Haxhi dhe umra janë detyrë një herë në jetë

August 21, 2017

Transmetohet nga Ibën Abasi (radijAllahu anhu) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na mbajti hutbe dhe tha: “O njerëz! Juve u është bërë obligim haxhi.”

El Ekra bin Haabis u ngrit dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Për çdo vit?

Tha: “Sikur ta thosha do të bëhej obligim (çdo vit), dhe sikur të bëhej obligim ju nuk do ta kryenit atë dhe as nuk do të mundeni ta kryeni. Haxhi është i detyrueshëm vetëm një herë (në jetë), dhe kush shton më tepër ai është haxh vullnetar për të.” E transmeton Ahmedi në “El-Musned” (1/255) dhe Nesaiu në “Sunenin” e tij me nr. (2620) me të njëjtin kuptim.

Shejh Muhamed Halak (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:[1] Hadithin e ka nxjerrë Ebu Daudi me nr. (1721), Ibën Maxhe (2886), El-Hakimi (1/441 dhe 470) dhe Ed-Daramiu (2/29). El-Hakimi ka thënë: “Zinxhiri i tij është autentik.”

Fjala përfundimtare është: Hadithi i Ibën Abasit (radijAllahun anhuma) është hadith autentik.

Imam Esh-Sheukani (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Dijetarët janë në kundërshtim përsa i përket umres.

Thuhet se është detyrë (vaxhib).

Thuhet se është e pëlqyeshme (mustehab).

Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) ka dy fjalë në lidhje me këtë çështje, ku më e sakta e tyre është se umra është detyrë (vaxhib).

Hadithet e përmendura në këtë temë tregojnë se haxhi nuk është detyrë veçse një herë të vetme (në jetë), dhe për këtë dijetarët kanë rënë dakort. Siç ka thënë imam En-Neveviu në “El-Mexhmu” (7/13). Shih dhe “Sherh Sahih Muslim” (8/72), Hafidhi (Ibën Haxheri) në “El-Fet’h” (3/378) dhe në “Et-Telkhis” (2/420-421) etj.

Po ashtu dhe umra tek ata që e shohin detyrë kryerjen e saj, nuk është detyrë veçse një herë në jetë. Përpos rastit kur personi zotohet për kryerjen e haxhit ose të umrës, atëherë e ka detyrë përmbushjen e zotimit me kushtet e tij.

“Nejlul-Eutar” vëll. 9.

Përktheu: Unejs Sheme

————————————————-

[1] Recensuesi i librit “Nejlul-Eutar”.

Dosje: ,

Loading...