Mëkati i atij që merr atësinë e dikujt tjetër

August 5, 2025

(25) Kapitulli: Sqarimi i gjendjes së besimit të atij që me vetëdije heq dorë nga prindi (babai) i tij.

Hadithi nr. 40 – Transmetohet nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të), se ai e ka dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “Kush i atribuon vetes një baba tjetër përveç atit të tij, ndërkohë që e di të vërtetën, ai ka mohuar. Dhe kush pretendon të ketë prejardhje nga një fis të cilit nuk i përket, le ta përgatitë vendin e tij në zjarr.»

Transmeton Buhariu: Libri i Meritave (Kitab el-Menakib), Kapitulli 5 – “Na tregoi Ebu Meamer…”

Hadithi nr. 41 – Hadithi i Ebu Hurejras (Allahu qoftë i kënaqur me të), se Profeti ﷺ ka thënë:

“Mos hiqni dorë nga etërit tuaj, sepse kush heq dorë nga babai i tij, ai ka bërë kufr (blasfemi).”

Transmeton Buhariu: Libri i Trashëgimisë (Kitab el-Feraid), Kapitulli 29 – “Kush pretendon të jetë i biri i dikujt tjetër përveç babait të vet.”

42 – Hadithi i Sea’d ibn Ebi Vekasit dhe Ebu Bekrete. Sea’di thotë: E kam dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë:

“Kush pretendon (se është bir) i dikujt tjetër përveç babait të vet, ndërkohë që e di se nuk është ai, për të është ndaluar Xheneti.”

Këtë ia përmendën Ebu Bekres, e ai tha: Edhe unë e kam dëgjuar me veshët e mi (këtë fjalë) dhe e ka përvetësuar zemra ime nga i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Transmeton Buhariu: Libri i Trashëgimisë, Kapitulli 29 – “Kush pretendon të jetë i biri i dikujt tjetër përveç babait të vet.”

(26) Kapitulli: Sqarimi i fjalës së Profetit ﷺ: “Fyerja e muslimanit është mëkat, e luftimi i tij është kufr (blasfemi).”

43 – Hadithi i Abdullah ibn Mes’udit (Allahu qoftë i kënaqur me të), se Profeti ﷺ ka thënë:

«Fyerja e muslimanit është mëkat, e luftimi i tij është kufr (blasfemi).»

Transmeton Buhariu: Libri i Besimit (Kitab el-Iman), Kapitulli 36 – “Frika e besimtarit nga mundësia që veprat e tij të shuhen pa e kuptuar.”

(27) Kapitulli: “Mos u ktheni pas meje si jobesimtarë duke qëlluar qafat e njëri-tjetrit.”

44 – Hadithi i Xheririt (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili transmeton se në Haxhin e Lamtumirës Profeti ﷺ i tha atij: Bëji njerëzit të heshtin dhe të dëgjojnë! Pastaj tha:

Mos u ktheni pas meje si jobesimtarë, duke qëlluar qafat e njëri-tjetrit.”

Transmeton Buhariu: Libri i Dijes (Kitab el-Ilm), Kapitulli 43 – “Dëgjimi i dijes me vëmendje.”

45 – Hadithi i Ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të), nga Profeti ﷺ se ka thënë:

“Mjerë për ju! Mos u ktheni pas meje si jobesimtarë, duke goditur qafat e njëri-tjetrit.

Transmeton Buhariu: Libri i Edukatës (Kitab el-Adab), Kapitulli 95 – “Çfarë është transmetuar rreth fjalës që i thuhet tjetrit ‘mjerë për ty’.”

Sqarime gjuhësore dhe fetare:

Shprehja “ka bërë kufr” në këto hadithe nënkupton mohim në aspektin e veprës, jo të besimit, përderisa njeriu nuk mohon parimet themelore të fesë.

(fel jetebevve’): le ti përgatisë vetes një vend – përdoret për atë që merr një vendbanim të caktuar.

(sibabu el-muslim): do të thotë ta shash muslimanin, ta fyesh apo të flasësh për të me fjalë të ulëta që e lëndojnë.

(fusuk): është mëkat i madh, dalje nga bindja ndaj së vërtetës dhe nga morali i mirë.

اللؤلؤ و المرجان

#Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi)

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...