“Banorët e Xhenetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.” | El Furkan: 24.
D.m.th. ditën e kijametit: “Nuk janë njësoj banorët e zjarrit me banorët e Xhenetit. Banorët e Xhenetit do të jenë fitimtarët.” | El Hashr: 20. Kjo sepse banorët e Xhenetit do vendosen në gradët e larta, të sigurt në pallate shumëkatëshe, në një vend të sigurt, me pamje të bukur, në një vend të mrekullueshëm: “Përjetësisht do të qëndrojnë aty, sa vend i mirë për të qëndruar është ai.” | El Furkan: 76.
Ndërsa banorët e zjarrit do të jenë poshtë në gradët më të ulëta, në keqardhje të përhershme, dënime të lloj-llojshme: “Ai me të vërtetë është një vend i keq dhe i shëmtuar.” | El Furkan: 66. Sa vend me pamje të keqe për të qëndruar e për të pushuar. Për këtë arsye i Lartësuari tha: “Banorët e Xhenetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.” D.m.th. për shkak të veprave të tyre të pranuara (nga Zoti) e arritën këtë fitore madhështore dhe erdhën këtu ku janë. Në kundërshtim me banorët e zjarrit të cilët nuk kanë një punë të mirë e cila do t’i bëjë të futen në Xhenet dhe të shpëtojnë nga zjarri.
Allahu i Lartësuar tërhoqi vëmendjen për gjendjen e të lumturve dhe atë të të trishtuarve, dhe se këta të fundit nuk kanë asnjë mirësi absolutisht.
I Lartësuari ka thënë: “Banorët e Xhenetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.” Dahaku përcjell se Ibn Abasi ka thënë: “Ajo është vetëm një paradite, pastaj miqtë e Allahut do të pushojnë (në kohën e gjumit të paradites në dynja) në kolltukë së bashku me hyritë (gratë) e Xhenetit, ndërsa armiqtë e Allahut do jenë bashkë me shejtanët.”
Seid ibn Xhubejri ka thënë: Allahu mbaron nga gjykimi i njerëzve në mesditë, pastaj banorët e Xhenetit pushojnë në Xhenet ndërsa banorët e zjarrit në zjarr.
Ka thënë Ikrimeh: Unë e di kohën kur do të hyjnë banorët e Xhenetit në Xhenet dhe banorët e zjarrit në zjarr. Ajo është koha kur në jetën e kësaj bote ngrihej paraditja e madhe, kur njerëzit ktheheshin te familjet e tyre për të pushuar në gjumin e paraditës (mesditës), në atë kohë shkojnë banorët e Xhehenemit për në Xhehenem dhe banorët e Xhenetit i dërgojnë në Xhenet. Kësisoj pushimi i tyre do të jetë në Xhenet. Aty hanë nga mëlçia e balenës dhe ajo i ngop të gjithë. Ky është kuptimi i fjalës së Allahut (të Lartësuar): “Banorët e Xhenetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.”
Nga Abdullah ibn Mesudi përcillet se ka thënë: “Nuk do të bëhet mesditë derisa të pushojnë këta dhe ata.” Pastaj lexoi: “Banorët e Xhenetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.” Dhe lexoi: “Pastaj vendi ku ata do të kthehen është zjarri.” | Es Safat: 68.
Po nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë për këtë ajet: “Banorët e Xhenetit do të jenë në dhomat e tyre të Xhenetit. Gjykimi i tyre ishte vetëm sa u paraqitën një herë para Zotit të tyre, dhe kjo është llogaritja e lehtë siç thotë i Lartësuari: “E sa i takon atij që e merr librin me të djathtën Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë, dhe do të kthehet pastaj tek familja e tij i lumtur.” | El Inshikak: 7-9.*
Them: Si një njeri që është kthyer nga një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm e pastaj kthehet të pushojë tek familjarët e vet. Një udhëtim ku nuk ka qenë vetëm por me shumë udhëtarë, të gjithë kanë udhëtuar së bashku. Dikush ka arritur më parë në stacion, dikush më pas. E pastaj gjithësecili kthehet në shtëpinë e vet të ëmbël e të dashur ku mezi e presin me mall të madh, të përmalluar për të dhe ai i përmalluar për ta! Eh sa bukuri, sa mallëngjim, sa emocion i madh do të jetë atë ditë kur do të shikojmë Zotin tonë të Madhëruar, engjëjt e bukur, të Dërguarit e Allahut, shokët e tyre që luftuan krah për krah tyre për këtë fe madhështore për të arritur këtë shpëtim, këtë fitore të madhërishme që nuk i ngjan asnjë fitorje tjetër dhe nuk krahasohet me asgjë që kanë fituar ndonjëherë në dynja! O Allah, shpresat i kemi tek Ti, por punët të mangëta e të pakta…!
*Nga tefsiri i Ibn Kethirit, Allahu e mëshiroftë.
Përgatiti: Emin Bilali
Dosje: banorët e Xhennetit, Nuk janë njësoj banorët e Zjarrit me banorët e Xhennetit