Ebu Hurejra përcjell se Profeti ﷺ një ditë po fliste, dhe pranë tij qëndronte një burrë (nomad) nga banorët e shkretëtirës. Ai (Profeti ﷺ) tregoi: “Një burrë prej banorëve të Xhenetit kërkoi leje nga Zoti i tij që të mbillte (të bënte punë bujqësie) në xhenet.
Allahu i Lartësuar i tha: A nuk je tashmë në gjithçka që ti dëshiron?
Ai tha: Po, por unë e dua mbjelljen.
Kështu ai e hodhi farën, dhe ajo menjëherë sa hap e mbyll sytë mbiu, u rrit, u drejtua, u poq dhe u vol me fryte sa malet.
Më pas Allahu i thotë: Merri o bir i Ademit, sepse asgjë nuk të ngop ty!
Beduini (duke komentuar) tha:
Pasha Allahun, këtë (që do mbjell në Xhenet) nuk do ta gjesh veçse një burrë nga kurejshët ose nga ensarët, sepse ata janë njerëz që mbjellin kurse ne nuk jemi të tillë.” Profeti ﷺ kur e dëgjoi atë, qeshi.
📚 Transmeton Buhariu.
Shpjegimi i hadithit:
Ebu Hurejra tregon se Profeti ﷺ një ditë po fliste, dhe në mesin e të pranishmëve ishte një beduin që dëgjonte me vëmendje. Profeti ﷺ tregoi se njëri prej banorëve të Xhenetit i kërkoi Zotit të tij që ta lejonte të mbillte në xhenet.
Allahu i Lartësuar i tha: “A nuk je tashmë në gjithçka që ti dëshiron? Ai u përgjigj:
Po, por unë e dua mbjelljen.
Ai e lejoi të mbillte. Kështu njeriu hodhi farën, dhe ajo mbiu menjëherë, u drejtua, u rrit, u poq dhe u vol, të gjitha brenda një çasti të vetëm dhe çdo kokërr e frutave të saj ishte sa një mal.
Allahu i tha: Merri o bir i Ademit, sepse asgjë nuk të ngop ty.
Beduini me thjeshtësinë e tij të njohur tha: Pasha Allahun, këtë njeri që kërkon mbjellje nuk e gjen veçse te kurejshët ose ensarët, sepse ata e duan mbjelljen. Sa për ne, nuk e duam mbjelljen dhe nuk jemi njerëz që punojmë tokën.” Profeti ﷺ qeshi.
Mësime të nxjerra nga hadithi:
1. Në Xhenet gjendet çdo gjë që e dëshirojnë shpirtrat nga veprat dhe kënaqësitë e dunjasë.
2. Kush është i lidhur me një mënyrë apo gjendje të caktuar, qoftë në të mirë ose të keqe, lejohet të përshkruhet me të, dhe nuk ka ndonjë pengesë për atë që e përshkruan.
3. Mësojmë atë me të cilën Allahu i ka krijuar natyrat e bijve të Ademit, si dëshira për shtim dhe lakmia ndaj të mirave të dynjasë. E megjithatë, Allahu i ka liruar banorët e Xhenetit nga mundimi dhe lodhja e dunjasë.
4. Hadithi sikur kërkon të vërë në dukje virtytin e kënaqësisë (kana’a) dhe qortimin e lakmisë së tepruar.
5. Hadithi flet për një çështje të sigurt që do të ndodhë, por e sjell me foljen në kohën e shkuar (për forcim kuptimi).
Marrë nga libri: “Ed durar es senije”
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Vendbanimet e banorëve të xhenetit