Njohje e shkurtër rreth shkencës së hadithit -II-

March 8, 2010

Pyetje: Çfarë quajmë metn (tekst) nga ana gjuhësore dhe terminologjike e kësaj shkence? Pse është quajtur i  tillë?

Përgjigje: El metnu në  gjuhën arabe vjen nga fjala el metaneh që do të thotë fortësi, ndërsa në terminologji quhet teksti tek i cili përfundon zinxhiri i transmetimit. Është quajtur metn ( i fortë) sepse folësi  e përforcon tekstin nëpërmjet zinxhirit të transmetimit.

Pyetje: Çfarë quajmë sened (zinxhir) nga ana gjuhësore dhe terminologjike e kësaj shkence? Pse është quajtur i tillë?

Përgjigje: Es-senedu në gjuhën arabe vjen nga fjala el istinadu që do të thotë mbështetje.Ndërsa në terminologji do të thotë përcjellja e lajmit nga transmetuesit e hadithit njëri pas tjetrit.U quajt me këtë emër sepse transmetuesi i mbështetet kësaj mënyre për përcjelljen e tekstit (metnit).

Pyetje: Çfarë quajmë haber nga ana gjuhësore dhe  terminologjike?

Përgjigje: El haberu në aspektin gjuhësor do të thotë lajm, ndërsa në terminologji është thënia që i atribuohet Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Pyetje: Çfarë quajmë hadith nga ana gjuhësore dhe terminologjike?

Përgjigje: Fjala hadith në aspektin gjuhësor ka dy kuptime. Kuptimi i parë është dicka e e re, pra e kundërta e të vjetrës. Kuptimi i dytë është: thënie, fjalë.  Shembull i kuptimit të dytë është fjala e Allahut: “E kush mund të ketë thënie më të vërtetë se Allahu.” Pra në këtë ajet u përdor fjala hadith. Në terminologji sipas mendimit më të saktë ka të njëjtin kuptim si haberi, pra thënia që i atribuohet Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem

Pyetje: Çfarë quajmë ether nga ana gjuhësore dhe ajo terminologjike?

Përgjigje: El ether nga gjuha arabe do të thotë pjesa e mbetur nga dicka, gjurmë. Ndërsa në terminologji ka për qëllim thënien që i atribuohet sahabiut ose tabiinit.

Pyetje: Çfarë quajmë Sunet në aspektin gjuhësor dhe terminologjik?

Përgjigje: Fjala es-suneh nga gjuha arabe do të thotë rrugë, ndërsa në terminologji është sinonim i haberit dhe hadithit.(Suneti është; thëniet, veprimet dhe miratimet e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.)

Pyetje: Kush quhet el musnidu?

Përgjigje: El musnidu quhet transmetuesi i hadithit, qoftë ky transmetim  i bazuar në dituri të drejtpërdrejtë apo është thjesht përcjellës i transmetimit. Ndërsa fjalën el musnedu do e sqarojmë më vonë.

Pyetje: Kush quhet muhadith, hafidh, huxheh dhe hakim?

Përgjigje: El muhadith quhet dijetari që është ekspert në njohjen e rrugëve të transmetimit, emrave të transmetuesve dhe teksteve të hadithit.

El hafidh quhet ai dijetar që mëson përmendësh 100.000 hadithe me tekstet dhe zinxhirët e transmetimit. Në këtë numër llogariten edhe rrugët e shumta të  një hadithi.

El huxheh quhet ai dijetar që mëson përmendësh 300.000 hadithe së bashku me zinxhirët e transmetimit.

El hakim quhet ai dijetar që është në gjendje të dijë dhe të njohë të gjitha hadithet e transmetuara, me zinxhirët e transmetimit dhe tekstet e tyre, vlerësimi  i  tyre dhe koha kur ato janë thënë.

Pyetje: Sa lloje klasifikohet haberi (lajmi, transmetimi)?

Përgjigje: Haberi ndahet në dy kategori të mëdha: ahad dhe muteuatir.

Pyetje: Çfarë është haberi ahad dhe në sa lloje ndahet?

