Transmetohet nga Ibën Umeri se ka thënë: Ndërsa njerëzit ishin në Kuba duke falur namazin e sabahut, erdhi dikush dhe tha: “Të Dërguarit të Allahut iu shpall sot diçka nga Kurani dhe u urdhërua të kthehej nga Kibla, prandaj kthehuni nga Kibla!” Ndërkohë fytyrat e tyre ishin të kthyera nga Shami dhe ata u rrotulluan në drejtim të Qabes. (Muttefekun alejhi.)
Na ka treguar Ebu Bekër bin Ebi Shejbeh, na ka treguar Afani, na ka treguar Hamad bin Selemeh nga Thabiti, nga Enesi radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte duke u falur në drejtim të Bejtul-Makdis, kur zbriti ajeti: “Sigurisht që Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde nga qielli kështu që do të kthejmë ty nga ai drejtim që të kënaq. Ktheje pra fytyrën tënde në drejtim të xhamisë së shenjtë (Qabes)…” | El Bekare: 144. Një burrë nga fisi Beni Selemeh kaloi aty pranë kur ata ishin në ruku në namazin e sabahut, ndërkohë që e kishin falur një rekat, dhe thirri: “Kibla u ndryshua!” Atëherë të gjithë u drejtuan nga Kibla ashtu si ishin në ruku.” (Muslimi.)
Shpjegimi:
Shejh Abdulaziz bin Abdullah er-Raxh’hi thotë: Fjala e tij; “fytyrat e tyre ishin të kthyera nga Shami dhe ata u rrotulluan në drejtim të Qabes.” d.m.th. ata në fillim të namazit ishin të drejtuar në drejtim të Bejtul-Makdis, ndërsa në fund të namazit ishin të drejtuar drejt Qabes. Pra, ai është i vetmi namaz të cilin ata e falën drejt dy kiblave.
Në këtë hadith ka argument me të cilin argumentohen dijetarët, se njeriu nëse falet në shkretëtirë (vend të pabanuar) dhe jo drejt kibles por pas përfundimit të namazit i bëhet e qartë atij se është falur jo në drejtim të kibles (Qabes), namazi i tij është i saktë. E nëse i bëhet e qartë gjatë namazit ai duhet të kthehet në drejtim të kibles dhe namazi i tij është i saktë. Ashtu siç vepruan muslimanët në xhaminë Kuba, të cilët në fillim të namazit ishin në drejtim të Bejtul-Makdis e më pas u kthyen në drejtim të Qabes.
E nëse ai gjendet në një vend, qytet apo fshat me popullsi muslimane dhe falet jo në drejtim të kibles, ai duhet ta përsërisë namazin nga e para. Ngase ai mundet të pyes dikë prej banorëve për drejtimin e kibles dhe po ashtu ka mundësi të shikojë dhe xhamitë (se në cilin drejtim janë kthyer).
Fjala e tij: “kur ata ishin në ruku në namazin e sabahut (el-gadah).” El Gadatu është prej emrave të namazit të sabahut.
Fjala e tij: “… dhe thirri: “Kibla u ndryshua!” Atëherë të gjithë u drejtuan…” është argument për pranimin e transmetimeve që vijnë nga një transmetues i vetëm (ahad). Prandaj, atë e pranuan dhe muslimanët që po faleshin në xhaminë Kuba.
“Teufiku er-Rabbil- Mun’im bi sherh sahih el imam Muslim” vëll. 2.
Përktheu: Unejs Sheme
Dosje: namazi