Transmetohet nga Xhabir ibn Abdilah se Profeti ﷺ ka thënë:
“Mua më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt para meje:
1. Jam ndihmuar (përkrahur) me frikë (që u hidhet armiqve të mi) në një distancë sa udhëtimi i një muaji.
2. Më është bërë toka xhami dhe pastruese (përmes tejemumit), prandaj cilindo prej umetit tim që e kap koha e namazit le ta falë kudo që ndodhet.
3. Më është lejuar plaçka e luftës që nuk ishte e lejuar për askënd para meje.
4. Më është dhënë ndërmjetësimi (shefati).
5. Çdo profet dërgohej vetëm për popullin e tij, kurse unë jam dërguar për të gjithë njerëzit.” Hadith i saktë, “Sahih el Buhari” nr. 335.
🖍 Shpjegimi:
I Dërguari ﷺ na njofton se Allahu e veçoi atë me pesë gjëra madhështore që nuk u janë dhënë asnjërit prej pejgamberëve para tij:
1. Ndihma me frikë: Allahu mbushte zemrat e armiqve të tij me frikë, edhe nëse midis tyre kishte distancë udhëtimi njëmujor.
2. Toka si xhami dhe pastruese: çdo vend i pastër mbi tokë është vend faljeje për këtë umet, dhe pluhuri i saj është pastrim (tejemum) kur mungon uji.
3. Lejimi i plaçkës së luftës: ajo që merret nga armiku në luftë është hallall për muslimanët, ndërsa popujt e mëparshëm nuk e kishin të lejuar.
4. Dhurata e ndërmjetësimit të madh (shefatit): në ditën e Kijametit ai do ndërmjetësojë për njerëzit që të çlirohen nga tmerri i madh dhe të fillojë gjykimi, dhe gjithashtu do ndërmjetësojë për hyrjen e besimtarëve në Xhenet.
5. Dërgimi i tij tek të gjithë njerëzit: ndërsa profetët para tij dërgoheshin vetëm për popullin e tyre, ai ﷺ u dërgua për tërë njerëzit dhe xhinët si mëshirë e Zotit për botët.
📝 Dobitë e hadithit:
1. Lejueshmëria e përmendjes së mirësive hyjnore: njeriut i lejohet t’i numërojë begatitë që Allahu i ka dhënë për t’i treguar dhe për të falënderuar Krijuesin.
2. Ky hadith është tregues i mirësisë së madhe që Allahu i dha këtij umeti dhe të Dërguarit të Tij ﷺ përmes këtyre dhuntive të veçanta.
3. Detyrimi i faljes së namazit në çdo rrethanë dhe vend, me kushtet dhe shtyllat që njeriu mundet t’i përmbushë.
4. Shefati i veçantë i Profetit ﷺ ka disa lloje:
– Ndërmjetësimi për fillimin e gjykimit (pas tmerrit të ditës së ringjalljes).
– Ndërmjetësimi për hyrjen e besimtarëve në Xhenet.
– Ndërmjetësimi i posaçëm për xhaxhain e tij, Ebu Talibin, që t’i lehtësohet dënimi por jo të dalë nga zjarri sepse vdiq si jobesimtar.
5. Profeti ﷺ kishte edhe cilësi të tjera të veçanta që nuk përmenden në këtë hadith, si:
– Dhurata e “fjalëve të përmbledhura” (جوامع الكلم), fjalë të pakta me kuptim të thellë.
– Ai është vula e profetëve.
– Umeti i tij është urdhëruar të rreshtohet në namaz si melekët.
Si dhe shumë veçori të tjera që dëshmojnë për pozitën e tij të lartë.
Marrë nga libri: “Ed durar es senije”
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: hadith, Profetin salAllahu alejhi ve sel-lem
Të Ngjashme
- Qëndrimi në xhami është adhurim dhe shpërblim i madh Udha e Besimtarëve
- Kur dija ngrihet dhe padituria sundon Udha e Besimtarëve
- Koha që ikën pa u ndier Udha e Besimtarëve
- Sekreti i bereqetit në veprat dhe kohën e dijetarëve Udha e Besimtarëve
- Kopshtet e Xhenetit dhe dëshirat që nuk shterojnë Udha e Besimtarëve