Libri “I’lam el muakki‘in an Rabb al alamin” i imamit dhe dijetarit të njohur Shemsudin Ebu Abdullah Muhamed ibn Ebu Bekr ibn Ejub ez-Zer‘i ed-Dimeshki, i njohur si Ibn Kajim el Xheuzijje (v. 751 h). Ai është një nga veprat më të mëdha dhe më unike në shkencën e usul fikhut dhe fikhut të fetvasë, madje edhe në etikën islame.
Ky libër është një enciklopedi juridike dhe metodologjike (usuliste) që paraqet qasjen e selefëve të ndershëm në fetva dhe ixhtihad, dhe thekson rolin themelor të myftiut dhe gjykatësit në umet.
– Rëndësia dhe vlera e librit:
Rëndësia e madhe e librit “I’lam al-Muvakki‘in” shfaqet në disa aspekte:
• Ngritja e pozitës së fetvasë:
Libri e ngre lart pozitën e fetvasë dhe gjykimit (gjykatësisë), duke e paraqitur si një nënshkrim në emër të Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, e jo thjesht si një mendim personal. Kjo i jep peshë fetvasë dhe e shton përgjegjësinë e atyre që e japin atë.
• Referencë për myftitë dhe gjykatësit:
Libri llogaritet një burim i domosdoshëm për çdo njeri që merret me fetva ose gjykim, sepse u tregon atyre metodologjinë e drejtë, i paralajmëron për gabimet dhe i udhëzon në sjelljet dhe kushtet që duhet të kenë.
• Metodologjia e ixhtihadit dhe fikhut:
Ibn Kajimi paraqet një metodologji të jashtëzakonshme në kuptimin e teksteve fetare dhe në nxjerrjen e dispozitave, larg ngurtësisë dhe imitimit të verbër, duke theksuar nevojën për të kuptuar qëllimet dhe shpirtin e sheriatit.
• Kritika ndaj imitimit të verbër:
Ibn Kajimi ndërmerr një sulm të fortë kundër imitimit të verbër dhe fanatizmit juridik (medhhebist), duke ftuar në kthimin tek burimet themelore të legjislacionit: Kurani dhe Suneti.
• Shtrirje e gjerë tematike:
Libri nuk kufizohet vetëm në usul fikh por trajton edhe çështje të thella juridike (fikhije), rregulla të hollësishme metodologjike (usuliste), diskutime gjuhësore dhe argumentime logjike çka e bën një libër gjithëpërfshirës dhe të dobishëm.
• Stili i veçantë i Ibn Kajimit:
Libri dallohet për stilin elokuent dhe tërheqës të autorit dhe për prezantimin e tij interesant, për aftësinë e tij të madhe në argumentim dhe dhënie shembujsh, gjë që e bën librin të lehtë për t’u kuptuar edhe pse ai në realitet trajton tema të thella.
– Përbërësit e librit dhe përmbajtja e tij:
Libri përbëhet nga katër ose pesë vëllime (zakonisht në botimet e njohura) dhe përfshin një hyrje shumë të vlefshme pas së cilës ndahen kapituj dhe tema me rëndësi të madhe:
• Hyrja (el mukadimeh المقدمة):
Ibn Kajimi e fillon me një hyrje madhështore ku shpjegon se dijetarët janë ata që nënshkruajnë në emër të Zotit të botëve dhe se detyra e tyre është ndër më madhështoret. Ai thekson përgjegjësinë e myftiut, nevojën për kërkimin e së vërtetës dhe ndalimin e dhënies së fetvasë pa dije dhe paqartësi.
Gjithashtu, flet edhe për rrezikun e të folurit për Allahun pa dituri.
• Kushtet dhe etikat e muftiut:
Trajton në mënyrë të detajuar kushtet e domosdoshme që myftiu duhet t’i ketë, siç është; njohuria me Kuranin, Sunetin, gjuhën arabe dhe usulul-fikh, si dhe edukatën që duhet të stoliset me të si të jetë i devotshëm, modest, i durueshëm dhe i mëshirshëm ndaj njerëzve.
• Burimet e legjislacionit (teshriut التشريع) dhe argumentet e dispozitave (ahkam الأحكام):
Ibn Kajimi sqaron argumentet e pranuara (dakorduara, el mutefek alejha المتفق عليها) dhe të diskutueshme (el muhtelef fiha المختلف فيها) si:
Kurani,
Suneti,
ixhmaja (konsensusi),
kijasi (analogjia),
istihsani, dhe interesat e përgjithshme të palidhura drejpërdrejt me tekstet fetare (el masalih el mursele المصالح المرسلة), zakoni etj. dhe shpjegon se si myftiu duhet të nxjerrë dispozita (ahkame أحكام) nga këto burime.
• Fikhu i qëllimeve (synimet e sheriatit) dhe politika legjitime fetare (es-sijase esherije السياسة الشرعية):
Libri tregon kuptimin e thellë të Ibn Kajimit për qëllimet e sheriatit islam i cili synon sjelljen e dobive dhe largimin e të këqijave.
Ai flet edhe për politikën legjitime (fetare) që nuk bie ndesh me sheriatin, dhe se ajo bazohet në drejtësi dhe urtësi.
• Llojet e fetvave dhe ndarjet e tyre:
Trajton llojet e ndryshme të fetvasë si ajo me mendim, me analogji, me tekst, me zakon, gjithashtu trajton edhe klasifikimet e dispozitave juridike si:
uxhub – detyrimi, istihbab – rekomandimi, ibaha – lejueshmëria, kerahe – pakëndshmëria, dhe tahrimi – ndalimi.
• Çështje të ndryshme juridike (fikhije) dhe metodologjike (usuliste):
Libri përfshin diskutime të gjera mbi çështje të diskutueshme (hilafije خلافية) në fikh duke përzgjedhur mendimin që e shikon më të saktë sipas argumenteve.
Ai shpjegon pikat e mospajtimeve dhe arsyet e tyre. Gjithashtu, trajton tema të rëndesishme si: mashtrimet juridike (hilet الحيل الشرعية), imitimi, ixhtihadi etj.
• Përgjigje ndaj dyshimeve dhe mendimeve të gabuara:
Ibn Kajimi i kundërvihet disa mendimeve që i konsideron të gabuara ose që devijojnë nga metoda e selefëve, duke u bazuar në argumente të forta qofshin ato dhe logjike.
Përfundimisht shkurt dhe qartë: “A’lam al-Muvakki‘in” nuk është thjesht një libër i fikhut apo usulit, porse një fener shkencor që ndriçon rrugën e nxënësve të dijes, myftinjve dhe gjykatësve, duke forcuar parimet e drejtësisë dhe ndjekjes së saktë të sheriatit në kuptimin dhe zbatimin e tij.
🖋 Shkroi: Fejsal el Alij
🖋 Përktheu dhe pershtati: Behar Hyseni.
Dosje: libra
Të Ngjashme
- Kur fjala dhe vepra bëhen një – Mësime nga Shejh ibn Uthejmin Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Si i Përgatiste Allahu Profetët për Udhëheqje? Udha e Besimtarëve
- Sa herë është burgosur shejhul islam Ibn Tejmije Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Kush ishte Imam Ahmed ibn Hanbel Emin Bilali
- Njihu me dijetarët e mëdhenj (Esh-Shenkiti) Udha e Besimtarëve