Dobitë e tij
Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Puna e parë për të cilën llogaritet njeriu ditën e gjykimit është namazi. Nëse është në rregull ka shpëtuar, nëse prishet ka humbur, nëse i lë mangët Allahu i Madhëruar thotë: Shikoni a ka njeriu punë vullnetare që të plotësojë ato që ka mangët nga farzet. Pastaj punët e tjera janë (llogariten) kështu.”[1]
Pëlqimi (i këtij namazi) në shtëpi
Transmetohet nga Zejd bin Thabit radijAllahu anhu se ka thënë: “… faleni namazin në shtëpitë tuaja sepse namazi më i mirë i njeriut është në shtëpinë e tij, përveç namazeve farze.”[2]
Transmetohet nga Xhabiri se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të kryej namazin në xhami, le të lërë një pjesë të namazit për shtëpinë sepse Allahu i ka bërë hajër namazit në shtëpi.”[3]
Transmetohet nga Ibën Umeri se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Falni namaz në shtëpi dhe mos i ktheni ato në varre.”[4]
Transmetohet nga Zejd bin Thabit se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Namazi i njeriut në shtëpinë e tij është më i mirë se namazi në xhaminë time, përveç farzit.”[5]
Transmetohet nga Enesi dhe Xhabiri se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Faluni në shtëpitë tuaja dhe mos i lini pa falur në to nafilet.”[6]
Mirësia e qëndrimit gjatë në këmbë
Transmetohet nga Mugira bin Shube radijAllahu anhu se ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ngrihej (apo falej) derisa i fryheshin këmbët apo kërcinjtë. E pyeti atë dhe ai tha: A nuk duhet të jem rob falënderues?”[7]
Transmetohet nga Abdullah bin Hushij el Xhethemij se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u pyet: “Cili namaz është më i mirë? Tha: Qëndrimi i gjatë. E pyetën: Cila lëmoshë është më e mira? Tha: Dhënia e të paktës.[8] – Cili emigrim është më i miri? – Tha: Kush largohet nga ato që i ka ndaluar Allahu. – Cili xhihad është më i miri? – Tha: Kush lufton mushrikët me pasurinë dhe veten e tij. – Cila vrasje është më e ndershme? – Tha: Kujt i rrjedh gjaku dhe i është gjymtuar kali.”[9]
Qëndrimi në këmbë në namazin nafile
Lejohet namazi ulur edhe nëse mund të rrish në këmbë siç ka ardhur në hadithin e Imran bin Husejnit i cili ishte me majasëll, ku ka thënë: “Pyeta të dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për namazin ulur, dhe tha: Nëse falet në këmbë është më mirë sepse kush falet ulur ka gjysmën e shpërblimit të atij që falet në këmbë, dhe kush falet shtrirë ka gjysmën e shpërblimit të atij që falet ulur.”[10]
Transmetohet nga Abdullah bin Umeri se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Namazi i njeriut ulur është sa gjysma e namazit.” [11]
El Hatabi ka thënë: “Qëllimi me hadithin e Imranit është i sëmuri i supozuar që mund ta përballojë dhe ngrihet në këmbë me vështirësi. E ka bërë shpërblimin e atij që falet ulur sa gjysma e atij që falet në këmbë duke e nxitur të rrijë në këmbë dhe duke u lejuar qëndrimi ulur.”
Ka thënë El Hafidh në “El Fet’h”: Ky është kuptim i drejtë.
Lejimi i faljes së një pjese rekati në këmbë dhe një pjese ulur
Transmetohet nga Abdullah bin Shekik se ka thënë: Kam pyetur Aishen për namazin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për namazin vullnetar, dhe ajo tha: “Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falej në shtëpinë time para namazit të drekës katër rekate, pastaj dilte dhe u printe njerëzve, pastaj hynte dhe falte dy rekate. U printe njerëzve në namazin e akshamit pastaj hynte dhe falte dy rekate, i printe njerëzve në jaci pastaj hynte në shtëpi dhe falte dy rekate. Falej natën nëntë rekate bashkë me vitrin, falej gjatë natën në këmbë dhe falej gjatë natën ulur. Kur lexonte në këmbë binte në ruku dhe sexhde duke qenë në këmbë, dhe kur lexonte ulur binte në ruku dhe sexhde ulur. Kur gdhinte mëngjesi falte dy rekate.”[12]
Transmetohet nga Aishja radijAllahu anha se ka thënë: “Nuk e kam parë Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të lexojë gjatë gjithë namazit të natës ulur, por ai bënte tekbir dhe lexonte ulur. Kur i kishin mbetur nga surja tridhjetë apo dyzet ajete, ngrihej e i lexonte ato (në këmbë) pastaj binte në ruku.”[13]
Marrë nga libri: “Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut”.
Autor: Husejn Auajsheh
Përktheu: Teuta Xeka
—————————————————————————
[1] E transmetojnë Tirmidhiu e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.
[2] Buhariu dhe Muslimi.
[3] Muslimi.
[4] Buhariu dhe Muslimi.
[5] Ebu Daudi dhe Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.
[6] Derakutni dhe e saktëson shejh Albani.
[7] Buhariu.
[8] Që ka pak pasuri.
[9] Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.
[10] Buhariu.
[11] Muslimi.
[12] Muslimi.
[13] Buhariu dhe Muslimi.
Dosje: Namazet Vullnetare