Historia e burrit që jepte borxhe njerëzve

May 30, 2016

Histori të bukura të treguara nga profeti -alejhi selam-.

Historia e katërt.

Hudhejfeja dhe Ebu Hurejra -radiallahu anhuma- tregojnë se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Melaiket i morën shpirtin një burri që ka jetuar para jush dhe i thanë: Ke bërë ndonjë punë të mirë? Ai u tha: Jo. Ata i thanë: kujtohu! Ai (pasi kujtohet) u tha: unë u jepja njerëzve borxh dhe i porosisja shërbëtorët: t’ia shtyjnë afatin atij që s’ka dhe të pranojnë prej atij që nuk ka mjaftueshëm aq sa ka (në një transmetim tjetër: t’ia falin atij që s’ka dhe t’ia shtyjnë afatin atij  që nuk ka mjaftueshëm). Atëherë Allahu i madhëruar tha: faleni atë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

1- Melaiket janë të ngarkuara me përgjegjësi të ndryshme si: shpallja, shiu, shkruajtja e punëve, ndjekja e mexhliseve të dhikrit, fryrja e surit dhe mes tyre edhe marrja e shpirtrave kur Allahu i madhëruar cakton vdekjen. Meleku i vdekjes është një por sipas këtij hadithi ai ka edhe bashkëpunëtorë në detyrën e tij dhe prandaj në kuran herë vjen në njëjës dhe herë në shumës:

Thuaj: juve ua merr shpirtin meleku i vdekjes i cili është autorizuar për këtë punë” suratu Es-Sexhde: 11.

Dhe kur i vjen ndonjërit prej jush vdekja, të dërguarit tanë u marrin shpirtrat dhe ata nuk neglizhojnë askënd” suratu El-En’am: 61.

2- Melaiket që marrin shpirtrat i pyesin njerëzit për punët e tyre sepse për atë që ka vdekur ka filluar kiameti. Varri është ose gropë prej gropave të zjarrit ose kopsht prej kopshteve të xhenetit siç tregon profeti -alejhi selam- se për robin e mirë thuhet: “Shtroni dhe visheni atë prej gjërave të xhenetit! Hapini atij një portë për në xhenet! Dhe prej saj i vjen nga flladi i xhenetit dhe era e tij” dhe nëse është i keq thuhet: “Shtroni atij prej zjarrit dhe hapni një portë për në zjarr! Dhe prej saj i vjen nga nxehtësia e zjarrit dhe era e tij” e transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

3- Njeriu kur del para Allahut nuk i bën dobi atij veçse puna e mirë sepse këtij njeriu vetëm ajo i bëri dobi. Sheikhul-islam Ibn Tejmije thotë: Ajo që u bën dobi njerëzve ditën e kiametit është puna me të cilën i është bindur Allahut dhe profetit të tij dhe asgjë tjetër siç ka ardhur nga profeti -alejhi selam- kur i ka zbritur ajeti: “Paralajmëro fisin tënd të afërt” suratu Esh-Shuara: 214: “O kurejsh blini vetet tuaja nga Allahu sepse unë nuk bëj dot dobi! O bijtë e Abdumenafit, unë nuk ju bëj dot dobi! O Abas bin Abdulmutalib, unë nuk të bëj dot ty dobi! O Safije halla e profeti -alejhi selam-, unë nuk të bëj dot ty dobi, O Fatime e bija e Muhamedit, kërko prej pasurisë time çtë duash, nuk të bëj dot ty dobi” e transmeton Buhariu.

4- Asnjë punë e mirë qoftë ajo edhe e vogël nuk duhet nënvlerësuar sepse mund të jetë shkak për të fituar mëshirën e Allahut prandaj dhe profeti -alejhi selam- thotë: “Mos nënvlerëso asgjë prej punëve të mira qoftë edhe të takosh vëllanë tënd me fytyrë të hapur” e transmeton Muslimi.

5- Të jesh i dobishëm dhe i mëshirshëm me robtë e Allahut është punë e mirë që e do Allahu qoftë edhe duke u dhënë borxh sepse borxhi është me të drejtë kthimi mirëpo prej plotësimit të mirësisë është që kur ata nuk arrijnë ta shlyejnë borxhin në kohë tia shtysh afatin e nëse ia falë fare është akoma më mirë dhe kjo është edhe porosia e Kuranit kur thotë: “Atij që është në vështirësi shtyjani afatin dhe nëse ia leni sadaka kjo është më e mira nëse e dini” suratu El-Bekara: 281. Këtë lloj mëshire e do shumë Allahu i madhëruar aq sa profeti -alejhi selam- njofton për të dhe thotë: “Kush ia shtyn afatin borxhliut apo ia fal atë është nën hijen e arshit të Allahut ditën e kiametit” e transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheikh Albani.

6- Fakti që puna e këtij burri i cili ishte para këtij ymeti përputhet me porosinë e Kuranit do të thotë se këto dy gjëra kanë një burim dhe ky është Allahu prandaj dhe Nexhashiu (mbreti i Abisinisë) kur dëgjoi fjalët e Kuranit nga sahabet tha: “Kjo që lexuat dhe ajo që ka sjellë Musa -alejhi selam- vijnë nga i njëjti kandil” e transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheikh Shuajb El-Arnauti.

7- Mëshira e Allahut është më e madhe se zemërimi i tij siç thotë profeti -alejhi selam-: “Allahu kur mbaroi krijimin shkroi një shkrim mbi arsh: Rahmeti im ia kalon zemërimit tim” e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Dhe kjo del qartë në këtë hadith sepse burri nuk kishte bërë asnjë punë të mirë veç kësaj që përmendi dhe fitoi me të mëshirën e Allahut.

Përgatiti: Teuta XEKA.

Dosje:

Loading...