Disa veçori të Shamit.
Veçoria e katërt: Xhamia e begatë e Aksas.
Në Sham ndodhet xhamia e begatë e Aksas, ose ndryshe Bejtul-Makdis. Ajo gjendet në Palestinë në qytetin e vjetër “Ilija” ose ndryshe “El-Kuds” siç i thonë myslimanët, ose ndryshe “Jerusalem” siç njihet nga bota e krishterë.
Emrat e xhamisë së Aksas dhe kuptimet e tyre.
Xhamia e Aksas siç thamë më lart njihet me disa emra, ku tre emrat më të njohurit janë:
[El-MesxhidEl-Aksa] që do të thotë [Xhamia më e largët], sepse ajo në lidhje me Mekën është më e largëta.
Ajo me këtë emër është përmendur në Kuran ku Allahu i madhëruar thotë: “I lartësuar qoftë Allahu i Cili e nisi robin e Tij në udhëtim natën, nga xhamia e shenjtë (Qabeja) për në xhaminë e Aksas rreth së cilës kemi hedhur begatinë Tonë.” Shih suretu El-Isra: 1.
[Bejtul-Makdis] që do të thotë [Shtëpia e Pastërtisë], dhe është quajtur me këtë emër sepse ajo është vendi ku njeriu pastrohet nga gjynahet, siç thonë komentuesit e haditheve.
Ajo me këtë emër është përmendur shpesh si në fjalët e Profetit -alejhi selam- ashtu dhe në fjalët e sahabëve, tabiinëve etj. Ja disa shembuj:
Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu- tregon se e ka dëgjuar Profetin -alejhi selam- duke thënë: “Kur Kurejshët më përgënjeshtruan (udhëtimin brenda natës për në xhaminë Aksa) shkova te Hixhri (një vend bosh në formën e një gjysmërrethi përbri Qabes). Allahu ma zbuloi Bejtul-Makdisin dhe unë fillova t’ju tregoj rreth saj.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
El-Bera bin El-Azib -radiallahu anhu- tregon: “Jemi falur me Profetin -alejhi selam- në drejtim të Bejtul-Makdis gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj u urdhëruam të ndryshojmë në drejtim të Qabes.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[Mesxhid Ilija] që do të thotë [Xhamia e qytetit të Ilijasë], sepse thamë se Jeruzalemi njihet edhe me këtë emër ose Ilija është vetë xhamia. Fjala Ilija nga hebraishtja do të thotë [Shtëpia e Allahut] siç thonë dijetarët e gjuhës arabe, dhe sipas këtij mendimi kuptimi i emrit është [Xhamia e Shtëpisë së Allahut].
Edhe ky emër mendohet të jetë përmendur nga Profeti -alejhi selam- në hadithin e ndalimit të udhëtimit veçse për në tre xhamitë e begata, sepse në një prej transmetimeve të këtij hadithi EbuHurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Udhëtohet për në tre xhami; xhamia e Qabes, xhamia ime, dhe xhamia e Ilijasë.” E transmeton Muslimi. Mirëpo ka mundësi që emri të mos jetë përcjellë tekstualisht siç e ka thënë Profeti -alejhi selam-, dhe kështu ky emërtim i bie të jetë nga transmetuesit. Megjithatë, ky emërtim ka qenë i njohur te sahabët dhe tabi’inët sepse ka ardhur edhe në hadithe të tjera.
Ndërtimi i xhamisë Aksa.
Nuk dihet me saktësi se kush e ka ndërtuar por diçka është e sigurtë, se ajo është ndërtuar pas Qabes. Kurani njofton se Ibrahimi -alejhi selam- ka ndërtuar shtëpinë e parë në tokë në Meke për të adhuruar Allahun e madhëruar.
Kurani thotë:
“Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo e Bekës, e bereqetshme dhe udhëzim për mbarë botët.” Suretu Ali Imran: 96.
Kurani gjithashtu thotë:
“Përkujto kur Ibrahimi ngriti themelet e shtëpisë (së Allahut) së bashku me Ismailin, duke thënë: O Zot, pranoje prej nesh se ti je Dëgjuesi dhe i Dijshmi!” Suretu El-Bekara: 127.
