Përçarja e umetit islam 1 (Analizë akademike)

April 27, 2017

Hadithi i përçarjes.

Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se Profeti sal-lAllahu alejhi ue  sel-lem ka thënë: “U përçanë çifutët në shtatëdhjetë e një apo dy grupe, u përçanë të krishterët në shtatëdhjetë e një apo dy grupe, dhe do të përçahet ymeti im në shtatëdhjetë e tre grupe.” E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.
Auf bin Malik, Enes bin Malik dhe Muauije bin Sufjan radiAllahu anhum tregojnë se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “U përçanë çifutët në shtatëdhjetë e një grupe, u përçanë të krishterët në shtatëdhjetë e dy grupe, dhe do të përçahet ymeti im në shtatëdhjetë e tre grupe. Të gjithë do jenë në zjarr përveç njërit, dhe ata janë xhemati (ata që ruajnë xhematin)”. E transmetojnë Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.
Ndërsa Abdullah bin Amr bin El As radiallahu anhu ka një shpjegim shtesë rreth grupit të shpëtuar, dhe thotë: “Janë ata që janë në rrugën time dhe të shokëve të mi”. E transmeton Tirmidhiu.

A është i saktë hadithi?

Hadithi sipas tregimit të Ebu Hurejrës radiallahu anhu është i saktë, dhe po përmendim këtu fjalët e disa dijetarëve:
1- Tirmidhiu (dijetar i madh i hadithit i vdekur në vitin 279 H) në librin e tij “Sunen et Tirmidhi” thotë: Hadithi i Ebu Hurejrës është i mirë dhe i saktë.
2- Hakimi (dijetar i hadithit i vdekur në vitin 405 H) në librin e tij “El Mustedrak”, kur përmend hadithin sipas Ebu Hurejrës thotë: Ky hadith është i saktë sipas kushteve të Muslimit dhe ka disa rrugë të tjera që dëshmojnë për të.
3- Dhehebiu (dijetar i madh i hadithit i vdekur në vitin 748 H) në librin e tij “Et-Telkhis” ku shqyrton hadithet e Hakimit, e përkrah atë dhe thotë: Ai është sipas kushteve të Muslimit.

Ndërsa hadithi sipas tregimit të Auf bin Malik, Enes bin Malik, Muauije bin Sufjanit radiallahu anhum, edhe ky është i saktë dhe disa prej fjalëve të dijetarëve janë:
1- Hakimi thotë: Këto rrugë transmetimi merren për argument për saktësimin e hadithit.
2- Shejh el Islam Ibn Tejmije (dijetar i madh i vdekur në vitin 728 H) në fetvatë e tij thotë: Hadithi është i saktë dhe i njohur në librat e sunetit si; Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu etj.
3- Dhehebiu (dijetar i madh i hadithit i vdekur në vitin 748 H) thotë në librin e tij “Et-Telkhis” pas fjalëve të Hakimit të lartpërmendura, e përkrah atë dhe thotë: Këto rrugë të transmetimit e bëjnë hadithin të merret për argument.
4- Ibn Kethiri (dijetar i madh i vdekur në vitin 774 H) në tefsirin e tij thotë: Ka ardhur në hadithin e transmetuar në librat e synetit në shumë rrugë transmetimi të cilat forcojnë njëra-tjetrën…. (pastaj përmend hadithin sipas tregimit të Muavije bin Ebi Sufjan).
5- El Hafidh el Irakij (dijetar i hadithit i vdekur në vitin 806 H) në librin “Tehrixh el Ihja” thotë se rrugët e transmetimit të hadithit janë të mira.
Mirëpo ky hadith sipas tregimit të këtyre sahabëve, po ta krahasojmë me hadithin e Ebu Hurejrës radiallahu anhu ka një shtesë sipas së cilës vetëm një grup është i shpëtuar dhe të tjerët janë në zjarr. Disa dijetarë e kanë refuzuar këtë shtesë duke e konsideruar atë të dobët, dhe kjo është bërë për dy arsye:
E para: Ky hadith nuk saktësohet nga ana e zinxhirit të transmetimit dhe i pari që e ka thënë këtë është Ibn Hazmi, Allahu e mëshiroftë, (dijetar i madh i vdekur në vitin 456 H) i cili në librin e tij “El fisal fil mileli ue en-nihal” thotë: Ky hadith nuk është i saktë nga zinxhiri i transmetimit.
Ibën Hazmin në mendimin e tij e kanë ndjekur edhe disa dijetarë si: Ibn el Uezir (dijetar nga Jemeni i vdekur në vitin 822 H) mirëpo më pas ka ndryshuar mendim, Esh-Sheukani në tefsirin e tij “Fet’h el-Kadir” dhe së fundi Muhamed bin Zahid El Keutheri.
Shejh Albani i është kundërpërgjigjur Ibën Hazmit në librin e tij “Silsilet el ehadith es-sahiha”, ku thotë se kjo fjalë i refuzohet Ibën Hazmit për dy gjëra:
1- Kritika shkencore e haditheve ka rezultuar se kjo shtesë është e saktë dhe nuk merret në konsideratë fjala e atij që e bën atë të dobët.
2- Ata të cilët e kanë saktësuar janë më shumë dhe më të ditur në lidhje me hadithin se Ibn Hazmi, aq më tepër kur ai është i njohur tek dijetarët si tepër i shtrënguar në kritikë. Prandaj nuk bën të merret për bazë kur veçohet në mendime e aq më shumë kur të tjerët e kundërshtojnë.

