Lavdëruar qoftë Allahu, e s’ka dyshim se Ai është i lavdëruar!
Të Tij janë cilësitë më të përsosura të cilat janë aq të madhërishme sa s’kanë të krahasuar.
Atij i takon falënderimi dhe lavdia, si në këtë botë ashtu edhe në amshim!
Te Zoti ynë do të jetë kthimi i gjithçkaje, e për këtë s’ka dyshim.
Allahu i Madhëruar prej bujarisë dhe mëshirës së Tij ndaj robëve besimtarë u caktoi atyre disa vepra, të cilat nëse i veprojnë do t’u bëjnë dobi në këtë botë e do të jenë shkak për vijueshmërinë e sevapeve edhe pasi të kenë ndërruar jetë e të jenë vendosur në varret e tyre.
Banorët e varrezave nga kjo botë janë larguar, nga punët janë penguar dhe nga sevapet janë privuar, ndërsa kjo kategori fatlume nga ky rregull janë përjashtuar.
Ata edhe pse kanë vdekur e njerëzit i kanë harruar, shpërblimi i tyre për disa vepra që i kanë punuar vazhdon pa reshtur e pa mbaruar. Këta fatlumë edhe pse nga bota e punës (dynjaja) janë larguar, shpërblimet për ta vazhdojnë e nderimi dhe sevapet nuk shterojnë.
Gradat e tyre te Zoti i gjithësisë lartësohen, ndërsa të mirat e tyre shtohen e mes njerëzve ato kujtohen.
Eh, sa pozitë e lartë është kjo dhe sa e dëshiruar!
Ajo është garanci për një përfundim të mirë e të nderuar, për të fituar kënaqësinë e Zotit të Madhëruar dhe Xhenetin e Tij të begatuar e të praruar.
O ju që keni besuar!
A e dini se cilat janë këto vepra të mira shpërblimi i të cilave vazhdon edhe pas vdekjes, kur njeriu të jetë vendosur në varrin e tij?
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka treguar se cilat janë ato, ashtu siç gjendet në hadithin e saktë në vijim:
عَنْ أَنَسٍ، قَالَ:
قَالَ رَسُولُ اللهِ -صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ “: سَبْعٌ يَجْرِي لِلْعَبْدِ أَجْرُهُنَّ مِنْ بَعْدِ مَوْتِهِ وَهُوَ فِي قَبْرِهِ: مَنْ عَلَّمَ عِلْمًا، أَوْ كَرَى نَهَرًا، أَوْ حَفَرَ بِئْرًا، أَوْ غَرَسَ نَخْلًا، أَوْ بَنَى مَسْجِدًا، أَوْ وَرَّثَ مُصْحَفًا، أَوْ تَرَكَ وَلَدًا يَسْتَغْفِرُ لَهُ بَعْدَ مَوْتِهِ” .
Nga sahabiu i nderuar Enes ibën Malik transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Janë shtatë vepra shpërblimi i të cilave i vazhdon njeriut në varr pas vdekjes së tij: Lënia trashëgimi e diturisë së dobishme (t’ju lësh njerëzve dituri nga e cila do përfitojnë), t’u mundësosh të përfitojnë nga uji i një lumi (hapja e një vije që të kalojë uji), hapja e një pusi (apo burimi), mbjellja e një palme (hurme arabe apo e çdo peme tjetër të dobishme), ndërtimi i një xhamie, dhurimi i një Mus’hafi (Kurani), si dhe të lësh pas fëmijë të edukuar të cilët luten dhe kërkojnë falje për ty pas vdekjes tënde.”[1]
Vëlla i nderuar!
Medito rreth këtyre veprave dhe mos harro se cilat janë ato, si dhe përpiqu sa të mundesh që të kesh edhe ti hise prej tyre, në mënyrë që të jesh prej fatlumëve të cilët shpërblehen me sevape nga Zoti i tyre edhe pasi të jenë larguar përfundimisht nga kjo botë e përkohshme.
Nxito të veprosh prej tyre atë që ke mundësi ta kryesh e mos vono, pasi vitet ikin njëri pas tjetrit e jeta mbaron. S’ka dyshim se çfarëdo të mire që e depoziton njeriu për veten e tij atë do ta gjejë tek Allahu, ashtu siç ka premtuar në Kuranin e madhërishëm:
وَمَا تُقَدِّمُوا لِأَنفُسِكُم مِّنْ خَيْرٍ تَجِدُوهُ عِندَ اللَّهِ
“…Çfarëdo të mirë që bëni për veten tuaj, do ta gjeni tek Allahu.” | El Bekare: 110.
فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ
“… Kush punon një të mirë sa grimca, atë do ta gjejë.” | Ez Zelzele: 7.
اللَّهَ لَا يُضِيعُ أَجْرَ الْمُحْسِنِينَ (90)
“S’ka dyshim, Allahu nuk ua humb shpërblimin punëmirëve.” | Jusuf : 90.
Dijeni se ajo që gjendet në duart tuaja do të mbarojë e do të zhduket një ditë, ndërsa ajo që gjendet tek Allahu as nuk mbaron e as nuk pakësohet.
