Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “I vjen shejtani ndonjërit prej jush dhe i thotë: Kush e krijoi këtë? Kush e krijoi këtë? – derisa i thotë: Kush e krijoi Allahun? Nëse arrin këtu, le t’i kërkojë mbrojtje Allahut prej shejtanit të mallkuar dhe t’i japë fund.”[1] Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Le të thotë: Besova në Allahun dhe të Dërguarit e Tij.” Muttefekun alejhi.[2] Ndërsa në një shprehje tjetër thuhet: “Vazhdojnë njerëzit të pyesin veten derisa thonë: Kush e krijoi Allahun?”[3]
Ky hadith tregon se patjetër shejtani do ta hedhë këtë dyshim të kotë si cytje (vesves) të fortifikuar, ose me gojën e shejtanëve prej njerëzve dhe ateistëve prej tyre. Kjo ndodhi ashtu siç paralajmëroi dhe të dyja ato gjëra kanë ndodhur. Vazhdon shejtani të hedhë në zemrat e atyre që nuk kanë urtësi këtë pyetje të kotë, dhe vazhdojnë ateistët ta hedhin këtë dyshim i cili është nga më të kotët dhe flasin për prejardhjen e botës me fjalë boshe dhe idjote.
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka udhëzuar në këtë hadith madhështor se si ta hedhim poshtë këtë pyetje me tre hapa.
I pari: duke i dhënë fund (duke hequr dorë prej kësaj).
I dyti: duke kërkuar mbrojtjen e Allahut prej shejtanit të mallkuar.
Dhe i treti: me besim.
Përsa i përket dhënies fund themi: Me të vërtetë Allahu i Lartësuar u ka vendosur kufij mendimeve dhe logjikës, një kufi tek i cili të gjitha përfundojnë dhe nuk shkojnë dot më tej, dhe është e pamundur kapërcimi i tij edhe nëse përpiqen pambarim. Përpjekja për të pamundurën është diçka e kotë dhe mendjelehtësi. Prej pamundësive më të pamundshme është vazhdimi pambarim në zinxhirin e shkak-pasojave, sepse krijesat kanë një fillim dhe një mbarim dhe t’i mund të ecësh pas këtij zinxhiri derisa të arrish tek Allahu i Cili i krijoi këto krijesa dhe ua caktoi cilësitë, lëndën dhe përbërësit e tyre: “Dhe tek Zoti yt është fundi (përfundimi).” | En Nexhm: 42.
Kur mendjet mbërrijnë tek Allahu i Lartësuar ndalen dhe qëndrojnë, sepse Ai është i Pari para të Cilit nuk kishte gjë dhe i Fundit pas të Cilit nuk mbetet gjë. Fillimi i Tij nuk ka fillues. Ai është krijuesi i kohës, i gjendjeve dhe i mendjeve të cilat janë disa nga fuqitë e njeriut. E si përpiqet atëherë mendja të sjellë një pyetje të tillë të kotë?! Prandaj, qëllimi i saj i pashmangshëm në këtë rast duhet të jetë të ndalet dhe t’i japë fund.
Gjëja e dytë që duhet bërë në këto raste është të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar, sepse kjo është vepër e tij dhe pëshpëritje e pistë prej pëshpëritjeve që hedh në zemrën e njeriut që ta bëjë dyshues në besimin e tij për Zotin. Prandaj nëse robi e gjen këtë në vetvete, le t’i kërkojë mbrojtje Allahut prej dëmit të shejtanit të mallkuar! E ai që kërkon mbrojtjen e Allahut me sinqeritet dhe me gjithë fuqinë e zemrës, Allahu do ta ruaj dhe do ta largojë shejtanin prej tij, dhe kështu do shkatërrohet cytja e tij e kotë.
Gjëja e tretë është që ta dëbojë (këtë mendim) me atë që i kundërvihet prej besimit në Allahun dhe të Dërguarit e Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Allahu dhe të Dërguarit e Tij kanë njoftuar se Ai është i Pari para të Cilit nuk ekzistonte asgjë, dhe se Ai është veçuar me njëshmërinë e Tij (me faktin se është Një, unik, pa të ngjashëm në asnjë pikëpamje) me krijimin dhe gjendjen e (sjelljen në ekzistencë të) të gjitha gjërave të kaluara dhe të ardhshme.
Ky besim i saktë, i sinqertë dhe i palëkundur i dëbon të gjitha ato që e kundërshtojnë prej dyshimeve që hyjnë në të (dhe duan ta shuajnë), sepse e vërteta e largon të kotën dhe dyshimet nuk e rrëzojnë dot bindjen (sigurinë).
Këto tri gjëra që i përmendi Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i largojnë këto dyshime që vazhdojnë të përsëriten nga gojët e ateistëve, të cilat ata i hedhin me shprehje të ndryshme. Profeti sal-lAllahu aljhi ue sel-lem urdhëroi që tu jepet fund mendimeve të këtilla të kota, vetëm kështu ndërpritet zinxhiri i pafund dhe i kotë shkak-pasojë. Pastaj udhëzoi në kërkimin e mbrojtjes së Allahut nga shejtani i mallkuar i cili është burimi i këtyre dyshimeve, dhe porositi me besim të shëndoshë i cili i dëbon të gjitha ato gjëra të kota që e kundërshtojnë.
Falënderimi i takon Allahut! Me dhënien fund mendimeve të kota e preu të keqen menjëherë, me kërkimin e mbrojtjes së Allahut prej shejtanit ndërpreu shkakun e së keqes, dhe me besim të shëndoshë dhe të sigurt strehoi dhe mbrojti nga çdo gjë që e kundërshton atë.
Këto tri gjëra janë përmbledhja e të gjitha shkaqeve që dëbojnë të gjitha dyshimet që i kundërvihen besimit. Për këtë arsye u duhet kushtuar vëmendje atyre në çdo gjë që bie ndesh me besimin, qofshin ato dyshime apo pështjellime.
Muslimani duhet t’i largojë ato menjëherë me argumente që i hedhin poshtë ato dhe që vërtetojnë të vërtetën pas së cilës nuk ka veçse humbje të qartë. Duke kërkuar mbrojtjen e Allahut prej shejtanit i cili hedh në zemra sprovat e dyshimeve dhe sprovat e epsheve, me qëllim që ta lëkundë besimin e tyre duke i shtyrë në gjynahe të ndryshme.[4] Me durim dhe bindje njeriu arrin të shpëtojë prej sprovës së epsheve dhe sprovës së dyshimeve: “Dhe bëmë prej tyre imamllarë (udhëheqës) që udhëzonin me lejen Tonë, pasi duruan dhe ishin të bindur në argumentet Tona.” Allahu është Ai që jep sukses dhe që mbron!
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.
Autor: Abdurrahman ibn Nasir es-Sa’dij
Përktheu: Emin Bilali
——————————————————————————
[1] Transmeton Buhari/ kapitulli: “Fillimi i krijimit”/ tema: “Cilësia e Iblisit dhe ushtrisë së tij”/ hadithi nr. 3276. Dhe Muslimi/ kapitulli i imanit/ tema: “Sqarimi i cytjeve në besim”/ hadithi nr. 134.
[2] Kjo shprehje është tek Muslimi/ kapitulli i imanit/ hadithi nr. 134.
[3] Po aty.
[4] Sh.p.: Dhe të mendosh që shejtani vet ka qenë dikur adhurues i Atij për të cilin hedh dyshime!
Dosje: hadith