E dyta: Kjo shtesë nuk saktësohet bazuar në kundërshtimin e tij për faktin se ky ymet është ymeti më i mirë dhe shpresohet të jetë gjysma e xhenetit, atëherë si mundet të shkojnë së bashku?!
Kësaj problematike i është përgjigjur dijetari Salih el Mukbili (dijetar i madh nga Jemeni i vdekur në vitin 1108 H), dhe thotë:
Njerëzit janë dy llojesh; të zakonshmit dhe të veçantët. Të zakonshmit janë njësoj si në brezat e mëvonshëm ashtu dhe në ata të hershmit, siç janë: gratë, skllevërit, bujqët, njerëzit e thjeshtë etj. të cilët nuk kanë lidhje me punët e të veçantëve, dhe këta nuk ka dyshim se janë larg bidateve siç kanë qenë të parët.
Kurse të veçantët prej tyre janë ata të cilët i kanë shpikur bidatet duke i bërë parullë të tyre duke i mbrojtur në çdo mënyrë, duke i bërë baza me të cilat kuptojnë Kuranin dhe synetin. Pastaj këta i ndoqën njerëz të tjerë si këta në logjikë dhe fanatizëm e ndoshta edhe e kanë rinovuar bidatin e tyre, i kanë shtrirë atij degët dhe i kanë dhënë më shumë sesa mban, por ata mbeten prijësit e tyre dhe këta janë bidatçitë e vërtetë. Kjo është gjë e madhe prej së cilës gati sa nuk çahen qielli dhe toka dhe malet të shemben, si: mohimi i urtësisë së Allahut, mohimi i caktimit të Allahut, besimi se Allahu bën detyrë të pamundurën dhe bën çdo të keqe dhe nuk janë këqija për të, e gjëra të tjera ku disa prej tyre janë më pak të shëmtuara. E vërteta e tyre është vetëm tek Allahu dhe ne nuk e dimë me saktësi se me cilën prej tyre (bidateve) pasuesi i saj bëhet një prej shtatëdhjetë e tre grupeve.
Prej njerëzve (të këtij lloji të veçantë) ka edhe të tjerë që i kanë ndjekur ata. i kanë përkrahur dhe shumuar grupin e tyre me mësimdhënie e shkrime. Por në vetveten e tij është i kthyer nga e vërteta dhe në studimet e tij ka ndërfutur gjëra që i hedhin poshtë ato në mënyrë jo të qartë. Ndoshta e ka bërë për ndonjë interes të ulët ose nga frika se mos njerëzit e përulin dhe e ç’nderojnë apo e mundojnë fizikisht. Në përgjithësi ky njeri e ka dalluar të vërtetën nga e kota dhe llogaria e tij është tek Allahu i madhëruar, ose do ta ringjallë me ata që i ka dashur nga ana e jashtme ose do ta pranojë justifikimin e tij. Nuk gjen njeri nga ky lloj veçse e ka bërë atë gjë, por pasha Allahun se e keqja e tyre është e shumtë dhe ndoshta realitetin e tyre nuk e ka ditur njeri. Ato gjëra të fshehta që i kanë ndërfutur nuk arrijnë t’i kuptojnë veçse të zgjuarit, të cilët kanë prekur me studim çdo gjë dhe me dijen që u ka dhënë Allahu nuk ia kanë nevojën asaj gjëje të fshehtë, madje as nuk është e dobishme të dihet se ai njeri e dinte të vërtetën dhe e fshihte.