O ju që keni besuar!
Le t’i sqarojmë këto vepra të mira një e nga një ashtu që të njihemi më mirë me secilën prej tyre.
E para: Lënia trashëgimi e diturisë së dobishme.
Pra, t’ju lësh njerëzve dituri nga e cila do përfitojnë pasi t’i të kesh vdekur.
Me dituri të dobishme është për qëllim dituria fetare e cila i afron njerëzit me fenë dhe besimin, si dhe i njeh ata me Zotin e tyre, të Vetmin i Cili e meriton adhurimin.
Është për qëllim dituria e cila i udhëzon njerëzit në rrugën e drejtë, ajo dituri me anë të së cilës dallohet e vërteta nga e kota, udhëzimi nga devijimi dhe hallalli nga harami.
Këtu vihet në dukje vlera dhe pozita e nderuar e dijetarëve dhe hoxhallarëve, të cilët këshillojnë për atë që është më e mira.
Ata janë pishtarë me të cilët gjendet udha e drejtë dhe fanar ndriçues me anë të të cilëve orientohen njerëzit. Ata janë ruajtësit e amanetit dhe janë burim i pashtershëm i diturisë dhe urtësisë. Jeta e tyre është mëshirë dhe begati për njerëzit, ndërsa vdekja e tyre është fatkeqësi dhe tragjedi për ta.
Ata e mësojnë injorantin, e këshillojnë të papërgjegjshmin, e zgjojnë të fjeturin dhe ja tërheqin vëmendjen të shkujdesurit. Prej tyre kurrë s’vjen e keqja e as mjerimi, por vetëm udhëzimi dhe shpëtimi.
Kur ndonjëri prej dijetarëve ndërron jetë, dituria e tij mbetet mes njerëzve dhe trashëgohet brez pas brezi.
Librat që kanë shkruar dhe dituria që kanë lënë pas mbetet mes njerëzve dhe përfitojnë prej saj gjeneratat që vijnë. Për të gjitha këto ata shpërblehen në varrin e tyre, për aq kohë sa njerëzit vazhdojnë të kenë dobi prej tyre.
Në të shkuarën thuhej: “Vdes dijetari, por libri i tij mbetet.” Ndërsa sot, jo vetëm libri, por edhe zëri i tij mbetet i regjistruar e i shumëfishuar, madje edhe figura ndonjëherë. Në këtë mënyrë është ruajtur një pjesë e mirë e diturisë së tyre. Ato shumëfishohen dhe përkthehen në gjuhë të ndryshme anë e mbanë globit. Në këtë mënyrë përfitojnë nga dituria e tyre edhe ata njerëz të cilët s’kanë qenë bashkëkohës të tyre.
Cilido që kontribuon për shpërndarjen e mësimeve dhe diturisë së tyre, duke i botuar librat e dijetarëve dhe duke shpërndarë diturinë e tyre, do ketë hisen e tij të shpërblimit dhe sevapeve.
E dyta: T’u mundësosh (njerëzve) të përfitojnë nga uji i një lumi (apo përroi).
Me këtë është për qëllim hapja e një kanali në të cilin do kalojë uji dhe do përfitojnë njerëzit, duke ujitur të mbjellat e duke u bërë të mundur bagëtive të tyre të pijnë prej tij.
Sa dobi dhe përfitim për njerëzit ka në këtë punë fisnike e tepër bamirëse!
Uji është baza e jetës dhe nevoja për të është e patjetërsueshme, e sidomos në vendet e thata ku ndjehet mungesa e tij. Shpërblimin e kësaj punë të mirë e përfitojnë edhe ata të cilët shtrijnë tubacione për kalimin e ujit nga ndonjë rezervuar, lum apo përrua, e po ashtu edhe ata të cilët vendosin depozita apo çezma në vendet publike në mënyrë që t’u bëjnë dobi njerëzve.
E treta: Hapja e një pusi (apo burimi). Kjo vepër e mirë është e të njëjtës natyrë me atë që përmendëm.
Në hadithin e saktë transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Dikë i cili ishte në udhëtim, e kishte kapluar etja. Ai arriti tek një bunar (pus), zbriti në brendësi të tij dhe piu ujë. Kur doli nga bunari pa një qen, i cili për shkak të etjes së madhe kishte nxjerrë gjuhën e po lëpinte pluhur. Atëherë njeriu tha: ‘Edhe këtë qen e paska kapluar etja njësoj si mua’. Atëherë ai zbriti përsëri në bunar, hoqi këpucën e tij dhe e mbushi me ujë, pastaj e kapi me dhëmbë, u ngjit nga bunari e i dha ujë qenit.
Allahu i Madhëruar për këtë vepër të tij e falënderoi dhe ia fali mëkatet.