Përgjigje: El ahad është shumësi i fjalës uahid që do të thotë një. Pra, ajo thënie që transmetohet nga një person i vetëm. Ndërsa në terminologji do të thotë: Çdo hadith që nuk i përmbush kushtet për të qenë muteuatir (kushte që do t’i sqarojmë më vonë).

Haberi ahad ndahet në tre lloje:

1) El meshhuru i cili  nga ana gjuhësore rrjedh nga fjala esh-shuhrah që do të thotë qartësi (pra el mesh-huru do të thotë i mirënjohur, i qartë). Ndërsa në terminologji do të thotë: Hadith i cili transmetohet nga tre vetë apo më shumë, por që nuk arrin të jetë muteuatir. Dikush këtë lloj e quan dhe me emrin el mustefidh (i përhapur, i mirënjohur).

Hadithi el meshhur është dy lloje:

a) I mirënjohur në gjuhët e njerëzve (njerëzit e thonë shpesh atë hadith nëpër kuvendet e tyre  dhe bisedat e përditshme). Rreth këtij lloji janë shkruar disa libra, si p.sh.: “El mekasidul hasene” me autor Sehauin,  Ed-durarul muntethirah fil ehadithil mushtehirah” me autor  Sujutin.

Ky lloj hadithi mund të jetë i saktë (sahih), i mirë (hasen) dhe i dobët (daif). Shembull i hadithit të dobët është hadithi: “Dy veshët janë pjesë e kokës.[1] Shembull i hadithit të saktë është hadithi: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit”, ndërsa shembulli i hadithit hasen është hadithi: “Kërkimi i diturisë është obligim për cdo musliman.

b) Lloji i dytë  i hadithit meshhur  është muteuatiri, të cilin do ta sqarojmë më vonë.

2) Kategoria e dytë e haditheve ahad është el azizu, i cili nga ana gjuhësore rrjedh nga fjala el iz-zeh që dotë thotë forcë, krenari.  Ndërsa në terminologji quhet: Çdo hadith që transmetohet vetëm nga dy rrugë transmetimi.

3) Kategoria e tretë e haditheve ahad është el garibu, i cili nga ana gjuhësore rrjedh nga fjala el gurbeh që do të thotë veçim, vetmi. Ndërsa në terminologji quhet: Çdo hadith që transmetohet vetëm nga një rrugë transmetimi.

Kjo kategori është dy llojesh:

1- El garibu absolut,

2- El garibu i pjesshëm.

a) El garibu absolut  konsiderohet çdo hadith të cilin e transmeton vetëm  një tabiin nga sahabiu, si p.sh. hadithi: “El uelau[2] është lidhje e fortë si lidhja familjare; nuk shitet, nuk dhurohet dhe as nuk trashëgohet.” Këtë hadith e transmeton tabiini Abdullah bin Dinari nga Ibn Umeri radijallahu anhuma. Mund të ndodhë që dhe transmetuesi pas tabiinit të jetë një i vetëm, si p.sh. tek hadithi: “Besimi është gjashtëdhjetë e disa degë…..” Këtë  hadith e transmeton Ebu Hurejra nga i cili e transmeton vetëm Ebu Salihi, dhe nga i cili e transmeton vetëm Abdullah bin Dinari.

b) El garib i pjesshëm konsiderohet çdo hadith të cilin e transmeton një tabi tabiin (brezi pas tabiinëve) nga dikush prej tabiinëve. P.sh. një hadith transmetohet nga sahabiu nga i cili e transmetojnë disa tabiinë, por e transmeton vetëm një tabi tabiin nga njëri prej tabiinëve. Ky lloj u quajt garib i pjesshëm duke marrë në konsideratë faktin që transmetohet vetëm nga një tabi tabiin, ndërsa ajo që e pengon të  jetë garib absolut është fakti se në brezin e tabiinëve kemi disa transmetues.