Këto dy ajete së bashku tregojnë atë që thamë më lart, se xhamia e Aksas është ndërtuar pas Qabes dhe ndoshta edhe pas Ibrahimit -alejhi selam- duke ditur se ai është ndërtuesi i Qabes. Në këtë përfundim të çon gjithashtu edhe një hadith i Profetit -alejhi selam- ku Ebu Dherri -radiallahu anhu- tregon:
“E kam pyetur Profetin -alejhi selam- se cila xhami është ndërtuar e para? Profeti -alejhi selam- më tha: Xhamia e shenjtë (Qabja). Ebu Dherri i thotë: Pastaj cila? Profeti -alejhi selam- i thotë: Xhamia e Aksas. Ebu Dherri i thotë: Sa ka pasur mes tyre? Profeti -alejhi selam- i thotë: Dyzet vjet. Pastaj ku të kapë namazi falu se aty është xhami.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Prej veçorive të hadithit të Ebu Dherrit -radiallahu anhu- është se ai jep një distancë kohore mes ndërtimit të dy xhamive që është dyzet vjet. S’ka dyshim se këtë xhami e ka ndërtuar familja e Ibrahimit në Palestinë, sepse familja e tij përbënte besimtarët e asaj kohe në atë zonë. Për Ibrahimin nuk dihet nëse mund të ketë qenë gjallë deri në atë kohë dhe po ashtu edhe Is’haku -alejhi selam-, edhe pse mundësia që Is’haku të ketë qenë gjallë është shumë më e madhe sesa ajo e Ibrahimit. Ndërsa Jakubi -alejhi selam- patjetër që ka qenë i gjallë, sepse në kohën e tij dhe të Jusufit-alejhi selam- Beni Israilët u larguan për në Egjipt për të qëndruar gjatë atje deri në kohën e Musës dhe të Harunit -alejhima selam-. Kështu, bazuar në distancën kohore që jep Profeti -alejhi selam- nuk duhet parë për ndërtimin e xhamisë së Aksas pas Jakubit -alejhi selam-, sepse pastaj distanca kohore zgjatet shumë më shumë se dyzet vjet.
Ibn Kethiri – historiani i njohur i Islamit – thotë: “Sipas Ehli Kitabit Jakubi -alejhi selam- është ai i cili e ka themeluar xhaminë e Aksas, e cila është xhamia e Ilijasë – Allahu e nderoftë! Kjo gjë duket e drejtë dhe për të dëshmon edhe hadithi i Ebu Dherrit -radiallahu anhu-. Atë e ka ndërtuar Jakubi -alejhi selam- i cili është Israili, pas ndërtimit të Qabes nga i dashuri i Allahut dhe biri i tij Ismaili me dyzet vjet.” Shih librin e autorit me titull “Kasas El-Enbija (Historitë e Profetëve)”.
Kjo që thotë Ibn Kethiri në versionin e sotëm të Teuratit gjendet në kapitullin ‘Zanafilla’: “Atëherë Hyji i tha Jakobit: Çohu dhe ngjitu në Betel e bano atje. Ndërtoje një ndërtesë në nder të Hyjit.” Shih kapitullin Zanafilla: 35/1.
Edhe Kurani jep shenja se xhamia e Aksas ka qenë para Musës -alejhi selam-, dhe ja dy vende ku mendohet se bëhet fjalë për të.
Allahu i madhëruar kur përmend fjalët e Musës -alejhi selam- pas shpëtimit të Beni Israilëve nga Faraoni, thotë se Musa u tha: “O populli im, hyni në tokën e pastruar të cilën ua ka caktuar Allahu, dhe mos u zmbrapsni që të mos ktheheni të mundur.” Suretu El-Maide: 21.
Fjala e Allahut [hyni në tokën e pastruar] është thënë se është për qëllim Bejtul-Makdis.
Allahu i madhëruar gjithashtu kur përmend historinë e Josha bin Nun -alejhi selam-, profetit që mori drejtimin e Beni Israilëve pas Musës -alejhi selam- thotë: “Përkujto kur i thamë (Beni Israilëve): Hyni në këtë fshat dhe hani prej tij ç’të doni. Te porta të hyni të përkulur duke thënë: “Falna!” që Ne t’ju falim gjynahet e juaja dhe t’ua shtojmë mirësitë punëmirëve.” Suretu El-Bekara: 58.
Fjala e Allahut [hyni në këtë fshat] d.m.th. hyni në Bejtul-Makdis siç thonë shumica e komentuesve të Kuranit, si: Katade (komentues i njohur i Kuranit që ka vdekur pas 110 H), Ismail Es-Sudij (127 H), dhe Er-Rabij bin Enes El-Bekri (140H). Madje për këtë ngjarje ka ardhur edhe një hadith i saktë ku Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Dielli nuk është ndalur për shkak të ndonjë njeriu, veçse për Joshën kur ka shkuar (për të çliruar) Bejtul-Makdisin.” E transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.
Ky përfundim që arritëm nuk bie në kundërshtim me një hadith tjetër të saktë që do të vijë më poshtë, ku thuhet se ndërtuesi i saj është Sulejmani -alejhi selam- sepse ai është ndërtuesi i dytë i saj pas kthimit të Beni Israilëve nga Egjipti, siç thotë Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në historinë e profetëve: “(Hadithi i ndërtimit të Sulejmanit -alejhi selam-) Ka për qëllim dhe Allahu e di më së miri se ai është rindërtuesi i saj, sepse siç thamë mes tyre (Qabes dhe xhamisë së Aksas) ka dyzet vjet. Dhe nuk ka thënë njeri që mes Sulejmanit dhe Ibrahimit ka dyzet vjet veçse Ibn Hibani, dhe mendimin e tij nuk e ka përkrahur njeri dhe as e ka thënë kush para tij.” Shih librin e autorit me titull ‘Kasas El-Enbija’ (Historitë e Profetëve).
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli