Nga Temim ed Dari transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Feja është këshillë, feja është këshillë, feja është këshillë. – Thanë: Për kë o i Dërguar i Allahut? – Tha: Për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, për drejtuesit e muslimanëve dhe për mbarë muslimanët.” Transmeton Muslimi me nr. 55.[1]
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e përsëriti këtë fjali tri herë, për t’i dhënë rëndësi çështjes dhe për ta orientuar umetin që ta dinë me një dije që s’ka dyshim në të, se; feja e gjitha ana e jashtme dhe e brendshme e saj është përmbledhur te këshilla e cila është dhënia e hakut në mënyrë të plotë këtyre pesë detyrimeve.
Këshilla për Allahun është pranimi i njëshmërisë së Allahut dhe veçimit të Tij me cilësitë e plota, në një mënyrë që nuk i bashkohet askush në to në asnjë lloj forme dhe realizimi i njësimit të Tij haptas dhe fshehtas. Kthimi tek Ai në çdo kohë me adhurim dhe duke kërkuar me shpresë dhe frikë, me pendim të vazhdueshëm dhe istigfar të përhershëm. Kjo sepse robi pashmangshëm do të ketë lëshime dhe mangësi në diçka prej detyrimeve që ka ndaj Allahut, apo do guxojë ndaj disa harameve (ndalesave). Prandaj pendimi i vazhdueshëm dhe kërkimi i faljes pandërprerë i plotëson mangësitë e tij dhe plotëson punët dhe fjalët e tij.
Sa i takon këshillës për Librin e Tij ajo bëhet duke e mësuar atë (Kuranin) përmendësh dhe duke medituar rreth tij. Gjithashtu, këtu hyn mësimi i fjalëve të tij dhe kuptimeve që ato kanë, dhe përpjekjes për të punuar me të në veten e tij dhe me të tjerët.
[Sh.p.: Ka thënë dijetari i madh Ibn Dekik el Iid: “Këshilla për Librin e Allahut bëhet së pari duke besuar se ai është fjala e Allahut dhe shpallje prej Tij, dhe se ai nuk ngjan me fjalët e njerëzve dhe njerëzit nuk sjellin dot një si ai. Pastaj madhërimi dhe leximi i tij me texhuid (rregullat e leximit të Kuranit)…” Marrë nga libri “Sherh el erbeiine en-Neueuijeh”, hadithi nr. 7.]
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka këshilluar ta besosh dhe ta duash atë dhe t’i japësh përparësi dashurisë së tij ndaj dashurisë për veten, pasurinë dhe fëmijët. Gjithashtu, këtu hyn pasimi i tij në themelet e fesë dhe degët e saj, dhe t’i japësh përparësi fjalës së tij ndaj fjalës së kujtdo tjetër, të përpiqesh të udhëzohesh me udhëzimin e tij dhe ta ndihmosh fenë e tij.
Ibn Dekik thotë: “(këtu hyn edhe) Armiqësimi i atij që e armiqëson atë (Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe ta duash atë që e do atë, madhërimi dhe respektimi i tij, dhe ringjallja e rrugës dhe sunetit të tij.
Përhapja e sunetit dhe largimi i akuzave ndaj tij (sunetit), dhënia përparësi mësimit të dijeve të tij dhe të kuptuarit të tyre, ftesa për tek ato dhe butësia gjatë mësimdhënies. Të mos flasësh rreth tij (sunetit) pa dije, madhërimi i dijetarëve të tij (dijetarëve të sunetit) dhe largimi nga ai që shpik në sunetit e tij, nga ai që shan apo ofendon dikë nga sahabët apo familja e tij.”
Sa i takon këshillës për udhëheqësit e muslimanëve të cilët janë drejtuesit e punëve të tyre, duke filluar që nga drejtuesi i shtetit e me radhë ata që janë nën të si; ministra, gjykatës dhe kushdo që ka pushtet të përgjithshëm apo të kufizuar, këshilla ndaj tyre bëhet duke e pranuar pushtetin e tyre, duke i dëgjuar, duke treguar bindje ndaj tyre dhe duke i nxitur njerëzit për këtë. Po ashtu duke i orientuar dhe duke ua tërhequr vëmendjen (pushtetarëve) për çdo gjë që u bën dobi atyre dhe njerëzve, dhe duke u dhënë hakun që kanë kundrejt teje.
[Sh.p.: Kuptohet që këshillimi i imamit (drejtuesit, pushtetarit) bëhet në fshehtësi dhe jo para njerëzve, dhe këshillën nuk e jep kushdo por dijetarët e umetit të cilët dinë si të këshillojnë në mënyrën më të mirë. Pra ashtu si na ka mësuar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në mënyrë që ajo (këshilla) të zërë vend më mirë dhe të mos bëhet shkak për ngritjen e njerëzve kundër tij, e për pasojë të ndodhin trazira në vend.
Siç ka vepruar njëri prej sahabëve me Uthmanin kur e këshilloi atë veçmas, larg nga njerëzit, Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të gjithëve. Disa dijetarë selefij kanë thënë se prej këshillës ndaj udhëheqësve është edhe duaja (lutja) për ta, që Allahu t’i udhëzojë dhe t’iu bëjë rrizk (t’iu mundësojë) këshilltarë besnikë. Në këtë kuadër është dhe fjala e njërit prej tyre (selefëve) që thotë: “Sikur të kisha një dua të pranuar do ta bëja për drejtuesin e shtetit.” Kjo sepse nëse rregullohet ai rregullohet shteti dhe njerëzit, dhe e kundërta sjell të kundërtën. O Zoti ynë! Rregulloji drejtuesit tanë dhe udhëzoji në çka Ti kënaqesh!
Nga haku i tyre është edhe: “Mos të ngrihesh kundër tyre me shpatë dhe t’i përkujtosh (këshillosh) ata me butësi dhe mirësjellje.” [Libri i lartpërmendur, në të njëjtin vend.]
Për sa i përket këshillës ndaj mbarë muslimanëve ajo bëhet duke dashur për ta atë që do për veten dhe të urrejë për ta atë që urren për veten. Të përpiqet për këtë me aq sa ka mundësi, sepse ai që me të vërtetë e do diçka përpiqet deri sa ta realizojë dhe ta përsosë atë.
[Sh.p.: Thotë Ibn Dekik el Iid (te kjo hyn edhe); “Mbulimi i (fshehja e) turpeve të tyre, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja me butësi dhe sinqeritet, të ketë për ta dhembshuri, ta respektojë të madhin prej tyre dhe ta mëshirojë të voglin. T’i përkujtojë ata me këshillë të dobishme kohë pas kohe, të mos i mashtrojë, të mos i ketë zili (smirë), t’i mbrojë pasuritë dhe nderin e tyre.”]
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e shpjegoi këshillën me këto pesë gjëra të cilat përmbledhin zbatimin e detyrimeve ndaj Allahut, detyrimeve ndaj Librit të Tij, detyrimeve ndaj të Dërguarit të Tij dhe detyrimeve kundrejt muslimanëve me llojet e ndryshme të shtresave dhe pozitave të tyre. Kështu përfshiu gjithë fenë dhe nuk mbeti gjë veçse ka hyrë në këtë hadith përmbledhës dhe gjithpërfshirës. Allahu e di më mirë!
[Sh.p.: Ibn Dekik thotë në fund të shpjegimit të këtij hadithi: “Këshilla është farz kifaje, që do të thotë se nëse e kryen këtë detyrë dikush në mënyrë të mjaftueshme bie detyrimi nga të tjerët, dhe ajo është detyrë sipas mundësisë.”]
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.
Autor: Abdurrahman ibn Nasir es-Sa’dij.
Përktheu: Emin Bilali
————————————————————–
[1] Pa shprehjen; “Feja është këshillë” (e përsëritur) tri herë. Në këtë formë ka ardhur tek “Suneni” i Ebu Daudit 4944, Tirmidhiu 1926 dhe Nesaiu 7/157.
Dosje: Këshillë