet më të rekomanduara shkencore janë librat e Shejhul Islam Ibn Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, veçanërisht “Et-tuhfe el-Irakijje” (Dhuntia Irakiane) dhe “El ubudijje” (Traktati mbi adhurimin).

Edhe Ibn Kajjimi ka pozita të mira në këtë fushë, megjithëse niveli i tij i hulumtimit gjithashtu përfshihet ndër ata që kanë njohuri dhe janë të shquar në këtë fushë. Një ndër më të njohurit është Hafidh Ibn Rexheb el Hanbeli i cili është një hulumtues i thelluar në çështje të tilla.

Edhe Ibn Xheuzi ka fjalë mbi këtë temë por fjalët e tij kanë kritika. E njëjta gjë vlen edhe për Ebu Hamidin ku fjalët e tij përmbajnë të metat e veta. Kur thuhet se një tekst ka të meta, kjo do të thotë se kushdo që ka një nivel të mjaftueshëm njohurish dhe hulumtimi mund të përfitojë prej tij.

Njësoj sikur thua se libri “El muhala” i Ibn Hazmit në fikh ka të metat e veta sepse ndjek metodologjinë e njohur dhahirije (literaliste), e cila bie ndesh me rregullat e shumicës. Por në “El muhala” ka një numër të madh hulumtimesh shkencore dhe ide të vlefshme për argumentim. Edhe nëse nuk pajtoheni plotësisht me përfundimet e tij mund të përfitoni nga metodat e tij të argumentimit ose nga burimet e transmetimeve që Ibn Hazmi i mbledh dhe i interpreton.

Shkroi: Dr. Jusuf el Gafijs

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...