Vështrim rreth hadithit që flet për fitnet

January 9, 2014

Lëvdatat dhe falënderimet i përkasin Allahut,salavatet dhe selamet janë për Profetin tonë, për familjen dhe për shokët e tij, dhe për gjithë besimtarët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Transmeton Ebu Hurejra radijallahu anhu se Profeti sal-Allahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Paraprijini me vepra të mira disa fitneve (sprovave, trazirave) të cilat janë  si shtresat e një nate të errët.Fitne në të cilat njeriu gdhihet besimtar dhe ngryset mohues, e ngryset besimtar dhe gdhihet mohues. E shet fenë e tij për një plackë të kësaj dunjaje”.
Ky hadith është përcjellë nga Muslimi 118, Ahmedi 10772, Tirmidhiu 2195, Ibn Maxheh 6704 etj. Është saktësuar nga Muslimi, Tirmidhiu, Ibn Hibani, Ibn Auaneh, Begauiu, Albani etj.

Ky hadith trajton temën e fitneve, duke sqaruar rrezikshmërinë e tyre dhe dëmet që shkaktojnë tek njerëzit.
Fillimisht duhet të dimë se fitnet ndahen në dy lloje: fitnet e dyshimeve në fe dhe fitnet e epsheve dhe tekave.
Fitnet e dyshimeve në fe padyshim janë më të rënda dhe më të rrezikshme sesa sprovat e epsheve dhe tekave, sepse dyshimet në fe mund ta nxjerrin njeriun nga pastërtia e teuhidit në pisllëkun e shirkut, kufrit dhe ateizmit, apo e nxjerrin nga drita e Sunetit në errësirën e bidateve dhe të humbjes. Pikërisht këtë fakt e kanë kuptuar më së miri armiqtë e Islamit, të cilët më së shumti i kanë përqëndruar ushtritë e tyre në këtë drejtim me forma dhe mjete nga më të ndryshmet.

Këto dyshime nuk rreshtin së shfaquri nga një kohë në tjetrën duke u fuqizuar në disa periudha dhe duke u dobësuar në disa të tjera, në varësi të besimit të njerëzve dhe gjallërisë së thirrjes së saktë në atë vend apo kohë. Thirrësit (misionarët) e mbjelljes së këtyre dyshimeve  po shtohen cdo ditë e më shumë, për fat të keq edhe në kështjellat më të forta të Islamit sot. I sheh se si e  ngrenë kokën në ndonjë gazetë apo revistë, libër, audio, emsion televiziv apo në internet, apo mënyra të tjera të organizuara dhe individuale. Padyshim që në këtë fushë një peshë të madhe e mbajnë dhe bidatcinjtë të cilët i devijojnë njerëzit në fenë e tyre. Njerëzit nga populli i thjeshtë mund të jenë me besim të pastër, të ciltër, në natyrshmëri, me një dashuri të madhe për teuhidin dhe Sunetin, që dëshiron ta marrë fenë sipas kuptimit të të parëve (selefëve), mirëpo për shkak të aktivitetit të këtyre njerëzve të devijuar që “sundojnë” shfaqjen publike në mediume të ndryshme ndodh dhe ndikimi me bindje të gabuara. Bindje jo të sakta, devijime të rënda në shumë fusha të rëndësishme të besimit, si p.sh. më e rënda në lidhje me vetë Allahun, emrat, cilësitë dhe veprimet e Tij, në lidhje me profetët dhe të dërguarit, në lidhje me Kuranin dhe sahabët, në lidhje me Ditën e Gjykimit dhe kaderin, apo në lidhje me Sunetin dhe bidatin etj.
Lloji i dytë i fitneve është ai i epsheve dhe i tekave, ato dëshira pasionante, teka dhe dëshira të cilat e shtyjnë njeriun që t`i përmbushë ato nëpërmjet kryerjes së gjynaheve. Edhe kjo kategori sot përbën një rrezik jashtëzakonisht të madh, të ekzagjeruar në përmasat e tij në mënyrë të frikshme duke qenë rrëmbyese e shpirtrave të dobët që joshen lehtësisht. Fillimisht shumë nga këto nisin si eksperiencë mashtruese, e më pas njeriu e gjen veten të ngërthyer keqazi në vargonjtë e mëkateve, i  janë përlyer këmbët në batakun e gjynaheve dhe vazhdon të zhytet në gropën thithëse të tyre të cilat  e zhveshin dalëngadalë nga besimi i tij.

