Mirësia e ruajtjes së marrëdhënieve farefisnore

December 3, 2015

Nga Enes ibn Maliku – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kush dëshiron që t’i zgjerohet furnizimi (prej Allahut), dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.” Muttefekun alejhi.[1]

Në këtë hadith ka nxitje për mbajtjen e lidhjeve me të afërmit, dhe se kjo e bën të pashmangshme kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij në Akhiret, dhe shpërblimin e shpejtë në këtë botë duke i sjellë robit gjërat më të dashura për shpirtin e tij, dhe se kjo është shkak për shtimin e rizkut dhe zgjerimin e tij dhe për zgjatjen e jetës, dhe se këto gjëra ndodhin realisht dhe nuk janë figurative, sepse Ai i Lartësuari është Krijuesi i shkaqeve dhe i pasojave.

Allahu (i Madhëruar) ka bërë shkak dhe rrugë për çdo gjë që njeriu kërkon ta arrijë, dhe kjo është vazhdimësi e rregullit të madh, të përgjithshëm – dhe është prej urtësisë dhe Lavdërimit që Ai meriton – : Shpërblimi është sipas punës. Prandaj ashtu si ai i mbajti lidhjet me të afërmit e tij (dhe nuk i ndërpreu ato) duke u bërë mirë atyre në forma të ndryshme, dhe futi gëzim në zemrat e tyre, ashtu edhe Allahu e vazhdoi jetën e tij dhe nuk e ndërpreu atë, dhe ja vazhdoi furnizimin, e i hapi prej dyerve të rizkut dhe bereqetit gjëra që nuk do t’i vinin pa këtë shkak fisnik dhe të ndershëm.

Ashtu si shëndeti, ajri dhe ushqimi i pastër dhe, përdorimi i gjërave që e forcojnë trupin dhe zemrën është prej shkaqeve të jetës së gjatë, ashtu edhe mbajtjen e lidhjeve farefisnore Allahu e ka bërë shkak hyjnor (për zgjatjen e jetës). Sepse shkaqet me të cilat arrihen gjërat e dëshiruara të dynjasë janë dy llojesh:

Shkaqe të prekshme (fizike), të cilat futen te perceptimi fizik dhe ndjeshmëria e shqisave dhe e mendjeve.

Dhe shkaqe hyjnore prej Allahut, të cilat i ka përcaktuar Ai që është i Plotfuqishëm për gjithçka. Ai që të gjitha shkaqet dhe çështjet e botës janë të nënshtruara para vullnetit të Tij, dhe i Cili ka marrë përsipër tu mjaftojë atyre që mbështeten tek Ai, dhe u ka premtuar të devotshmëve furnizim dhe rrugëdalje prej vështirësive. Thotë i Lartësuari: “Dhe kush i frikësohet Allahut Ai do t’i bëjë atij rrugëdalje. Dhe do ta furnizojë andej nga s’e pret, dhe kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij” (Talak: 2-3).

Dhe kur Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë: “Nuk pakësohet pasuria prej lëmoshës” (Apo: “Lëmosha nuk e pakëson pasurinë”)[2] përkundrazi e shton atë, si mund të jetë puna e sadakasë dhe dhuratës ndaj të afërmve dhe farefisit?!

Dhe te ky hadith ka argument për atë se: nëse qëllimi i vepruesit është fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe Xhennetit, nuk e dëmton atë shpërblimi i shpejtë i kësaj bote (sh.p.: nuk ja pakëson aspak shpërblimin e Botës Tjetër), sepse Allahu me Urtësinë dhe Mëshirën e Tij e ka shkruar shpërblimin e shpejtë dhe të ardhshëm për këtë vepër.

Dhe ua ka premtuar këtë vepruesve, sepse shpresa dhe ndjenja se do të shpërblehet i bën aktivë ata që veprojnë, dhe ua shton vullnetin e ambicjen për këto punë të mira. Ashtu si edhe kërcënimi për krimet (gjynahet) dhe përmendja e dënimit për to janë gjëra me të cilat Allahu frikëson robërit e Tij, dhe i zmbraps prej gjynaheve dhe krimeve.

Kështu besimtari i vërtetë është i sinqertë gjatë punës dhe largimit nga gjynahet, i bën ato për hir të Allahut, duke u ndihmuar me tekstet e ndryshme nxitëse për punë dhe, shpërblimin për ato kur shoqërohen me këtë qëllim të lartë.

Dhe Allahu është Ai që jep sukses!

Behxhetu Kulubil Ebrar

Përktheu Emin Bilali

[1] Bukhari në Kapitullin e edukatës, Tema: Kujt iu shtua rizku për shkak të lidhjeve farefisnore, (5986). Dhe Muslimi në Kapitulli i mirësjelljes dhe ruajtjes së lidhjeve farefisnore. Tema: Mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe ndalimi i ndërprerjes së tyre. (557).

[2] Ka paraprirë studimi i hadithit.

Loading...