Llojet e Zemrave

October 5, 2007

 

 

Llojet e zemrave

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe begatitë e Tij qofshin për Profetin Muhamed -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Allahu nuk i ka krijuar kot krijesat e Tij. Ai i ka krijuar ato për t’i ngarkuar me urdhëresat dhe ndalesat e Tij. Allahu u ka ngarkuar krijesave të kuptuarit e udhëzimeve të Tij në përgjithësi e në detaj. Pastaj mbi këtë bazë i ka ndarë krijesat në të lumtur e të hidhëruar, dhe për të dy grupet ka pregatitur vendbanimin e merituar. Allahu u ka dhuruar krijesave mjetet e dijes e të punës të cilat janë: zemra, dëgjimi, shikimi dhe gjymtyrët e tjera, si mirësi dhe nderim nga ana e Tij. Falënderimin ndaj Allahut për këto shqisa e kryen vetëm ai i cili i përdor këto shqisa në njohjen dhe zbatimin e urdhëresave dhe ndalesave të Allahut. Ndërsa krijesa e cila i përdor këto shqisa në shërbim të dëshirave dhe epsheve, duke mos plotësuar të drejtën e Krijuesit të saj mbi to, ka për tu hidhëruar rëndë kur të vijë momenti i dhënies llogari për shqisat. Llogaria mbi të drejtën e Krijuesit mbi këto shqisa është e pashmangshme.

Allahu thotë:

إن السمع و البصر و الفؤاد كل ألئك كان عنه مسؤلا“

Dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto është përgjegjës.” Suretu El Isra` 36.

Zemra në lidhje me gjymtyrët e tjera është si mbreti mbi ushtarët e tij. Ushtarët veprojnë dhe punojnë sipas urdhërave të mbretit. Të gjithë ushtarët janë të nënshtruar ndaj mbretit. Mbreti ka sundim të plotë mbi ta, kështu që i vendos ku të dëshirojë.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Në trup gjendet një copë mishi, nëse ajo është e shëndoshë i tërë trupi është i shëndoshë.

Meqë pozita e zemrës është e tillë, është mjaft e rëndësishme që krijesat të preokupohen me njohjen dhe ruajtjen e shëndetit të saj.

Zemra mund të jetë e gjallë ose e vdekur dhe në bazë të kësaj ajo ndahet në tre lloje: zemër e shëndoshë, zemër e vdekur dhe zemër e sëmurë.

Së pari: Zemra e shëndoshë.

Zemra e shëndoshë është zemra e pastër. Vetëm ata të cilët e takojnë Allahun me këtë zemër kanë për të shpëtuar ditën e gjykimit.

Allahu thotë

يوم لا ينفع مال و لا بنون إلا من أتى الله بقلب سليم“”

Atë ditë nuk bën dobi as pasuria e as fëmijët. Atë ditë shpëton vetëm ai i cili vjen tek Allahu me zemër të pastër.” Suretu Esh Shuara 88.

Fjala e pastër, e përdorur këtu si cilësi e zemrës, tregon se zemra me një cilësi të tillë është e pastër, e mbrojtur dhe e pacënuar nga sëmundjet.

Zemra e pastër është zemra e cila është ruajtur dhe ka shpëtuar prej epsheve që bien ndesh me urdhëresat dhe ndalesat e Allahut, prej çdo dileme që bie ndesh me lajmet e Allahut, prej çdo adhurimi tjetër përveç adhurimit të Allahut, prej çdo gjykimi tjetër pos gjykimit të Profetit të Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-.

Gjithashtu zemër e pastër është zemra e cila është ruajtur dhe ka shpëtuar në lidhje me dashurinë ndaj Allahut. Kjo zemër e do Allahun sikurse e ka dashë i Dërguari i Tij -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-. Ajo, në frikën ndaj Allahut, në shpresën tek Ai, mbështetjën në Të, pendimin, nënshtrimin ndaj Tij, në dhënien përparësi kënaqësisë së Allahut në çdo moment dhe largimi nga çdo gjë që të çon në hidhërimin e Tij gjithmonë pason shembullin e Profetit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-. Ky është dhe adhurimi real, i cili nuk duhet t’i dedikohet askujt përveç Allahut.

Zemra e pastër është zemra e cila është ruajtur dhe ka shpëtuar prej çdo lloj forme të shirkut (të idhujtarisë). Ajo tërë adhurimin ia ka kushtuar vetëm Allahut, në vullnet, dëshirë,dashuri, mbështetje, kthim, përkushtim, frikë, shpresë e tjerë. Tërë punët e saj ia ka dedikuar Allahut. Nëse don diçka e don për Allahun, nëse urren diçka e urren për Allahun, nëse jep diçka e jep për Allahun, nëse nuk e jep diçka nuk e jep për Allahun. E tërë kjo mjafton që zemra të jetë e pastër vetëm atëherë kur të ketë shpëtuar në këto punë prej nënshtrimit, dorëzimit dhe pasimit të dikujt tjetri përveç të Dërguarit të Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-.