Të pranishmit e pyetën: O i Dërguar i Allahut, a kemi shpërblim edhe kur u japim ujë kafshëve? Ai u përgjigj: Për çdo krijesë të gjallë keni shpërblim (kur i jepni ujë, kur e ushqeni dhe kur silleni mire me to).”[2]
Kështu pra, Allahu i Madhëruar e falënderoi dhe ia fali mëkatet atij njeriu sepse ai i dha ujë për të pirë një qeni të etur. Si do të ishte puna me atë njeri i cili e hap një pus apo një burim, dhe bëhet shkak që të shuhet etja e kushedi sa njerëzve dhe kafshëve?! Natyrisht që puna e tij është për t’u pasur zili, për t’u admiruar e për t’u përgëzuar.
Mos kurseni ndaj vetes suaj të gjithë ju që keni mundësinë për ta bërë bërë një vepër të tillë, pasi shpërblimi është vërtetë shumë i madh, pa harruar faktin se është gjithashtu prej punëve shpërblimi i të cilave i vazhdon njeriut edhe pas vdekjes së tij.
E katërta: Mbjellja e një palme (hurme arabe). S’ka dyshim se kjo përfshin çdo pemë tjetër të dobishme, siç është; ulliri, fiku, shega, limoni etj.
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka përmendur hurmën arabe pasi ajo konsiderohet mbretëresha e bimëve, si nga funksioni dhe roli që kryen në pastrimin e ajrit, ashtu dhe për nga paraqitja. Ajo jeton gjatë, u reziston ndryshimeve klimaterike gjatë vitit dhe prodhon fruta të shumta dhe dobiprurëse.
Gjatë një tubimi, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u tha shokëve të tij të pranishëm: ”Shembulli i besimtarit, është si shembulli i një peme të cilës nuk i bien gjethet.”
Ndërsa në transmetimin e imam Muslimit tregohet se Abdullah ibën Umeri ka thënë: Një ditë i Dërguari i Zotit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u tha shokëve të tij: ”Më tregoni një pemë e cila është e ngjashme me besimtarin!
Të gjithë të pranishmit filluan të përmendin emrat e pemëve që gjendeshin nëpër shkretëtira dhe lugina.
Abdullah ibn Umer (i cili ishte djalë i vogël në atë kohë) tregon: Në atë çast ma diktoi zemra se ajo pemë është palma (hurma arabe). Unë u mata disa herë ta them, por prezenca dhe autoriteti i shokëve të (mëdhenj të) Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem më bëri me turp. Kur të gjithë heshtën dhe nuk e gjetën dot, i Dërguari i Zotit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: Ajo pemë është hurma arabe.”
Pra, është përmendur mbjellja e kësaj peme pasi frutat e saj janë të konsumueshme në çdo kohë dhe stinë. Ato mund të thahen dhe të përpunohen në shumë forma, duke i bërë të dobishme për njerëzit.
Ato kanë qenë ushqimi më i preferuar i udhëtarëve dhe zahireja (furnizimi) më e dashur për dimër. Frutat e hurmës arabe e ruajnë shijen dhe nuk kalben kollaj. Prej frutave të saj përfitonin njëkohësisht si të varfërit, të cilët e përdornin atë në vend të ushqimit, ashtu edhe të pasurit të cilët e konsumonin si ëmbëlsirë. Poeti arab Ahmed Sheuki për frutat e hurmës arabe thoshte:
Ato janë ushqimi i fukarait, ëmbëlsira e të pasurit,
dhe furnizimi i mërgimtarit dhe udhëtarit.
Cilido që e mbjell një hurmë arabe apo çfarëdo peme tjetër të dobishme, do të ketë shpërblim tek Zoti për çdo kokërr nga e cila do përfitojnë njerëzit sa të jetë ajo pemë.
Prandaj paraardhësit tanë nuk hezitonin të mbillnin pemë, frutet e të cilave i përfituan brezat që erdhën pas tyre. Ata e kanë ditur se kjo është mënyrë e mirë për t’u shpërblyer te Zoti i gjithësisë, si dhe për të fituar bekimet dhe lutjet e njerëzve.
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
”Çdo pemë apo bimë që e mbjell muslimani nga e cila ushqehet ndonjë shpend, njeri apo kafshë, do t’i llogaritet atij sadaka (çdo gjë që është ngrënë prej saj).”[3]
vijon…
Autor: Abdurrazak bin Abdulmuhsin el Bedr
Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond Ajdini
————————————————————-
[1] El Albani në librin e tij “Sahihul xhamiu” me nr. 3596 e ka vlerësuar si hadith hasen.
[2] Buhariu dhe Muslimi.
[3] Muslimi.
Dosje: hadith
Të Ngjashme
- Hadithi i pesë veçorive që e dallojnë të Dërguarin nga pejgamberët e tjerë Udha e Besimtarëve
- Kush vdes pa i bërë Allahut ortak askënd, hyn në xhenet Udha e Besimtarëve
- Tregimi i Temim ed-Darit për El Xhesasen dhe Mesihu Dexhalin Udha e Besimtarëve
- Veprat më të dashura tek Allahu sipas fjalëve të Profetit Udha e Besimtarëve
- Mëkati i atij që merr atësinë e dikujt tjetër Udha e Besimtarëve