Më të përhapurat e këtyre fitneve janë joshja pas pasurisë, epsheve fizike, humbjes së kohës në lojëra dhe dëfrime, grykësia, tendenca për mburrje me veshje dhe paraqitje, imitimi i jobesimtarëve dhe njerëzve të shthurur. Secila nga këto ka nëndegët e saj të mëkateve dhe rrjedhimet negative të tyre, p.sh. joshja pas pasurisë dhe lakmimi i saj e bën njeriun të shkelë kufinjtë që Allahu ka vendosur, përdor hilet dhe mashtrimin, betimin rrejshëm dhe falsifikimin, shet gjëra të ndaluara, vjedh, grabit, shkakton konflikte dhe luftëra.
Marrosja pas epshit seksual duke u kthyer në skllavin e tij, e cila fillon me shikimin e skenave erotike në televizor apo internet e më pas fillon praktikimi në jetën e përditshme, duke kaluar në ngacmime, joshje, propozime, ndjekje, mashtrime, masturbime, kurvëri, homoseksualitet, përdhunim etj. Duke mos harruar që i gjithë ky proces, e gjitha kjo veprimtari shoqërohet domosdoshmërisht me mangësi të theksuara në kryerjen e detyrimeve fetare, për të mos thënë braktisje të tyre, dhe kjo në mënyrë të vecantë vihet re në raport me namazin si shtylla më e rëndësishme e Islamit.
Nga hadithi i mësipërm kuptojmë disa parime dhe indikacione të rëndësishme.

1) Së pari: Kujdesi që duhet të tregojmë në raport me fitnet në tërësi.
Ky kujdes duhet shfaqur në tre aspekte:
a) Drejtimi nga Allahu me lutje dhe përulje që ta ruaj dhe ta shpëtojë nga fitnet, duke shfryëzuar në mënyrë të vecantë ato kohë, gjendje apo vende të specifikuara në të cilat lutja është më pranë pranimit. Allahu i do ata që i luten me përulje dhe kembëngulje: “Kush mund t`i përgjigjet njeriut që lutet me këmbëgulje dhe përulje, t’ia largojë të keqen dhe tu bëjë sundues në tokë përvec Allahut?!” | En Neml: 62.

b) Nxënia e dijes fetare dhe serioziteti në të. Kjo sepse dija që buron nga Allahu i mundëson njeriut të kuptojë dhe zbulojë fitnet, të dijë dispozitat në lidhje me to dhe mënyrat e ruajtjes prej tyre.

c) Distancimi dhe qëndrimi larg shkaqeve që i shkaktojnë përfshirjen në fitne, p.sh. mosmarrja pjesë në ato kuvende ku tallen me ajetet e Allahut, të mos shihen ato emisione apo debate televizive që kanë si mision të mbjellin dyshime dhe lëkundje ndër njerëz, të mos merret pjesë në ligjëratat e njerëzve të devijuar, të mos dëgjohen thirrjet për revolucione dhe prishje të rendit, të mos qëndrohet në ambiente ku njeriu mund të tundohet për kryerjen e gjynaheve.
Nga rregullat e përgjithshme që dijetarët kanë formuluar është dhe ky: Është detyrë largimi nga burimet e fitneve.

2) Së dyti: Nxitja për të shpejtuar në kryerjen e veprave të mira dhe shtimin e tyre para se të vijnë fitnet, dhe vazhdimësia në to para dhe gjatë fitneve.
Kjo për disa arsye:
a) Veprat e mira janë mburojë nga fitnet duke i forcuar besimin, duke i shtuar vendosmërinë dhe kthjelltësinë në metodologjinë që ai ndjek. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem  i tha Ibn Abasit radijallahu anhu: “Njihe Allahun në kohë bollëku dhe rehatie ashtu që Ai të jetë pranë teje në vështirësi.” (Transmeton Ahmedi.)

