Kuptimi i vërtetë i Islamit

October 22, 2024

Islami është feja e Zotit të Madhëruar dhe nuk pranon tjetër fe përveç kësaj feje (Islamit): “Feja (e pranuar) tek Zoti është Islami”. Ibrahimi alejhi selam ishte musliman, pra babai i profetëve ishte musliman. Nuhu alejhi selam ishte musliman. Ademi alejhi selam ishte musliman. Musa alejhi selam ishte musliman. Isai alejhi selam ishte musliman. Pra, feja tek Zoti është një dhe ajo është Islami. Allahu i Madhëruar thotë: “Ibrahimi nuk ishte as hebre dhe as i krishterë, por ishte një besimtar i pastër (nga idhujtaria) dhe musliman dhe nuk ishte nga idhujtarët.” Është vërtetuar përmes fletushkës së saktë nga Meameri e ky nga Hemam ibën Munebih, ky nga Ebu Hurejra se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Profetët janë vëllezër me nëna të ndryshme. Feja e tyre është një dhe ligjet e tyre janë të ndryshme.” Kjo do të thotë se feja e vetme e pranuar nga Zoti është Islami. Prandaj themi se feja e vetme që Zoti i Madhëruar e pranon është Islami.
Feja e të gjithë profetëve ishte Islami dhe secili profet erdhi me fenë e Islamit. Judaizmi është religjion dhe ligj, por religjioni i tij është Islami ndërsa ligji i tij është ligji i Musait alejhi selam. Krishtërimi në esencë është Islami dhe ligji i tij është ligji i Isait alejhi selam. Isai tha: “Dhe unë erdha për t’ju lehtësuar disa prej atyre që u ishin ndaluar”. “Unë u kam sjellë një shenjë nga Zoti juaj, kështu që frikësojuni Zotit dhe binduni”. Prandaj këto fe nuk duhet të përkufizohen si “fe qiellore”. Kjo është një çështje e rëndësishme që shkakton konfuzion sot. Disa thonë “fetë qiellore” ose “fetë abrahimike”. “Ibrahimi nuk ishte as hebre dhe as i krishterë, por ishte një besimtar i pastër (nga idhujtaria) dhe musliman.” Këto fe nuk janë fe qiellore. Po, ato janë fe që i atribuohen popujve të tyre ose profetëve të tyre por nuk janë fe qiellore. Feja qiellore që i bashkon të gjithë është Islami. Prandaj, mos thoni “fe qiellore” dhe mos mendoni se ka ndonjë fe tjetër të vërtetë përveç Islamit.
Allahu i Madhëruar thotë: “Feja (e pranuar) tek Zoti është Islami”. Gjithashtu ka thënë: “Dhe kush kërkon fe tjetër përveç Islamit nuk do t’i pranohet, dhe në botën tjetër do të jetë ndër të humburit”. Për këtë arsye është përhapur një keqkuptim i Islamit tek disa kur thonë “fetë qiellore”, por jo, Islami është një. Të gjithë profetët ishin në një fe, por cila ishte kjo fe? Është nënshtrimi ndaj Zotit me teuhid, dorëzimi ndaj Tij me bindje (duke iu bindur Allahut dhe të dërguarit që u dërgua tek njerëzit) dhe distancimi nga shirku dhe ithtarët e tij.
Nënshtrimi ndaj Zotit me teuhid do të thotë të dorëzosh fytyrën dhe zemrën tënde tek Zoti, Një dhe i Vetëm, pa adhurim ndaj dikujt tjetër përveç Zotit. Duhet të dish se Ai, i Lartësuari, është Zoti i vetëm që kontrollon gjithçka dhe askush nuk mund të jetë ortak me Të në sundimin e Tij.
Askush tjetër nuk mundet ta lëvizë universin, mbretërinë, qiellin, tokën, detin ose malin përveç Zotit të Madhëruar: “Ajo që dëshiron Allahu ndodh, dhe ajo që Ai nuk dëshiron nuk mund të ndodhë.” Kjo është doktrina e dorëzimit ndaj Allahut përmes njëshmërisë së Tij në rububijje (Zotërim) dhe ibadet (adhurim). Dorëzimi ndaj Allahut nënkupton bindjen ndaj urdhrave të Tij, ashtu siç kanë ardhur në Librin e Tij ose përmes të Dërguarit të Tij.
Heqja dorë nga shirku dhe ithtarët e tij është detyrë e domosdoshme. Shirku është një padrejtësi e madhe ndaj Allahut të Lartësuar, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Vërtet, shirku është një padrejtësi e madhe”.
Kushdo që i bën shirk Zotit ka bërë padrejtësi ndaj Tij, prandaj duhet të distancohemi nga kjo padrejtësi e tij.

Autor: Salih Al Shejh

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...