Prej njerëzve (të këtij lloji të të veçantëve) ka edhe të tjerë që nuk janë studiues të mirëfilltë dhe as janë të përgatitur për të dalluar realitetin e gjërave, edhe nëse është ushtruar me njohjen e mendimeve të njerëzve dhe ka njohur sesi hyhet në studime dhe ka mësuar shumë prej llumit të tyre. Mes tij dhe esencës së studimit ka mure penguese dhe mund të jetë për shkak të vullnetit të tyre të ulët, dhe mjaftimin apo pranimin e mendimeve të të parëve për peshën që kanë në zemrat e njerëzve. Ky lloj njerëzish janë të shumtë në numër dhe më të ulëtit në pozita, sepse nuk arritën veçoritë e të veçantëve dhe as mbetën të paprekur si të zakonshmit.
Grupi i parë prej të veçantëve janë bidatçinj pa asnjë dyshim, grupi i dytë prej tyre janë bidatçinj nga ana e jashtme, kurse grupi i tretë ka gjykimin e bidatit.
Prej të veçantëve ka edhe një grup të katërt të shumtë në numër në brezat e hershëm, të paktë në brezat e mëvonshëm, të cilët u kapën pas Kuranit dhe sunetit dhe ecën sipas tyre, heshtën aty ku heshtën ata dhe lëvizën dhe ndaluan sipas tyre. Qëllimi i tyre ishte të ruheshin nga e keqja, gjallëria e synetit për ta ishte më dashur se jeta e tyre, dhe drita e syve të ndonjërit prej tyre ishte leximi i librit të Allahut të madhëruar dhe kuptimi i tij sipas gjuhës së pastër arabe, komentimeve të transmetuara (nga selefët) dhe njohja e hadithit të saktë profetik si tekst dhe si gjykim.
Ky grup janë sunitë e vërtetë dhe grupi i shpëtuar, dhe bashkë me ta edhe lloji i parë i të zakonshmëve, dhe kë do Allahu prej tre grupeve të tjera të të veçantëve sipas dijes, peshës së bidatit dhe nijetit të tij.
Nëse arrin ta kuptosh mirë këtë që përmenda nuk është e nevojshme ta bësh atë pyetje të urryer që është shkatërrimi i shumicës së ymetit, sepse më të shumtë në numër janë njerëzit e zakonshëm si në brezat e hershëm ashtu dhe në brezat e mëvonshëm. Po ashtu edhe të veçantët në brezat e hershëm dhe ndoshta mund të futen edhe dy grupet e mesme, edhe ata që bidati i tyre është i lehtë prej grupit të parë dhe t’i shpëtojë rahmeti i Zotit tënd nga rregulli i shpërblimit në ahiret për atë që bën bidat. Rahmeti i Zotit tënd është i gjerë për çdo mysliman, por ne folëm sipas domethënies së hadithit dhe vërtetësisë së tij. Pjesëtarët e grupeve të bidatit edhe nëse janë shumë grupe ndoshta të gjithë së bashku nuk përbëjnë një të njëmijtën e myslimanëve. Vëreje me kujdes këtë se kështu ruhesh nga mendimi se hadithi kundërshton hadithet e mirësisë së këtij ymeti të mëshiruar.

Ndërsa përsa i përket shtesës së Abdullah bin Amr bin El Asit, shejh Albani shënon pas hadithit: Hadithun hasen (i mirë për të punuar me të).

Vijon…

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...