Njeriu duhet ta lidhë fort zemrën e tij me ndjekjen dhe pasimin e të Dërguarit të Allahut në fjalë e në vepra, qoftë në fjalët e zemrës, të cilat janë besimet që ajo beson, qoftë në fjalët e gjuhës të cilat lajmërojnë për atë çka gjendet në zemër, qoftë punët e zemrës, të cilajt janë dëshira, dashuria, urrejtja dhe veprat e gjymtyrëve. Komanduesi mbi të gjitha këto që thamë, qoftë diçka e madhe apo e vogël te çdo njeri duhet të jetë shpallja me të cilën është dërguar Muhamedi -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-.

Muslimani nuk del përpara të Dërguarit të Allahut me ndonjë besim, me ndonjë fjalë apo vepër.

Allahu thotë:

يا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُقَدِّمُوا بَيْنَ يَدَيِ اللَّهِ وَرَسُولِهِ

O ju që keni besuar mos dilni përpara Allahut dhe të Dërguarit të Tij”. (Huxhurat: 1)

Pra mos flisni diçka pa e thënë ai dhe mos veproni diçka derisa tju japë urdhër.

Disa prej të parëve tanë kanë thënë: Çdo vepre, sado e vogël qoftë i parashtrohen dy pyetje; pse dhe si? Pse po e vepron dhe si do ta kryesh?

E para është pyetje rreth shkakut të veprimit dhe shtytësit të tij. A mos është ndonjë përfitim i shpejtë i vepruesit, përfitim prej përfitimeve të kësaj dynjaje, si dëshira për tu lavdëruar prej njerëzve ose frika prej sharjeve dhe ofendimeve të tyre, ose marrja e diçkaje të dëshiruar, ose largimi prej diçkaje të urryer. Apo shtytësi i kryerjes së veprës ka qenë realizimi i adhurimit ndaj Allahut dhe afrimi për tek Ai.

Kjo pyetje i drejtohet njeriut dhe kërkon ti thotë:

O njeri a e kreve këtë vepër për Zotin tënd apo për veten dhe dëshirën tënde.

Ndërsa e dyta është pyetje rreth pasimit të Dërguarit të Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- në këtë vepër. A ka qenë kjo vepër të cilën ti o njeri e ke kryer në përputhje me atë që ka ligjëruar Allahu nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-, apo vepra jote nuk ka qenë e ligjëruar dhe e dëshiruar nga Allahu.

E para është pyetje rreth sinqeritetit dhe e dyta pyetje rreth pasimit. Allahu nuk e pranon veprën pa këto dyja.

Prej pyetjes së parë shpëtohet duke realizuar sinqeritetin ndërsa prej të dytës shpëtohet duke realizuar pasimin e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-. Duke realizuar këto që thamë, zemra ruhet dhe i garanton poseduesit të saj shpëtim dhe lumturi.

Së dyti: Zemra e vdekur.

Lloji i dytë i zemrës në kundërshtim me të parin është zemra e vdekur dhe e pajetë, e cila nuk e njeh Zotin, nuk e adhuron Atë, nuk e don, nuk e kënaq, nuk i bindet Atij e tjerë. Ajo i nënshtrohet dhe shkon pas epsheve e kënaqësive edhe pse Zoti i saj zemrohet nga një gjë e tillë. Kjo zemër gjatë përftimit apo arritjes së epsheve dhe dëshirave nuk do tja dijë nëse zemërohet Zoti prej rënies pas tyre apo kënaqet.

Njeriu i kësaj zemre në dashuri, frikë, shpresë, në gëzim, në zemërim, në hidhërim, madhërim e në nënshtrim në vend që të adhurojë me to Allahun, adhuron dikë tjetër.

Ky njeri nëse don diçka e don sipas ëshirës së vet, nëse urren diçka e urren sipas dëshirës së vet, nëse jep diçka e jep sipas dëshirës së vet dhe nëse nuk e jep diçka nuk e jep sepse kështu e udhëheq dëshira e vet.

Dëshira e tij është më parësore dhe më e preferuar për të se kënaqësia e Zotit të tij. Dëshira është udhëheqësi i këtij njeriu, epshi komandanti, injoranca drejtuesi dhe indiferentizmi mbartësi. Ky njeri me këtë lloj zemre është i zhytur në mohim. Ai mundohet dhe preokupohet vetëm me përmbushjen e kërkesave të tij nga kjo botë. Dëshirat verbuese dhe dashuria për gjërat e çastit e kanë dehur. Kur ftohet për tek Allahu dhe për tek jeta e pafund nuk i përgjigjet ftuesit por ndjek çdo shejtan të keq. Kjo jetë këtë njeri herë e hidhëron e herë e kënaq. Dëshira e verbon dhe e ruan nga çdo gjë tjetër përveç së kotës.

