Nga Aliu përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka bindje në gjynahe por bindja është në gjëra të lejuara.” Muttefekun alejhi.[1]
Ky hadith përcakton kufijtë e bindjes ndaj drejtuesve, prindërve, burrit dhe të tjerëve veç tyre (prej atyre që drejtojnë). Ligjvënësi (Allahu i Lartësuar) urdhëron për bindje ndaj tyre. Çdonjërit prej tyre i takon bindja sipas gjendjes së tij, por të gjitha këto duhet të jenë brenda të lejuarës. Ligjvënësi i ka kthyer njerëzit në shumë prej gjërave që Ai urdhëron tek zakoni dhe adetet, siç është: devotshmëria, ruajtja e lidhjeve farefisnore, drejtësia, bamirësia e përgjithshme, po ashtu edhe bindja ndaj atyre që është detyrë tu bindesh.
Të gjitha përkufizohen me këtë kusht (të mos jenë gjynah ndaj Allahut). Kush urdhëron prej tyre për diçka që është gjynah ndaj Allahut siç është veprimi i harameve apo moszbatimi i detyrimeve, në këtë rast nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim të Allahut. Nëse ndonjëri prej tyre urdhëron vrasjen e dikujt që është i ndaluar të vritet, rrahjen e tij, marrjen e pasurisë së tij, të lihet haxhi i detyrueshëm apo një adhurim i detyrueshëm, urdhëron të ndërpriten lidhjet me dikë që e kemi detyrë t’i ruajmë, atëherë nuk u bindemi dhe bindja ndaj Allahut ka përparësi ndaj bindjes ndaj krijesave.
Nga ky hadith kuptojmë se kur përballet bindja ndaj atyre që u përmendën me një adhurim vullnetar, atëherë bindja ndaj tyre është më parësore sepse lënia e adhurimit vullnetar nuk është gjynah. Kështu për shembull; nëse burri e ndalon gruan e tij prej agjërimit nafile apo haxhi nafile, apo nëse udhëheqësi urdhëron për një gjë që çon në lënien e diçkaje që është e pëlqyeshme, atëherë është detyrë dhënia përparësi asaj që është detyrë (bindja ndaj drejtuesve).
Fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “… bindja është vetëm në vepra të mira”, ashtu si përfshin ato që përmendëm ajo përfshin edhe kushtëzimin e saj (bindjes) me mundësinë dhe aftësinë, njësoj si kushtëzohet kjo edhe për detyrimet e tjera fetare. Në një hadith tjetër ka ardhur: “E keni detyrë të dëgjoni dhe të bindeni në ato që keni mundësi.”[2]Allahu e di më së miri!
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”
Autor: Abdurrahman bin Nasir es Seadi
Përktheu: Emin Bilali
———————————————————-
[1] Buhariu në kapitullin “Dëgjimi dhe bindja ndaj udhëheqësit për sa kohë që nuk urdhëron për gjynah” 7145, dhe Muslimi 1840.
[2] Muslimi 1836.
Dosje: hadith