Fillimi i imanit është fjala “La ilahe il-lAllah”

July 31, 2025

(9) Kapitulli: Fillimi i imanit është fjala “La ilahe il-lAllah”.

16 – Hadithi i Musejeb ibn Haznit i cili përcjell: Kur i erdhi vdekja Ebu Talibit, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi dhe gjeti pranë tij Ebu Xhehl ibn Hishamin dhe Abdullah ibn Ebi Umejete ibn Mugiran. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “O xhaxhai im, thuaj ‘La ilahe il-lAllah’, fjalë me të cilën do dëshmoj për ty tek Allahu.
Atëherë Ebu Xheli dhe Abdullah ibn Ebi Umejjete i thanë: O Ebu Talib, a po largohesh nga feja e Abdulmutalibit?
I Dërguari i Allahut ﷺ vazhdonte t’ia ofronte atë (fjalë) dhe ata të dy vazhdonin me atë thënie (kundërshtuese), derisa Ebu Talibi fjalën e fundit tha: (Jam) Në fenë e Abdulmutalibit, – dhe refuzoi të thotë “La ilahe il-lAllah.”
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: Pasha Allahun! Do kërkoj falje për ty deri në momentin kur të më ndalohet.
Atëherë Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet: “Nuk është e lejuar për profetin dhe as për ata që kanë besuar të kërkojnë falje për idhujtarët edhe nëse janë të afërt të tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të zjarrit.” | Et Teube: 113.
E transmeton Buhariu në “Libri i xhenazeve” 23, Kapitulli 81: “Kur idhujtari thotë në çastet e vdekjes ‘La ilahe il-lAllah’.”

(10) Kapitulli: Kush i vjen Allahut me besim pa pasur dyshim, hyn në xhenet dhe i ndalohet zjarri.

17 – Hadithi i Ubades (ibn Samit) i cili përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i vetëm, pa ortak, dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, Isai (Jezusi) është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij, fjala që Ai ia hodhi Merjemes dhe shpirt i fryrë prej Tij, dhe se xheneti është i vërtetë dhe zjarri është i vërtetë, Allahu do ta fusë në Xhenet sipas veprave që ka bërë.”
Një nga transmetuesit e senedit shtoi:
Prej cilësdo derë të tetë dyerve të Xhenetit që të dojë (do të hyjë).”

E transmeton Buhariu në: Libri i Profetëve 60, Kapitulli 47: Fjala e Allahut: “O ithtarët e Librit! Mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni për Allahun tjetër veç të vërtetës.”

18 – Hadithi i Muadh ibn Xhebelit.

Ai tregon: Ndërsa po shoqëroja Profetin ﷺ (duke qëndruar pas tij në kafshën e vet) dhe mes meje dhe atij nuk kishte veç pjesës së pasme të shalës (së kafshës), ai më tha: “O Muadh!
Thashë: Të përgjigjem o i Dërguari i Allahut, dhe jam në shërbimin tënd!
Pastaj eci pak dhe përsëri tha: O Muadh!
Thashë: Të përgjigjem dhe jam në shërbimin tënd!
Pastaj eci pak dhe përsëri tha: O Muadh!
Thashë: Të përgjigjem dhe jam në shërbimin tënd!
Ai tha: A e di ti se cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij?
Thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.
Tha: E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ata ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë (në adhurim).
Eci pak kohë e pastaj tha: O Muadh ibn Xhebel! Thashë: Të përgjigjem o i Dërguar i Allahut dhe jam në shërbimin tënd! Ai tha: A e di se cila është e drejta e robërve mbi Allahun kur ata ta adhurojnë Atë? Thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Tha: E drejta e robërve mbi Allahun është që Ai të mos i dënojë ata.”

Transmeton Buhariu në: Libri i veshmbathjes 101. Kapitulli mbi hipjen e dy personave (mbi të njëjtën kafshë ose mjet).

19-  Hadithi i Muadhit: “Isha pas Profetit ﷺ mbi një gomar që quhej Ufejr dhe ai më tha: O Muadh! A e di ti cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij dhe cila është e drejta e robërve mbi Allahun? Thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Tha: E drejta e Allahut mbi robërit është që ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë, dhe e drejta e robërve mbi Allahun është që Ai të mos e dënojë atë që nuk i shoqëron asgjë. Thashë: O i Dërguar i Allahut, a ti përgëzoj me këtë lajm njerëzit? Ai tha: Mos i përgëzo, se mund të mbështeten mbi këtë (dhe të bëhen të pakujdesshëm).”

Transmeton Buhariu në: Libri i Xhihadit 46, Kapitulli që flet për emrat e kuajve dhe gomerëve.

20- Hadithi i Enes ibn Malikut.

Profeti ﷺ ishte me Muadhin si bashkëudhëtar mbi një kafshë udhëtimi, dhe i tha: “O Muadh ibn Xhebel! Ai tha: Të përgjigjem o i Dërguar i Allahut dhe jam në shërbimin tënd! Pastaj tha: O Muadh! Ai u përgjigj njësoj deri në tri herë. Pastaj Profeti ﷺ tha: Nuk ka njeri që dëshmon se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut me sinqeritet nga zemra, veçse Allahu ka për ta penguar atë nga zjarri. Muadhi tha: O i Dërguar i Allahut, a t’ua jap këtë lajm njerëzve që të gëzohen? Ai tha: Atëherë do të mbështeten tek këto fjalë (dhe do t’i braktisin veprat).” Muadhi e tregoi këtë hadith para vdekjes së tij nga frika se mos mbante një dituri që duhej ndarë me të tjerët.

Transmeton Buhariu në: Libri i dijes 3, Kapitulli 49: “Ai që mëson një grup njerëzish duke lënë një pjesë tjetër nga frika se mos nuk e kuptojnë.”

Sqarime gjuhësore:

– Radif: Ai që hipën mbi kafshë pas një tjetri me lejen e tij, që nënkupton pjesën e pasme të kafshës, vendin ku mbështetet kalorësi. Përdoret për të treguar edhe afërsinë fizike dhe shpirtërore me dikë.

– Lebejke: Do të thotë “I përgjigjem thirrjes tënde përsëri e përsëri”, shprehje për përkushtim dhe gadishmëri ndaj udhëzimit të të Dërguarit ﷺ.

– (Seadejke): “Të ndihmoj përsëri e përsëri”, formë përforcuese e nderimit dhe gadishmërisë.

 

Marrë nga libri: “Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi).

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...