Gjithashtu, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Me të vërtetë Allahu i Madhëruar ka thënë: Kushdo që do të tregojë armiqësi ndaj mikut (veliut) Tim, Unë do t’i shpall luftë. Me asgjë robi Im nuk mund të Më afrohet  më shumë sesa me atë që Unë ia kam obliguar. Dhe vazhdon robi Im të më afrohet me vepra fakultative (nafile) deri sa ta dua atë. E kur ta dua, dashuria e tij ndaj Meje mbizotëron dhe të dëgjuarit e tij me të cilin dëgjon është vetëm për Mua; të shikuarit e tij me të cilin sheh është vetëm për Mua; dora e tij me të cilën kap, punon vetëm për Mua; këmba e tij me të cilën ecën, ecën vetëm për Mua. I këtilli nëse më kërkon diçka do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë do ta mbroj atë.”(Transmeton Buhariu.)
Ibn Rexheb el Hanbeli në librin e tij “Xhamiul ulumi uel hikem” fq. 424, ka thënë:
“Parimi i përgjitshëm është: Kush sillet me devotshmëri dhe bindje ndaj Allahut në kohën e rehatisë dhe bollëkut, atë Allahu do ta trajtojë me butësinë dhe ndihmën e Tij në kohën e vështirësisë (që ai njeri mund të hasë).”

Shejhu Muhamed bin Salih el Uthejmin në shpjegimin e librit “Rijadu salihin” 1/105 ka thënë:
Nëse fitnet e fuqishme vijnë tek një njeri me besim të dobët që e kanë dobësuar dhe rrënuar mëkatet dhe tekat, nuk do hasin rezistencë dhe kundërvënie ndaj dhe e shqyejnë atë ashtu si shqyen shigjeta objektivin e saj.
Gjithashtu, në hadithe të tjera Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka nxitur për shtimin e adhurimeve edhe gjatë ndodhisë së fitneve duke treguar dhe shpërblimin e madh që ka, duke thënë: “Adhurimi në  situatë herxhi (kohë fitnesh dhe vrasjesh) është njësoj si emigrimi për tek unë në Medine.” (Transmeton Muslimi.)
Imam Neueuiu në shpjegimin e “Sahihu Muslimit” tek ky hadith, ka thënë:
El herxhu ka për qëllim fitnet dhe ngatërresat e cështjeve të njerëzve. Arsyeja që iu dha kaq shumë rëndësi dhe shpërblim adhurimit në një kohë të tillë, është sepse njerëzit lehtësisht hutohen dhe shmangen prej adhurimit duke u marrë me cështje të tjera, ndaj janë të pakët ata që i kushtohen adhurimit.

b) Vetë fitnet e kanë në natyrë që të krijojnë një lloj perdeje penguese ndërmjet njeriut dhe veprave të mira, duke e shkëputur tërësisht apo dobësuar dhe mangësuar.
Transmeton Ebu Derda radijallahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Besimtari vazhdon të jetë korrekt dhe i devotshëm për sa kohë që nuk derdh gjak të pafajshëm, e nëse e bën këtë ndërpritet (nga veprat e mira dhe devotshmëria).” (“Sahih Ebi Daud” 4270, “Sahihul xhami”). Kjo për shkak se fitnet shkaktojnë vrasje dhe cënim të rendit dhe sigurisë, duke e bërë të vështirë pjesëmarrjen në namazet me xhemat vecanërisht namazet e natës. Apo qarkullimin lirshëm për davet, kufizimin e sadakasë, angazhimin me ruajtjen personale dhe familjare, mungesën e qarkullimit të ushqimeve dhe artikujve jetikë, pengohet procesi i mësimit nëpër shkolla dhe institucionet fetare etj. Nëse më pas njeriu dashje padashje përfshihet në ndonjë formë të fitneve e ka mendjen tek vetja se mos burgoset, torturohet apo vritet, dhe është gjithë kohën i preokupuar, bën llogari, merr masa, kontakton me njerëz duke i lënë mënjanë adhurimet që i bënte dikur. Në këtë mënyrë corientohet mendja, nuk është prezente zemra si duhet në namaz, nuk ka të njëjtin nivel ndjeshmërie në adhurim duke bërë që të pakësohet dhe mangësohet shpërblimi dhe besimi i tij.