Kontaktimi me këtë njeri me këtë lloj zemre sjell sëmundje. Jetesa me të është helm dhe qëndrimi me të është shkatërrim.

Së treti: Zemra e sëmurë.

Lloji i tretë i zemrës është zemra e sëmurë e cila ka jetë por që e ka prekur diçka. Kjo zemër është me dy anë, ku herë tërhiqet nga njëra anë e herë nga tjetra. Ajo i përket në fund të fundit anës që fiton.

Ajo tërhiqet nga ana e jetës kur anon nga dashuria për Allahun, besimi në Të, sinqeriteti ndaj Tij dhe mbështetja në Të. Ndërsa kur zgjedh dhe i jep përparësi epsheve duke u preokupuar me shtimin dhe arritjen e tyre, kur zgjedh zilinë, mendjemadhësinë, vetëpëlqimin, dëshirën për tu dukur më lart se të tjerët, dëshirën për të bërë shkatërrime në tokë do të thotë se kjo zemër po anon drejt shkatërrimit të saj.

Kjo zemër është midis dy ftuesve. Një ftues i cili e thërret për tek Allahu, i Dërguari i Tij dhe për tek jeta e pafund dhe një ftues i cili e thërret për tek çasti. Në këtë rast ajo i përgjigjet anës që ka më afër.

Zemra e parë është e gjallë, e qetë, e butë dhe e vëmendëshme. E dyta është e thatë dhe e vdekur. Ndërsa e treta e sëmurë, e cila do të shpëtojë nëse më pranë ka shpëtimin ose përndryshe do të shkatërrohet nëse ka pranë shkatërrimin.

Këto tre lloje të zemrave Allahu i ka përmendur në Kur`an ku thotë:

َمَا أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ مِن رَّسُولٍ وَلَا نَبِيٍّ إِلَّا إِذَا تَمَنَّى أَلْقَى الشَّيْطَانُ فِي أُمْنِيَّتِهِ فَيَنسَخُ اللَّهُ مَا يُلْقِي الشَّيْطَانُ ثُمَّ يُحْكِمُ اللَّهُ

آيَاتِهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيم

لِيَجْعَلَ مَا يُلْقِي الشَّيْطَانُ فِتْنَةً لِّلَّذِينَ فِي قُلُوبِهِم مَّرَضٌ وَالْقَاسِيَةِ قُلُوبُهُمْ وَإِنَّ الظَّالِمِينَ لَفِي شِقَاقٍ بَعِيدٍ

وَلِيَعْلَمَ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِن رَّبِّكَ فَيُؤْمِنُوا بِهِ فَتُخْبِتَ لَهُ قُلُوبُهُمْ وَإِنَّ اللَّهَ لَهَادِ الَّذِينَ آمَنُوا إِلَى صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ

Ne nuk dërguam para teje asnjë të dërguar (me shpallje) dhe asnjë pejgamber (të dërguar si vazhdues i shpalljes së mëparshme), e që, kur ai (i dërguari) dëshiroi diç, të mos iu pat hedhur në atë dëshirën e tij shejtani, e All-llahu asgjëson atë që hedh shejtani, dhe All-llahu fuqizon argumentet e Veta. All-llahu është shumë i dijshëm dhe me urtësi të madhe rregullon çështjet.

E për ta bërë atë (dyshim) që shejtani e hedh si sprovë për ata që në zemrat e tyre kanë sëmundje dhe për ata, që i kanë të zemrat të ngurta. S’ka dyshim se zullumqarët janë në një armiqësi të pandarë midis njëri-tjetrit.

E, edhe për ta vërtetuar të dijshmit se me të vërtetë ai (Kur’ani) është vërtetë prej Zotit tënd dhe kështu t’i besojnë atij (Kur’anit) dhe zemrat e tyre të jenë të sigurta me të. All-llahu patjetër do t’i udhëzojë ata që besuan (përqafuan) në rrugën e drejtë.” (Haxh 52-54).

Allahu në këto ajete i ka ndarë zemrat në tre lloje. Dy zemra në sprovë dhe një të shpëtuar. Zemrat e sprovuara janë; zemra e sëmurë dhe zemra e ngurtë. Zemra e sigurtë është zemra e shpëtuar e cila është e sigurtë në Zotin e vet e përulur dhe e dorëzuar tek ai.

Shkëputur nga libri ‘Igathetu lehfan min mesajidi shejtan’ të Ibn El Kajjim.

Përktheu Othman Haskasaj

Loading...