Nga Ebu Musa el Esharij përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njeriu do të jetë me atë që e do.” Muttefekun alejhi.[1]
Në këtë hadith ka nxitje për dashurinë e madhe ndaj Profetëve dhe pasimit të tyre sipas gradëve që kanë, si dhe paralajmërim prej dashurisë së atyre që i kundërshtojnë ata. Dashuria është argument i forcës së lidhjes së atij që do me atë që do, dhe përputhshmëria me moralet e tij dhe pasimi i tij është argument i ekzistencës së dashurisë (sh.p. purputhja e moraleve të tyre dhe pasimi i njëri-tjetrit). Ajo është gjithashtu shtysa për to (sh.p. dashuria është shtysa për përngjasimin me të në morale, ndjekjen dhe pasimin e tij).
Gjithashtu, ai që e do Allahun e Lartësuar vet dashuria për Të është prej gjërave më të mëdha që e afrojnë tek Allahu, sepse Ai është Shpërblyes (sh.p. mirënjohës, falënderues për të mirat dhe falënderon për to duke shpërblyer) dhe i jep atij që i afrohet shumëfish nga ajo që ai ka shpenzuar. Prej falënderimit apo mirënjohjes së Tij është se Ai e bashkon njeriun me atë që do edhe nëse ka punë më pak se i dashuri i tij. Thotë i Lartësuari: “Dhe kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të tillët janë me ata qëAllahu u ka dhënë mirësi, prej: profetëve, të sinqertëve, dëshmorëve, dhe vepërmirëve. E sa shoqërues të mirë janë ata!” | En Nisa: 69.
Për këtë arsye, Enesi radijallahu anhu tha: Nuk jemi gëzuar për asgjë tjetër më shumë sesa kur dëgjuam Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Njeriu do të jetë me atë që e do.” Tha Enesi: Unë e dua të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Ebu Bekrin dhe Umerin, dhe shpresoj të jem me ta.
Dhe thotë i Lartësuari: “Xhenetet e Adnit në të cilat do të hyjnë ata dhe kush ishte vepërmirë prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre.” Dhe thotë Ai që është i Patëmeta: “Dhe ata të cilët besuan dhe i pasuan pasardhësit e tyre duke qenë besimtarë, Ne do t’i bashkojmë ata me pasardhësit e tyre dhe nuk do tua pakësojmë aspak shpërblimin për punët e tyre.” | Et Tur: 31.
Kjo është diçka e dëshmuar dhe e provuar, sepse kur njeriu i do njerëzit e mirë do ta shikosh se si u bashkohet duke qenë i kujdesshëm që të jetë si ata, e nëse i do njerëzit e këqinj u bashkohet atyre dhe vepron si ata.
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut (mikut) të tij të ngushtë, prandaj le të shikojë ndonjëri prej jush se kë po merr për shok të ngushtë.”[2]
Ka thënë gjithashtu: “Shembulli i shokut të mirë është si ai që mban (shet) parfum; ose do të dhurojë prej tij, ose do të blesh prej tij, ose do të ndjesh prej tij aromë të këndshme. Dhe dhembulli i shokut të keq është si farkëtari (kovaçi); ose do të djegë rrobat, ose do të ndjesh prej tij erë të keqe.”[3]
E nëse kjo ndodh me krijesat që duhen mes veti, si mund të jetë puna me atë që do Allahun dhe i jep përparësi dashurisë për Të dhe frikës prej Tij mbi gjithçka tjetër?! Ai do të jetë me Allahun dhe ka arritur afërsinë e plotë prej Tij. Ai është afër me ata që e duan dhe Allahu do të jetë me të: “Me të vërtetë, Allahu është me ata që janë të devotshëm dhe ata që janë vepërmirë.” | En Nahl: 128.
I lutemi Allahut të na e bëjë rrizk dashurinë e Tij dhe dashurinë për ata që Ai i do! Të na i bëjë të dashura punët që të afrojnë tek dashuria e Tij! Ai është Bujar dhe Dhurues i Madh. Prej Allahut vjen suksesi!
Përktheu: Emin Bilali
—————————————————————————–
[1] Buhariu në “Kapitulli i edukatës”/ Tema: “Shenja e dashurisë së Allahut të Lartmadhëruar” 6170, dhe Muslimi 2641.
[2] Hadith i dobët. Transmeton Ebu Daudi 4833, Tirmidhiu 45 dhe tha: Ky është hadith hasen garib. Ahmedi 2/303, Tajalisi 2573, dhe Hakimi 4/189. Të gjithë e transmetojnë nga Ebu Hurejra i cili e përcjell nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ka thënë Ibën Xheuzi në “El ilelul muntenahijeh” 2/723: “Ky hadith nuk saktësohet prej Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”
[3] Ka paraprirë.
Dosje: Profeti
Të Ngjashme
- Cilat janë degët e besimit? Udha e Besimtarëve
- Fillimi i imanit është fjala “La ilahe il-lAllah” Udha e Besimtarëve
- Urdhëri për të besuar Allahun dhe të dërguarin e Tij Udha e Besimtarëve
- Sqarimi i imanit me të cilin hyhet në Xhenet Udha e Besimtarëve
- Çfarë është Imani (besimi) dhe Islami? Udha e Besimtarëve