Nuk çuditem që një kërkues dijeje të luajë, por habitem si mund të luajë?!
Njërit prej të parëve tanë të mirë (selefëve) i erdhi djali i vogël, dhe i thanë: Urdhëroje dhe largoje të shkojë të luajë. – Ai tha: Për Allahun, nuk dëshiroj të gjej në librin tim ditën e gjykimit se unë kam urdhëruar për lojë, dhe nuk dëshiroj të gjej në regjistrin tim ditën e gjykimit se kam dhënë fetva për lojë. Si mund të luajë?!
Po, loja është për të vegjlit dhe për njerëzit e papunë, ndërsa kërkuesi i dijes ka ambicie më të madhe se kjo.
Por ne e shprehim me një term tjetër dhe themi se; nëse njeriu merret me diçka të lejuar (mubah) dhe kjo nuk e largon nga adhurimi i Allahut, nuk thuhet se kjo është e ndaluar (haram). Sa u përket këtyre lojërave që unë nuk ua di as emrat, por di që ka lojëra në këto pajisje, dihet se shumicës së atyre që i përdorin u janë pushtuar zemrat, u janë verbuar sytë dhe u është shuar drita e arsyes. Të gjithë e dimë tani paralajmërimin e mjekëve për mbrojtjen e këtij brezi të ri nga këto pajisje.
Përmendet se një grua shkoi me djalin e saj te mjeku dhe i tha: Djali im ka kriza konvulsive. Mjeku e futi në një dhomë shumë të madhe ku kishte fëmijë të tjerë të shtruar, dhe i tha: ‘Të gjithë këta janë si djali yt. Ajo pyeti: – Cili është shkaku? Tha:- Shkaku jeni ju që lini këto pajisje në duart e tyre.
Fëmija e tensionon veten, i pushtohet zemra dhe sytë i mbeten të ngrirë në këtë pajisje për orë të tëra, e kur sheh se e humbi lojën pëson kriza.
Këto janë gjëra të rrezikshme. Nëse vërtetohet se dëmtojnë shikimin dhe shëndetin atëherë janë të ndaluara (haram), sepse nuk lejohet dëmtimi i vetes e as i të tjerëve. Shumë prej këtyre pajisjeve që arrijnë këtë gradë janë rreptësisht të ndaluara për të rritur dhe të vegjël. Në përgjithësi ato i kanë larguar njerëzit nga hifzi (memorizimi), nga Kurani, nga Suneti, nga mësimet e tyre dhe nga dëgjueshmëria ndaj prindërve.
I flet fëmijës dhe ai sikur nuk ekziston, i ngulur pas pajisjes. ‘O filan, o filan!’ – por ai nuk dëgjon. Ku i ka ikur dëgjimi dhe shikimi? Janë të zënë me këtë gjë. Kjo është shumë e rrezikshme te fëmijët, po tek të rriturit?! Si mundet njeriu të humb kohë në këto mjete që nuk u krijuan për tjetër veçse për të shpërndarë vëmendjen e muslimanëve?
Ambicia e kërkuesit të dijes është më e madhe se kjo. Sa e përmend Allahun? Sa ajete lexon? Selefët nuk kishin orë, por thoshin: ‘Sa kohë ka mes ezanit dhe ikametit? Sa koha e leximit të 50 ajeteve.’ Ose: ‘Sa koha e faljes së dy rekateve’. Kohën e matnin me namaze. Sot u themi nxënësve: ‘Sa koha e leximit të 50 ajeteve’, dhe ai thotë: ‘O shejh, sa i bie kjo (në minuta)?’ Kjo sepse ai nuk e di sa zgjasin 50 ajete, ngaqë nuk është mësuar. Kjo është dëshmi e largimit të muslimanëve nga feja e tyre.
Humbja e madhe (el gabn) është në ditën e gjykimit. Një nga emrat e asaj dite është ‘Dita e mashtrimit/humbjes’ (Jeum et-tegabun), kur të shohësh se ai që ishte me ty po ngjitet në shkallët më të larta të Xhenetit, ndërsa ti mbetesh peng i gjynaheve dhe i kësaj përtacie.
Njerëzit me ambicie nuk mund të pranojnë për veten e tyre këtë lojë dhe dëfrim, të cilat edhe sikur të mos kishin dëm tjetër përveç humbjes së kohës, do të mjaftonte që i mençuri të mos e humbte kohën e tij në këto pajisje.
Autor: Ibrahim er Ruhajli
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Sekreti i bereqetit në veprat dhe kohën e dijetarëve Udha e Besimtarëve
- Mësime profetike mbi edukatën e gjumit Udha e Besimtarëve
- Etika dhe normat e vizitës në xhaminë e Profetit Udha e Besimtarëve
- Nëse të kanë dëmtuar mos e dëmto shpërblimin tënd Ibën Rexheb el Hanbeli
- Marrja e fëmijëve (të vegjël) në xhami Udha e Besimtarëve