Disa nga dijetarët e hershëm nuk i preferonin transmetimet garibe. Imam Maliku ka thënë: “Dija më e keqe janë transmetimet  garibe (e panjohura), ndërsa dituria më e mirë është fakti i dukshëm të cilin e transmetojnë njerëz të shumtë.”

Imam Ahmedi ka thënë: “Mos i shkruani këto hadithe garibe sepse ato janë të panjohura dhe shumica e tyre transmetohen nga transmetues të dobët.”

Ali bin el Husejni ka thënë: “Nuk është pjesë e diturisë (së vërtetë) ajo gjë (transmetim) që nuk njihet, sepse dituria e vërtetë është ajo që dihet dhe njihet (nga të gjithë) si dhe përputhen rreth saj thëniet e njerëzve.

Pyetje: Çfarë quhet muteuatir në anën gjuhësore dhe terminologjike?

Përgjigje: Muteuatiri në aspektin gjuhësor rrjedh nga fjala et-teuatur që do të thotë pasim, njëpasnjëshmëri. Ndërsa në aspektin terminologjik do të thotë: Çdo hadith i cili transmetohet nga një grup i madh njerëzish që nga fillimi i zinxhirit të transmeimit deri në fund (pra në çdo brez  kemi një grup transmetuesish), numër i atillë që zakonisht e bën të pamundur mundësinë e rënies dakord mes tyre për të gënjyer dhe për ta shpikur atë hadith.

Që një hadith të jetë muteuatir duhet të plotësojë katër kushte:

1) Lajmërimi që transmetuesit bëjnë duhet të jetë i bazuar në dituri (në bindje të prerë për atë që dinë) dhe jo në hamendje.

2) Kjo dituri të jetë domosdoshmërisht e bazuar në diçka konkrete dhe reale (dëgjim, shikim apo përjetim i ndodhisë).

3) Këto cilësi duhet të ekzistojnë të përmbushura në të gjitha pjesët e zinxhirit të transmetimit, si dhe të ketë numrin e duhur të rrugëve të transmetimit (për të qenë muteuatir).

4) Të ketë rrugë të shumta transmetimi pa një kufizim të caktuar.

Shembujt e hadithit muteuatir janë të shumta, si p.sh. hadithi që flet për rezervuarin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i cili është transmetuar nga mbi 50 sahabë; hadithi i mes’hit mbi meste i cili është transmetuar nga 70 sahabë; hadithi ku Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu e ndriçoftë dhe e hijeshoftë atë person që e dëgjon thënien time, e ruan atë, dhe e përcjell ashtu siç e ka dëgjuar.”  Ky hadith është transmetuar nga 30 sahabë.  Hadithi: “Kurani është zbritur sipas shtatë dialekteve” i cili është transmetuar nga 27 sahabë,  hadithi: “Kush ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu do i ndërtojë atij një shtëpi në xhenet”  i cili është transmetuar nga 20 sahabë; hadithi i ngritjes së duarve gjatë tekbireve në  namaz i cili është transmetuar nga 50 sahabë.

Në lidhje me hadithet muteuatir janë shkruar shumë libra, nga të cilët më të njohurit e tyre janë: “El Ez’harul mutenathirah fil ehadithil muteuatirah” i Sujutit dhe libri “Nedhmul muteuatir” të autorit El Kittani.

 

Marrë nga libri: “Jani`u eth-themer fi mustalahi ehlil ether“

(Vjelja e frutave të pjekura  në lidhje me njohjen e terminologjisë së pasuesve të transmetimeve).

Autor: Hamad el Ensarij

Përktheu:  Shuajb Rexha


[1] Në fakt ky hadith i ka të dobëta disa nga rrugët e transmetimit, por që në totalin e tyre përforcojnë njëra-tjetrën duke e ngritur në gradën hasen.

[2] Sh.p: El uelau ka për qëllim lidhjen që ekziston mes personit dhe skllavit të tij pasi që e liron atë nga robërimi. Shih librin “Mu`xhemul mustalahat uel elfadh el fikhije” 3/500, dhe “En-nihajeh fi garibil hadith”  fq. 989-990.

Dosje:

Loading...