A ndihesh i stresuar për afrimin e datës së provimeve? Mos u shqetëso! Kjo është e natyrshme dhe diçka që pritej të ndodhte.
Mbase kjo ndjenjë është e dobishme dhe të nxit në përpjekje të vazhdueshme përderisa nuk arrin në kufijtë e bezdisjes.
Mbështetu tek Allahu dhe përpiqu sa të mundesh. Mos harro që në ditën e provimit ta përmendësh shumë Allahun e Lartësuar.
Kërkoju prindërve kënaqësinë ndaj teje dhe lutjet e tyre (për ty). Kujdesu për lutjet e mëngjesit dhe lutjet që praktikohen gjatë ditës, sidomos lutjen e cila bëhet kur del nga shtëpia.
Të thuash: Bismilah, teuekeltu ala Allah, la haule ue la kuete ila bilAh (Me emrin e Allahut, i mbështetem vetëm Allahut dhe s’ka forcë e as ndryshim pa ndihmën e Tij).
Pajisu me mjetet që të nevojiten. Kur të hysh në klasën e provimit dhe ndien se i ke harruar të gjitha ato që ke mësuar, mos u shqetëso! Kjo gjendje është mëse normale. Truri i risjell njohuritë e nevojshme në momentet kur i duhen.
Ti nuk mundesh t’i kujtosh përnjëherësh emrat e të gjithë atyre që i njeh, por e ke të mundur të kujtosh njërin prej tyre në momentin që e shikon.
E njëjta gjë ndodh me njohuritë, në shumicën e rasteve i risjell në kujtesë në momentin kur lexon pyetjet.
Për provimet nuk ka lutje të veçanta por ekzistojnë disa lutje që janë të përshtatshme (të përgjithshme), si p.sh.: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time.
O Zot, s’ka asgjë të lehtë përpos asaj që Ti e ke bërë të lehtë, dhe Ti e bën vështirësinë të lehtë nëse dëshiron.
O Zot, më udhëzo dhe më oriento (tek e vërteta).
O i Gjallë, o i Përhershëm, o Mbikqyrës i çdo gjëje, me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë.
S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar.”
Ki kujdes nga kopjimi (mashtrimi) sepse ai është i dëmshëm për jetën dhe fenë tënde.
Pas provimit mos u angazho në leximin e përgjigjeve që ke dhënë, por angazhohu me provimin e ditës së nesërme.
Nëse të kujtohet ndonjë gabim (që mund të kesh bërë), mos thuaj sikur ta bëja kështu do të ndodhte kështu apo ashtu.
Por thuaj: Ky ishte caktimi i Allahut, dhe çfarë do Ai bëhet.
Përktheu: Fatjon Isufi