3) Rezultati më i tmerrshëm i këtyre fitneve është që njeriu të ngryset besimtar dhe të gdhihet mohues, apo të gdhihet besimtar dhe të ngryset mohues. Ky kufër i përmendur në hadith mund të jetë kufër i madh që e nxjerr njeriun nga feja, por mund të jetë edhe kufër i vogël që nuk e nxjerr nga umeti në varësi të gjendjes së njeriut në raport me shitjen  e fesë së tij. Këtë sqarim e ka shprehur shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin në shënimet e tij ndaj “Sahihu Muslim” fq. 380.

Shejhu Abdulaziz bin Baz në librin e tij “Mexhmu`ul  fetaua” 25/108, në shpjegim të këtij hadithi ka thënë:
“E shet fenë e tij për një plackë të kësaj dunjaje”, duke bërë kufër me gojë apo vepra për të arritur përfitime dunjaje. I thotë dikush; do flasësh keq për Allahun apo Profetin dhe do të japim këtë e atë! Apo; do heqësh dorë nga namazi! Apo e konsideron të lejuar zinanë dhe alkolin kundrejt një pozite të caktuar, apo i thuhet mbaj anën e qafirave kundra besimtarëve në situata dhe qëndrime të caktuara kundrejt përfitimeve të ndryshme, apo merr pjesë në partinë e jobesimtarëve dhe përkrahësve të tyre për të përfituar pasuri të madhe, duke u bërë palë dhe mik me jobesimtarët dhe duke qenë armik i muslimanëve. Mënyrat e daljes nga Islami janë të shumta, dhe përgjithësisht ndodhin për shkak të dhënies përparësi interesave të dunjasë ndaj ahiretit.

4) Forma e rrezikshme me të cilën shfaqen fitnet, duke bërë që sa më shumë të shtohen aq më e vështirë bëhet njohja e së vërtetës në situata të caktuara, aq më i vështirë bëhet praktikimi i të drejtës, coroditen gjendjet, dobësohet feja tek njerëzit, humbet harmonia e jetës dhe mbizotëron mangësimi si në aspektin fetar por dhe atë të dunjasë. Këtë e shohim në dy momente që hadithi përmend:

a) Mënyra se si njeriu ndryshon dhe transformohet brenda ditës apo natës; gdhihet ndryshe nga c`është ngrysur dhe ngryset ndryshe nga c`është gdhirë.
b) Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem  i përngjasoi këto fitne me netët e errëta ku mungon hëna, madje me pjesën më të errët të saj sepse në errësirë të plotë humbet rruga dhe bëhet thuajse e pamundur njohja e orientimit. Lehtësohet rënia preh e cdo lloj forme të dëmtimit apo ngërthimi në ndonjë kurth të ngritur.

5) Hadithi shpreh qartë se përkushtimi ndaj dunjasë dhe joshjeve të saj me qëllimin për të konsumuar sa më shumë prej tyre, është nga shkaqet kryesore që e bën njeriun të përfshihet në fitne dhe të devijojë nga ajo që Allahu i ka ligjëruar: “E shet fenë e tij për një plaçkë të kësaj dynjaje”.

Shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin në shpjegimin e librit “Rijadus salihin” 1/150, ka thënë:
“Mos mendo se fjala ‘plaçkë’ në këtë hadith ka për qëllim vetëm pasurinë. Përkundrazi, ajo përfshin cdo lloj përfitimi që përbën interes dhe angazhim për njeriun, qoftë pasuri, post, pozitë, femra etj.
6) Shpejtimi në vepra të mira është nga shkaqet që e përforcojnë besimin, e mbajnë atë të freskët dhe të rinovuar gjithmonë, ndërsa braktisja e tyre lë hapësira për tu importuar tek ai dyshimet dhe ndikimet e fitneve.

E lusim Allahun të na ruaj nga fitnet, të kuptueshmet dhe të fshehtat, të na orientojë drejt rrugëve së paqes dhe shpëtimit! Me të vërtetë Ai është Dëgjues i lutjes dhe pranues i tyre!

 

Përgatiti: Shuajb Rexha

Dosje:

Loading...